Sport

Kualifikueset e Kupës së Botës 2026, Sylvinho: Me Letoninë ndeshje kyçe, nesër do kemi ndryshime! Gjimshiti: Fatet i kemi në duart tona (VIDEO)

8 Shtator, 16:31| Përditesimi: 8 Shtator, 19:15

  • Share

TIRANË - Trajneri i Kombëtares, Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti kanë dalë para medieve nga 'Air Albania' në prag të ndeshjes Shqipëri - Letoni e cila luhet nesër në orën 20:45 në Tiranë.

Dueli për tanët është i rëndësishëm pasi vetëm tri pikë na bëjnë punë në garën për një vend në finalet e Kupës së Botës 2026 e cila zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Kombëtarja vjen pas fitores së vuajtur 0-1 në miqësoren kundër Gjibraltarit.

Trajneri Sylvinho tha se sfida me Letoninë është kyçe për të ardhmen e kësaj fushate kualifikuese. Sa i përket formacionit, braziliani shtoi se do ketë ndryshime nga fitorja në miqësoren kundër Gjibraltarit tre ditë më parë.

"Ndryshimet nga fitorja në miqësoren kundër Gjibraltarit dhe a keni presion në ekip?

Djema, të luash për të shkuar në Kupën e Botës është e vështirë. Nesër do jetë një ndeshje kyçe. Dy ditë më parë pamë Letoni 0-1 Serbi me rezultat të ngushtë. Të fitosh si Spanja me 6 gola nuk është e lehtë, nuk ndodh shpesh. Ekipet janë në të njëjtin nivel. Letonia është fizik, i organizuar. Janë të mirë në goditjet standarde dhe nuk doëzohen.

Me Gjibraltarin ishte ndryshe. Medon Berisha kishte gjashtë muaj me ne dhe nuk kishte luajtur. Kemi emra të rinj dhe t'u kërkojë atyre në miqësore më shumë gola nuk është e drejtë. Nesër do jetë ndryshe.

Formacioni për nesër?

Nuk e kam vendosur, por nesër do kemi ndryshime. Kam edhe një stërvitje me ekipin.

Jeni të vetëdijshëm se nesër jemi "të dënuar" për fitore?

Po, rëndësi ka që e kemi fatin në dorën tonë. Është shumë e rëndësishme për në që të fitojmë ndeshjen, ndeshja është kyçe.

Duket se në Kombëtare mungon entuziazmi? Minutat për lojtarët në klubet e tyre...

Kemi një moment të mirë në Kombëtare sepse kemi vetë çdo gjë në dorën tonë. Në futboll ka disa rezultate, por kemi fatet në duart tona. Më shumë se për minutat shqetësohem për ata që ndërrojnë ekip ose trajner, sepse kanë strategji ndryshe. Nuk jemi ne në atë nivel që mund të zgjedhim lojtarët që kanë më shumë minuta për t'i marrë.

Kemi një plan B për tri pikë me Letoninë?

Pas Gjibraltarit nuk thashë që kisha katër lojtarë që ishin në fushë për herë të parë, apo që nuk më pëlqeu performanca. Pashë te ta gjëra të mira dhe jo aq të mira. Kur debutova me Brazilin kisha shumë emocione, nuk fjeta. Nuk doja t'i vendosja nën presion. Na duhet durim, gjëra të mira do vijnë. Po marrim lojtarë të mirë. Më thoni nëse një lojtar shqiptar ka shënuar tre gola në një ndeshje. Nesër kam besim te lojtarët.

Sulmi reparti më pak i stabilizuar. Broja në 100 përqind? Asani e ka rifituar vendin në sulm?

Kur sheh ekipin në dy vite e gjysmë, ekipi ka ndryshuar. Kemi emra të rinj dhe nëse janë në kushte të mira i kemi pranë. Të dy janë në gjendje të mirë. Asani ka më shumë kohë me ne dhe ka shënuar më shumë. Të dy kanë besimin tonë si staf. Nuk e them dot se kush luan nesër, mund të jenë të dy, ose vetëm njëri.

Nga Anglia te Gjibraltari, a është ekipi në gjendje për Kupën e Botës 2026?

Ndaj Anglisë bëmë performancë të mirë, por nuk është e lehtë në 'Wembley'. Me Serbinë na mungoi rezultati. Në Letoni kemi bërë shumë gabime në 30 minutat e para dhe kur do të shkosh në Kupën e Botës këto gabime kushtojnë.

Nesër një finale për Kupën e Botës, a mund të jetë kjo një finale edhe për rrugëtimin tuaj si trajner i Shqipërisë?

Dua të përgjigjem për pyetjen e parë, jo për vazhdimin. Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme, kjo është kyçe për Kupën e Botës. Futbolli është i vështirë, të gjithë duhet të përgatitemi si ekip, ne jemi një. Kjo ndeshje ka presion. Nuk e di çfarë ndodh në të ardhmen, në ndeshjet e tetorit apo nëntorit. Fokusi është te ndeshja nesër.

Juljan Shehu tha se në ekipin e tij luan më përpara dhe shënon. A duhet në këtë rol edhe në Kombëtare kundër Letonisë edhe nesë mbetet në stol ndonjë tjetër futbollist?

