Llogaritë e FSHF-së mbeten të bllokuara, gjyqi i radhës më 14 dhjetor! Ekspertët në Report Tv: Duket se s'ka 'dritë në fund të tunelit'! Avokati i familjes Seferi: Federata jep lekët sipas qejfit

6 Dhjetor 2021, 13:57| Përditesimi: 6 Dhjetor 2021, 17:19

  • Share

Gjykata e Tiranës ka shtyrë vendimin me datë 14 dhjetor në lidhje me bllokimin e llogarive bankare të Federatës Shqiptare të Futbollit, që kishte paditur përmbaruesin për një borxh mbi 60 milionë lekësh që klubi i Tiranës i kishte ish-presidentit Metush Seferi. Seanca e radhës me datë 14 dhjetor do të zhvillohet në orën 15:00 në gjykatën e Tiranës. 

Për të diskutuar mbi këtë situatë të krijuar në Report Tv është zhvilluar debati mes gazetarit Tami Kona dhe ekspertit të sportit, Artan Shyti.

Gazetari Kona ka thënë se kjo është një situatë që për shkak të veprimeve apo mosveprimeve edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit ka degjenuar në një moment ku nuk shihet dritë në fund të tunelit.

"Unë e shikoj këtë situatë pa dritë në fund të tunelit.  Tirana ka pasur probleme me llogaritë por në banka e gjen kollaj gjurmën se ku kanë shkuar paratë. Alban Seferi ka pasur një bisedë drejtpërdrejtë me z. Halili dhe pastaj FSHF-në për lëvrimin e një shifre prej 65 mijë eurosh në llogarinë e tij që federata i detyrohej Tiranës për të drejtat televizive", tha ai, duke nënvizuar se "mua më vjen keq që Federata e licencon klubin edhe pse ka kaq shumë borxhe".

Ndërkohë që eksperti dhe profesori Shyti ka thënë që duhet bërë gjithccka që ngjarje të tilla të mos ndodhin më në të ardhmen.

"Jemi përballë faktit që ka një çështje që ka shkuar në përmbarim. Është një detyrim që Halili e ka mbartur për sipër kur mori Tiranën dhe duhet ta shlyej. Duhet të marrim masa që situata të tilla të mos përsëritën më", tha Shyti.

Të pyetur nga gazetari i Report Tv, Andi Kapxhiu, mbi Ligën Profesioniste të Futbollit të ftuarit thanë se kjo ligë nuk ekziston në kuptimin që duhet të jetë.

"Liga është një shoqatë e klubeve të një niveli që bëhen bashkë për menaxhimin e një aktiviteti. Grupim klubesh. Duhet të jetë e regjistruar në gjykatë, unë skam parë dokument në këtë drejtim. Realisht nuk ka. Liga është institucion që krijon autonomi nga federate, krijon fonde etj. Unë nuk shoh konkretisht diçka të tillë", tha Shyti.

"Në momentin që klubet e marrin vetë menaxhimin e Ligës, do të jetë pozitive por kurrsesi nën ombrellën e Federatës Shqiptare të Futbollit", tha Tami Kona.

Në fakt, Federatës Shqiptare të Futbollit i janë bllokuar llogaritë bankare me dyshimin se i ka dërguar lekët e UEFA-s në llogari të tjera të klubit Tirana për të shmangur që paratë t’i marrë përmbaruese privat duke qenë se llogaritë zyrtare të Tiranës janë të bllokuara pas humbjes së një gjyqi.

Përmbarimi i thotë FSHF se 1 mln euro që do i kalojnë Klubit të Tiranës nga nga UEFA pasi kaloi dy ture në Champions dhe arriti deri në “play off” të Ligës së Europës dy vite më parë, një pjesë e tyre, mbi 60 milionë lekë duhet të shkojnë në llogaritë e përmbaruesit privat Engjëll Muskaj, i cili është i ngarkuar të zbatojë vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit lidhur me gjyqin që klubi i Tiranës ka pasur me ishe presidentin e ndjerë Metush Seferi. Sipas vendimit të formës së prerë të gjykatës, Klubi Tirana i detyrohet Metush Seferit mbi 60 milionë lekë.

Në dokument përmbaruesi thotë që FSHF si palë e tretë e ka detyrimin që këtë shumë prej mbi 60 mln lekësh, pjesë e parave të marra nga UEFA të mos ia kalojë Klubit Tirana, por përmbaruesit. FSHF nuk e ka zbatuar këtë kërkesë, dhe paratë nuk i ka kaluar as Klubit Tirana pasi i ka llogaritë e bllokuara me vendim gjykate, por i ka kaluar në llogari të ndryshme të familjes së presidentit Refik Halili, duke ndjekur një rrugë anti ligjore dhe bërë një skandal.

Përfaqësues i FSHF në këtë gjyq ndaj përmbaruesit është Aldi Topçiu, Shefi i Zyrës Juridike në FSHF.

Ora 16:12
Llogaritë e bllokuara të FSHF-së, avokati i familjes Seferi: Federata i shpërndan lekët sipas dëshirës, shmang ligjin

Përkundër dy përgënjeshtrimeve se nuk i ishin bllokuar llogaritë bankare, Federata shqiptare e futbollit doli zbuluar, teksa mori pjesë në seancën e parë gjyqësore, në procesin kundër Përmbarimit. E përfaqësuar me juristin Aldi Topçiu, Federata në nisje të seancës paraqiti të njëjtat dokumente që kish publikuar më parë në media, se transaksionet bankare të lekëve të UEFA-s i kishte bërë në llogari zyrtare të Klubit të Tiranës.

“Si ka mundësi që federata bëhet pjesë e transfertave të parave? Ajo është thjeshtë distrubutore. Ajo vetëm t’ia kalojë klubit paratë që vijnë nga UEFA dhe të drejtat televizive. Nuk ka asnjë të drejtë që t’i shpërndajë paratë sipas mënyrës që ajo mendon,”-deklaroi Arben Hakani, avokat i familjes Seferi.

Ndërkohë përmbaruesi i hedhur në gjyq nga FSHF, pas bllokimit të llogarive thotë se Federata asnjëherë nuk i ka vendosur në dispozicion transaksionet bankare që ka bërë me klubin e Tiranës.

“Kontraditat mes palëve janë të forta për shkak se ne kemi kërkuar herë pas here informacion në lidhje me fondet që klubi i Tiranës kishte për të marrë nga Tirana por asnjëherë nuk na janë vendosur në dispozicion,”-u shpreh Altin Latifi, përmbaruesi.

Seanca e radhës në procesin ku FSHF ka paditur përmbaruesin për bllokimin e lologarive bankare do të mbahet me 14 dhjetor. Llogaritë e federatës shqiptare të futbollit vijojnë të jenë të bllokuara që prej datës 10 nëntor, për shkak se përmbaruesi kërkon të ekzekutojë një vendim që detyron klubin e Tiranës të paguajë një gjobë mbi 600 milion lekë për ish-presidentin Metush Seferi, nëpërmjet të ardhurave që derdhen në klubin kryeqytetas nga federata.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?