Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë tha se avionët e NATO-s që gjenden në shtetet e Baltikut duhet të rrëzojnë dronët rusë që hyjnë në hapësirën e tyre ajrore, pasi javën e kaluar një dron i Rusisë u rrëzua në Letoni.
Avionët luftarakë nga shtetet e tjera të NATO-s kanë patrulluar qiejt mbi shtetet e Baltikut që kur ato u bënë pjesë e aleancës ushtarake më 2004, pasi tri ish-republikat sovjetike nuk kanë avionë të nevojshëm për patrullime.
Avionët e NATO-s “nuk duhet vetëm të patrullojnë, por nëse është e nevojshme, edhe të shkatërrojnë dronë”, tha ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Laurynas Kasciunas.
Ai shtoi se procesi i vendimmarrjes për këtë duhet të shkurtohet, në mënyrë që kjo të bëhet e mundur.
Deklaratat e tij vijnë pasi të shtunën një dron i Rusisë u rrëzua në Letoni. Forcat e armatosura të Letonisë thanë se droni ishte i llojit Shahed, prodhim iranian, i pajisur me mjete shpërthyese.
Të martën, presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, tha se shteti i tij po e diskuton problemin e dronëve rusë me aleatët e tij.
“Po e ngremë këtë çështje me partnerët tanë në NATO lidhur me protokollet për pengimin e dronëve, duke bërë thirrje që avionët luftarakë të aleatëve të përdoren menjëherë pasi të shohin se dronë të tillë u afrohen kufijve tanë”, tha Rinkevics.
Zyrtarët nga shtetet e Baltikut po ashtu i kanë bërë thirrje NATO-s që të dislokojë sisteme të mbrojtjes ajrore përgjatë kufirit lindor të aleancës.
Shtetet e NATO-s nuk kanë sisteme të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore, por vitin e kaluar aleanca u pajtua për dislokime afatshkurtra për të zmbrapsur Rusinë.
Në prill, Holanda dislokoi sisteme raketore Patriot për ushtrime në Lituani, por shtetet e Baltikut duan që të ketë dislokim të përhershëm në rajon të sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Në fillim të shtatorit, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, tha se Varshava duhet të ketë të drejtë të rrëzojë raketa ruse që kërcënojnë territorin e saj nga hapësira ajrore ukrainase.REL