Përfaqësuesja republikane në SHBA, Liz Cheney u zotua se do të bëjë gjithçka që mundet për të mbajtur Donald Trumpin jashtë Shtëpisë së Bardhë, dhe tha se do të vendoste në muajt e ardhshëm nëse do të kandidojë vetë për presidente, pasi humbi gjatë një sfide me kundërshtare mbështetësen e Trumpit.
Humbja e Cheney, nga Harriet Hageman, e mbështetur nga Trump, shënon një fitore të rëndësishme për ish-presidentin në fushatën e tij për të rrëzuar republikanët që e fajësuan për sulmin në Kapitol Hill.
Cheney, një kritike e ashpër e Trump, ka luajtur një rol të rëndësishëm në hetimin e Kongresit për sulmin e 6 janarit në Kapitol.
Cheney tha në emisionin "Today" të NBC të mërkurën se "do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbajtur Donald Trumpin jashtë Zyrës Ovale" dhe se po mendonte të kandidonte për presidente.
"Jam duke e menduar dhe do të marr një vendim në muajt e ardhshëm," tha ajo për "Today", duke shtuar se i ka mbetur shumë punë për të bërë akoma me komitetin që po heton sulmin e 6 janari.
"Unë besoj se Donald Trump vazhdon të përbëjë kërcënim dhe rrezik shumë të rëndë për republikën tonë. Dhe mendoj se mposhtja e tij do të kërkojë një front të gjerë dhe të bashkuar të republikanëve, demokratëve dhe të pavarurve. Dhe kjo është ajo që unë synoj”, tha Cheney.
Cheney, në Dhomën e Përfaqësuesve, votoi për shkarkimin e Trump me akuzën se ka nxitur trazirat e Kapitolit. Trump u shpall i pafajshëm përfundimisht.
Nga 10 republikanët që mbështetën shkarkimin, është e mundur që vetëm një - Dan Newhouse i Uashingtonit - të jetë në Kongres pas zgjedhjeve të nëntorit.