Llatja në Report Tv: S’jemi xheloz që festohet në Tiranë, por dihet që Elbasani është ‘kryeqyteti i Ditës së Verës’

13 Mars 2023, 13:47| Përditesimi: 13 Mars 2023, 16:56

  • Share

ELBASAN- Në një intervistë për Report Tv, kreu i Bashkisë së Elbasanit, Gledian LLatja tha se në qytet do të ketë shumë organizime, në kuadër të kësaj dite që është simbol për qytetin. Ndryshe nga vitet e tjera, fokusi është vendosur te mbajtja gjallë e traditës.

“Kemi rikthyer sofrën e Elbasanit, një kthim tradite, me të njëjtat gatime, me të njëjtën model, kemi vazhduar gjatë gjithë kohës, me aktivitete sportive, me aktivitete në shesh, për fëmijë. Sot kemi filluar sërish me aktivitete, kemi shumë çfarë të ofrojmë. Ne kemi te panairi i zejeve, ku të gjithë nga të gjitha trevat kanë ardhur që të ekspozojnë punimet e tyre, do kemi ekspozitat e pikturës, të Elbasanit të vjetër, do ketë një sërë aktivitetesh, do ketë koncert në shesh”, tha Llatja.

Për gazetarin Ronaldo Gjoshi, Llatja thotë se edhe kryeministri Edi Rama do të jetë i ftuar nesër në Elbasan, pasi nesër “sofra do jetë e miqve”.

“Elbasani është i miqve, kemi ftuar dhe kryeministrin, presim miq nga e gjithë Shqipëria, ne sofrën e kemi të shtruar dhe qyteti është i hapur për miqtë”, tha ai.

Edhe Tirana do të ketë shumë organizime për Ditën e Verës, por Llatja thotë se për këtë nuk është xheloz. Megjithatë, shton se për 14 mars, “Elbasani është kryeqyteti i ditës së verës”.

“Nuk jemi xheloz që qytetet të tjera e festojnë ditën e verës, kanë marrë nga traditat tonë, pasqyrojmë dhe traditat e tjera që ndoshta janë venitur. Ne jemi kryeqyteti i ditës së verës, këtë nuk e negociojmë”, shtoi Llatja.

Nga ana tjetër, ai zgjodhi që të mos bënte asnjë koment sa i përket zgjedhjeve të 14 majit, nëse do marrë besimin për një mandat të dytë nga kryeministri Edi Rama.

“Nga pasnesër flasim”, përfundoi Llatja në Report Tv.

Mbi 100 aktivitete janë organizuar edhe në Tiranë, nga ato sportive, kulturore por edhe kulinarie. Drejtoresha e Rinsë në bashkinë e kryeqytetit, Iva Beharaj tha se gjithçka do të kulmojë mbremjen e 14 Marsit, me një koncert në Shesin Skëndërbe.

“Do të ketë emra të njohur si Irma Libohova dhe Enisa, një vajzë me origjinë shqiptare. Do të kemi dhe ansamblin e valleve popullore dhe performanca nga të rinj. Të gjithë fëmijët do të kenë mundësi të mësojnë balonat, të pikturojnë, të bëjnë joga. Në krah të bashkisë do të kemi dhe një ekspozitë që vjen nga arkiva e shtetit.  Do të kemi dhe një panair të agroushimoreve dhe punimeve artizanale. Do ketë fusha të ndryshme, që të gjithë të luajnë në disiplina të ndryshme sportive. Në darkë do të ketë edhe një shfaqje me 500 dronë”, tha Iva Beharaj, drejtore e Rinisë në bashkinë e Tiranës.

Nga ora 08.00 deri në orën 16.00 të ditës së nesërme do bllokohen disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit, si  Bulevardi "Dëshmorët e Kombit” te Ministria e Brendshme deri në fillim të “Ish Hotel Dajti", rruga "Ismail Qemali", "Gjergj Filipi", I gjithë sheshi "Nënë Tereza" , "Myslym Shyri”.   

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bobi: 13/03/2023 15:21

    Ik more kokrra e Rames. Ty te shkelyen jo 1 here po disa here ne zyre bandat e banditet qe te zgjedhin dhe as dhe doreheqjen e as pate sume ti denoncoje.Por si kokrra e Rames qe je vazhdon dhe i mban iso atyre dhe sot. Kot nuk thone te kesh fatin e Rames.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?