Ousmane Dembele në lot pasi fitoi 'Topin e Artë' 2025

Sport

Ousmane Dembele në majën e futbollit botëror, fiton ‘Topin e Artë’ 2025

22 Shtator, 21:24| Përditesimi: 22 Shtator, 23:39

  • Share

PARIS - Mes lotësh për gjithë vështirësitë që ka kaluar në jetë, sulmuesi i PSG-së dhe Francës, Ousmane Dembele, pranoi trofeun e ‘Topit të Artë’ 2025. Fituesi i katër trofeve me PSG-në, mes të cilëve dhe Champions League, Dembele la pas në vendin e dytë Lamine Yamal, talentin e Barcelonës.

Trofeu për 28-vjeçarin u dha nga një legjendë si Ronaldinho, që për vete e ka fituar këtë trofe në vitin 2005. I rritur vetëm nga e ëma mes sakrificash, Dembele pasi falenderoi gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim, u përlot kur përmendi familjen. Edhe e ëma e tij u ngjit në skenë duke pasur një takim të ngrohtë me të birin. Me një karrierë te Rennes, Dortmund, Barcelona dhe PSG, Dembele bëhet francezi i parë pas Zinedine Zidane në 1998 (me Juventusin) që fiton trofeun e ‘Topit të Artë’. Edicionin e kaluar, Dembele realizoi 35 gola dhe dhuroi 16 asistime në të gjitha garat.

Vendin e dytë nga votat e gazetarëve për këtë trofe e siguroi 18-vjeçari Lamine Yamal, që mori edhe trofeun ‘’Kapa’’ si talenti më i mirë i vitit. Në vendin e tretë Vitinha i PSG-së.

Ndërkohë që në mbrëmjen gala të Parisit u akorduan edhe çmime të tjera. Futbollistja më e mirë për femra u shpall Aitana Bonmati e Barcelonës, me spanjollen që fitoi ‘Topin e Artë’ për të tretin vit radhazi. Trajneri i sezonit u shpall Luis Enrique i PSG-së, ndërsa po portieri që fitoi Champions League me PSG, Gianluigi Donnarumma u shpall si ‘Portieri më i mirë’. 

Fituesi i ‘Topit të Artë’ u vendos nga votimet e 100 gazetarëve nga shtetet e renditura në 100 vendet më të mira sipas FIFA-s, përfshi edhe Shqipërinë.

Trofetë e akorduar:

Ousmane Dembele i PSG-së është fituesi i 'Topit të Artë' 2025 për meshkuj.

Aitana Bonmati e Barcelonës fiton trofeun e 'Topit të Artë' për femra për vitin e tretë radhazi.

Lamine Yamal ka fituar trofeun “Kopa”, i cili shkon për talentin më të mirë nën moshën 21 vjeç.

Sarina Wiegman ka fituar çmimin “Johan Cruyff” si trajnerja më e mirë e vitit.

Luis Enrique i PSG është zgjedhur si trajneri më i mirë i vitit. Ai mori trofeun “Johan Cruyff”, pasi mori plot katër trofe në sezonin e kaluar me ekipin e tij.

Gianluigi Donnaruma është fitues i trofeut “Yashin” si portieri më i mirë për vitin 2025.

Viktor Gyokeres u zgjodh si sulmuesi më i mirë i vitit 2025, pas sezonit të jashtëzakonshëm te Sporting Lisbona. Për femra, sulmuesja më e mirë u zgjodh Ewa Pajor nga Barcelona.

Arsenali është zgjedhur si klubi më i mirë i vitit për vajza. 

PSG është zgjedhur si klubi më i mirë i vitit për meshkuj.

Renditja e Topit të Artë:

1 - Ousmane Dembele

2 - Lamine Yamal

3 - Vitinha

4 - Mohamed Salah

5 - Raphinha

6 - Achraf Hakimi

7 - Kylian Mbappe

8 - Cole Palmer

9 - Gianluigi Donnarumma

10 - Nuno Mendes

'Topi i Artë' jepet që nga viti 1956. Lionel Messi e ka fituar plot tetë herë, rekord absolut, ndërsa Cristiano Ronaldo e ka marrë pesë herë.

