Aktivistja Evi Kokalari ka bërë një tjetër reagim lidhur me lobimin 6 milionë dollarësh të PD në SHBA.
Në një reagim në rrjete sociale, ajo shkruan se referencat nga ana e demokratëve se fondacioni i Nuredin Seçit, i cili del si garantor në kontratën lobuese, si një fondacion patriotësh është një ofendim i madh për të gjithë komunitetin shqiptar në SHBA, për mundin dhe djersën që kanë hequr ata atje.
Sipas saj, në fakt, ky fondacion është një "lavatriçe" e lekut të korrupsionit dhe nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët në SHBA.
"T'i referohesh fondacionit të Nuredin Seçit si fondacion 'patriotësh' është një ofendim shumë i madh për të gjithë komunitetin tonë në Amerikë, sepse ne të gjithë e kemi vuajtur jetën e emigrantit në kurriz përpara se të çoheshim në këmbë dhe të ishim në gjendje të ndihmonim Shqipërinë. Fondacioni i Nuredin Seçit është lavatriçe e lekut të korrupsionit që vjen nga Shqipëria dhe nuk ka asgjë të përbashkët me ne që luftojmë pikërisht këtë absurditet 33 vjeçar!!", shkruan Kokalari.
“Make Albania Great Again”, fondacioni që ka marrë përsipër të mbulojë deri 6 milionë dollarë, pagesa për lobimin e partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara, është vetëm një organizatë e familjes së Nuredin Secit.
Akti i themelimit të Fondacioni, i bërë publik nga Report TV, dëshmon se në fakt, të vetmit themelues janë anëtarët e familjes Seci: shqiptaro amerikani nga Tropoja, Nuredin Seci, gruaja dhe djali i tij. Nuredin Seci ka dhe të njëjtën adresë me atë të Fondacionit.
Komente