Shehu është një lojtar shumë i mirë. Ne e kemi marrë në ekip, e kemi ndjekur prej kohësh. Në Kombëtare e kam parë që duhet të ketë atë rol. Në Poloni e vendos trajneri i tij, kjo është një çështje teknike. Shehu na ka përmirësuar", tha Sylvinho. Në fund, trajneri Sylvinho uroi gazetarin e Report Tv, Ernest Koçi, për martesën.

Kapiteni Gjimshiti tha se sfida është e vështirë dhe fokusi duhet të jetë në çdo moment, pasi përballë kanë një ekip me vlera.

"Ekipi është përgatitur mirë, nuk është e thjeshtë por jemi pozitivë. Kemi presion, kështu që përqëndrimi është më i lartë. Nesër na duhen tri pikë për të pasur më shumë mundësi për kualifikimin.

Çfarë duhet bërë më shumë nga ndeshja në Riga?

I kemi parë ndeshjet e Letonisë, edhe atë me Serbinë tre ditë më parë. Në Riga kemi gabuar, nuk luajtëm mirë. Sot nuk është si disa vite më parë, nuk ka ekip që mund ta mposhtësh lehtë, e pamë edhe dje Holandën që mezi fitoi në Lituani. Gjëja më e mirë është që ende e kemi fatin në dorën tonë", tha ai.

Pas konferencës për mediet ekipi zhvilloi përgatitjet gjenerale në 'Air Albania'.

STATISTIKAT

Renditja - Fitorja 2-0 e Anglisë kundër Andorrës ka bërë që 'Tre Luanët' të ngjiten në kuotën e 12 pikëve pas katër takimeve, duke marrë 'arratinë' në krye të Grupit K. Nga ana tjetër, Serbia pas tre takimeve ka shtatë pikë dhe merr vendin e dytë, duke lënë Shqipërinë në pozitën e tretë me pesë pikë pas katër takimeve. Letonia me katër pikë pas po kaq ndeshjeve mban pozitën e katërt, duke lënë në fund Andorrën me zero pikë pas pesë takimeve.

Përballjet kundër Letonisë

Në gjashtë takime kundër Letonisë, Kombëtarja jonë ka siguruar gjashtë barazime. Dueli i fundit mes palëve daton më 10 qershor 2025 në Riga për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës, i cili përfundoi 1-1.

Arbitrat

Polaku Damian Sylwestrzak do jetë arbitër kryesor në 'Air Albania', me ndihmësa Pawel Sokolnicki, Adam Karasewicz dhe Damian Kos. Në VAR do jenë Piotr Lasyk dhe Pawel Malec.

Ora 16:50
Berat Gjimshiti: Nesër është shansi ynë i fundit, fatet e kualifikimit i kemi në duart tona

 

Përpara ndeshjes kundër Letonisë, kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti tha se sfida është e vështirë dhe fokusi duhet të jetë në çdo moment, pasi përballë kanë një ekip me vlera. Berati tha se janë të vetëdijshëm se ky është 'treni i fundit' për të mbajtur gjallë ëndrrën për kualifikimin në Kupën e Botës.

"Ekipi është përgatitur mirë, nuk është e thjeshtë por jemi pozitivë. Kemi presion, kështu që përqëndrimi është më i lartë. Nesër na duhen tri pikë për të pasur më shumë mundësi për kualifikimin.

Çfarë duhet bërë më shumë nga ndeshja në Riga (1-1)?

I kemi parë ndeshjet e Letonisë, edhe atë me Serbinë tre ditë më parë. Në Riga kemi gabuar, nuk luajtëm mirë. Sot nuk është si disa vite më parë, nuk ka ekip që mund ta mposhtësh lehtë, e pamë edhe dje Holandën që mezi fitoi në Lituani. Gjëja më e mirë është që ende e kemi fatin në dorën tonë.

Mesazhi për tifozët?

Do japim më të mirën që kemi në dorë. Do jetë historike nëse do jemi në Kupën e Botës. Jemi gati për nesër dhe do bëjmë maksimumin për tri pikët, që ta shijojnë edhe tifozët.

Gjendja e lojtarëve dhe motivimi pas ndeshjes miqësore kundër Gjibraltarit (fitore 0-1)?

Nesër do jetë në ndeshje ndryshe. Kemi pasur emra të rinj në ekip dhe kanë pasur presion. Trajneri ka parë emrat e rinj për të ardhmen. Nesër përqëndrimi do jetë më i lartë. Për kalimin në Kupën e Botës të vijnë 1 ose 2 mundësi në jetë, kjo është më e mira që kemi.

Jeni të vetëdijshëm se ky është shansi ynë i fundit?

E dimë që është rasti i fundit, vetëm nëse gabojnë të tjerët, që nuk besoj se do e bëjnë. Ne jemi mirë, të vetëdijshëm që ndeshja nesër do ndryshojë grupin dhe mund të fusim të tjerët në presion. Kjo ndeshje vlen edhe për takimet e tjera që kemi.

Më mirë kundër ekipeve të mëdha. Kemi vështirësi kundër ekipeve më të vogla?

Mund të jetë. Ekipet më të 'vogla' luajnë më pas. Me Serbinë kishte hapësira se kërkonin të na shënonin. Sot në futboll ka një lojë fizike, ka vështirësi dhe na duhen emra teknik më shumë se kundërshtari, kjo vlen në këto ndeshje", tha Gjimshiti.

S.Dh/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Masakra me 2 viktima në Shkodër, sa të sigurt ndiheni?