Politikë

Lobimi 6 mln dollarësh i PD/ Lapardhaja: Problem politik, ligjor dhe moral i partisë! Padrejtësia e ‘non gratës’ që pretendon Berisha s’mund të zgjidhet me një korrupsion më të madh

2 Maj, 14:31| Përditesimi: 2 Maj, 14:39

  • Share

Politologu dhe analisti Namir Lapardhaja thotë se publikimi i kontratës 6 milionë dollarëshe së PD me kompaninë lobuese në SHBA pak ditë para zgjedhjeve, nuk është vetëm një problem ligjor dhe politik por edhe moral i kësaj partie, e cila ka “luajtur” shumë me kauza të tilla. Në një intervistë për Report TV, ai tha se PD, si një parti që synon pushtetin, tregoi se nuk është e vërtetë ashtu siç pretendon. 

“Problemi i kontratës së lobimi 10 ditë para zgjedhjeve përveçse është një problem që i takon drejtësisë për ta zgjidhur. Është edhe politik që do të duhet ta vlerësojnë njerëzit. Por në gjykimin tim është edhe problemi moral i PD, e cila në kohët e fundit ka pasur mjaft probleme me të vërtetën. Një parti që synon pushtetin, opozitë që synon një maxhorancë të korruptuar duhet të jetë e vërtetë dhe të ketë kauzë morale, të cilën PD e Berishës edhe me këtë kontratë lobimi vërteton të kundërtën. PD pretendon se s’ka probleme me SHBA, se non grata e Berishës ka rënë ndërkohë që i duhet të marrë një avokat për hallin personal të Berishës. Se aty nuk bëhet fjalë për çështjen e non gratës dhe vizitës së mundshme të Berishës pak ditë para zgjedhjeve, por bëhet për këtë person dhe jo problematikën e PD si parti në vetvete.”, u shpreh analisti. 

Sipas tij, kontrata lidhet drejtpërdrejt me Sali Berishën dhe hallin personal të tij, non gratën nga SHBA. Ai thotë se PD ndodhet në këtë ngërç vetëm prej shkakut të Berishës. 

“Kjo është një kontratë që ka lidhej thellësisht me Berishën. PD pa Sali Berishën në krye dhe hallin personal të tij s’do të kishte asnjë problem qoftë me SHBA, BE dhe Britaninë. Pra është Berisha që e ka futur në këtë ngërç PD. Nëse PD ka pretenduar se shpallja  non grata është çështje lobimi, kjo lloj padrejtësie dhe amoraliteti s’mund të zgjidhet me një korrupsion edhe më të madh. Se do të dalë nesër edhe një tjetër i shpallur non grata, fjala vjen si Tom Doshi dhe të paguajë shumë më shumë se PD. Përtej asaj çfarë thotë PD dhe a funksionon kjo, tregon për një ngërç të thellë moral dhe politik të kësaj partie politike.”, shtoi analisti. 


Politologu tha se përtej asaj që tha Berisha një ditë më parë, patriotët shqiptarë nuk mund të  mbledhin kurrë një shumë kaq të madhe për një person, pasi edhe kur ra tërmeti shkatërrimtar, emigrantët e SHBA arritën të mblidhnin rreth 1.2 milionë dollarë. 

“Pavarësisht asaj që thotë Berisha, është e qartë se janë para të krijuara në rrugë informale, të zezë ose janë dhurime nga oligarkët që janë pasuruar nga Rama ndërkohë që bëjnë dhurata për Berishën në opozitë, ose janë para të vetë familjes Berisha që duhet të gjejë një justifikim për atë veprimin që ka kryer. Në këtë rast është përgjegjësi e atij që ka firmosur. I takon drejtësisë të japë një verdikt për këtë çështje”, shtoi politologu. 

Sipas tij, mburrja me këshilltarin amerikan Chris LaCivita do t'i bëjë më shumë dëm PD sesa mirë. Analisti tha gjithashtu se kur një partie i humbet legjitimiteti në vend, tenton të përdorë figura ndërkombëtare sikur ka mbështetje, dhe se të njëjtën gjë po bën edhe Berisha. 

"Edhe LaCivita për shkak të punës dhe funksionit të tij, puna e tij duhet të ishte shumë diskrete. Vetëm Berisha duhej të nxirrte një amerikan përpara atje dhe ndihet edhe i bezdisur se më duan mua në krye, ndërkohë që asnjë nga udhëzimet dhe strategjitë e tij nuk ndiqet. Po të shohësh strategjinë e PD është kaotike, si flet njëri në Elbasan nuk flet tjetri në Librazhd. E kanë marrë LaCivitan për të thënë kemi Amerikën në krah ndërkohë që as LaCivita s'e përfaqëson Amerikën dhe askush nuk ka mbështetës zyrtarë nga politika evropiane apo e SHBA. Ka të bëjë me humbjen e legjitimitetit brenda vendit, kështu e kërkojnë te ndërkombëtarët ndërkohë që BE dhe Amerika kanë halle dhe problematika të tyre. Ata flasin përmes raporteve", shtoi mes të tjerash analisti.
 

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?