Kristjan Asllani është në qendër të merkatos, paçka se mesfushori pak ditë më parë u shpreh se do luftonte për një fanellë titullari me Interin në Serie A.
Gjërat edhe mund të ndryshojnë, pasi mesfushori i Kombëtares shqiptare ka përfunduar në radarët e Liverpoolit në Angli. Lajmin e raporton “The Athletic”, që shkruan se 22-vjeçari shqiptar është një nga opsionet e trajnerit Arne Slot për të përforcuar mesfushën.
Asllani nuk është i vetmi opsion në listën e Liverpool për mesfushën, pasi 6-herë kampionët e Europës interesohen dhe për Billy Gilmour të Brighton, Tijjani Reijnders i Milanit dhe Maximo Perrone i Manchester City.
Portalet pranë klubit të Interit bëjnë të ditur se edhe Borussia Dortmund është interesuar për mesfushorin shqiptar, për të cilin mund të shpenzojë deri në 20 milionë euro.
Sezonin e fundit, në kohën kur Interi u shpall kampion i Serie A, Asllani luajti vetëm gjashtë ndeshje si titullar, duke qenë se rivali i tij është një emër si Calhanoglu.