Ora 23:26
Ousmane Dembele mes lotësh: ‘Topi i Artë’ nuk ka qenë qëllimi im, tani dua të fitoj Kupën e Botës

Ousmane Dembele me të ëmën

Ousmane Dembele nuk i mbajti lotët pasi fitoi ‘Topin e Artë’. Në momentin kur përmendi gjithë mbështetjen që ka pasur nga e ëma, familja dhe rrethi i ngushtë, ylli i PSG-së qau me trofeun pranë tij. Ai tha se ky trofe nuk ka qenë një qëllim, por shkon për gjithë ata që e kanë mësuar dhe mbështetur në futboll. Trofeu për të u dorëzua nga një legjendë si Ronaldinho.

‘’Është e jashtëzakonshme ajo që sapo përjetova. Nuk kam fjalë. Ka qenë një vit i pabesueshëm me PSG-në, shumë gjëra kanë ndodhur gjatë karrierës sime. Që Ronaldinho, një legjendë e futbollit, ta dorëzojë këtë çmim për mua, është jashtëzakonisht emocionuese. Jam krenar për atë që kam arritur. Dua të falënderoj PSG-në që erdhi për të më marrë në 2023, presidentin, gjithë klubin. Nasser është si një baba për mua. Dua gjithashtu të falenderoj gjithë stafin që ka qenë i jashtëzakonshëm, Luis Enrique që është gjithashtu si një baba. Dua gjithashtu të falënderoj shokët e skuadrës, kemi fituar pothuajse gjithçka. Ju më keni mbështetur. Kemi arritur të fitojmë pothuajse të gjithë trofetë dhe ky çmim individual vlerëson edhe lojën e ekipit.

Dua gjithashtu të falënderoj të gjithë klubet ku kam kaluar: Dortmund, Rennes, klubi im i formimit ku kam mësuar pothuajse gjithçka, FC Barcelonën ku ëndërroja të luaja, ku mësova pranë lojtarëve të jashtëzakonshëm si Andres Iniesta dhe Lionel Messi. Topi i Artë nuk ka qenë një objektiv i karrierës sime, por është i jashtëzakonshëm.

Kam punuar për të fituar Ligën e Kampionëve, Ligue 1, Kupën e Francës, dhe të shpërblehem me një çmim individual është e jashtëzakonshme. Dua gjithashtu të falënderoj shokët e mi në përfaqësuese, ata me të cilët u rritëm tek të rinjtë dhe trajnerin e përfaqësueses që gjithmonë ka pasur besim tek unë. Shpresojmë tani të fitojmë Kupën e Botës në vitin e tij të fundit.

Dua gjithashtu të falënderoj qytetin tim, Evreux, aty ku jam rritur, ku kam goditur topin tim të parë të futbollit. Përpiqem të kthehem atje kur kam kohë të lirë, ata janë gjithmonë aty për mua. Falenderoj gjithashtu familjen time që më ka mbështetur gjithmonë, agjentin tim që ka besuar gjithmonë tek unë. Ai kishte thënë se një ditë do të fitonim ‘Topin e Artë’. Faleminderit gjithashtu nënës sime, mikes sime më të mirë që më ka ndjekur kudo’’, tha Dembele mes lotësh.

Ora 21:46
Donnarumma është ‘Portieri i sezonit’

Gianluigi Donnaruma është fitues i trofeut “Yashin” si portieri më i mirë për vitin 2025. Triumfi me PSG-në në Champions League i ka dhënë portierit Gianluigi Donnarumma çmimin e ‘Portierit më të mirë’ të sezonit 2024-25. Pak javë më parë ai u largua ‘me sherr’ nga PSG drejt Manchester Cityt. Hera e dytë për italianin që e fiton këtë trofe, pas vitit 2021.

Ora 21:32
Lamine Yamal është talenti i sezonit, merr trofeun ‘Kopa’

Lamine Yamal është fituesi i trofeut ‘Kopa’ për meshkuj, si talenti më i mirë për meshkuj në sezonin që lamë pas. Ylli i Barcelonës kishte fjalë zemre për klubin e tij.

"Faleminderit të gjithëve për çmimin, është një burim krenarie të jem këtu dhe sigurisht falë Barçës. A jam gati edhe për trofeun tjetër, atë për trofetë e mëdhenj? Nuk e di", qesh talenti spanjoll.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?