Në javën e tretë të tetorit Tirana do aplikojë për të qenë vitin e ardhshëm kryeqyteti Europian i Sportit. Me qëllim lobimin për ta fituar këtë titull kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj organizoi një tavolinë të përbashkët me sportistë shqiptarë, kampionë Europe dhe Bote, por nuk munguan as presidentët e federatave sportive. Kryebashkiaku tregoi edhe arsyen përse Tiranës i duhet ky titull.
“Shumë njerëz më pyesin pse na duhej titulli Kryeqyteti Europian i Rinisë. Mund t’i kishim bërë aktivitetet edhe pa këtë titull. Por, është prestigj për qytetin, një stimul, një mënyrë si marketohet emri i qytetit,”-u shpreh Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës.
Në rast se Tirana ia del të shpallet kryeqyteti Europian i Sportit për vitin 2023 Veliaj premtoi edhe dy investime të mëdha.
“Ne do fillojmë punimet për Pallatin e ri të Sportit “Asllan Rusi”; të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me stadiumin “Selman Stërmasi” sepse besoj se është shumë herë më e mirë që të kemi një hapësirë, siç është Arena Kombëtare, por nuk mjafton për të gjitha aktivitetet e qytetit, ekipet dhe skuadrat që janë shtuar,”-tha Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës.
Titulli “Qyteti Europian i Sportit 2023” jepet për qytete të ndryshme europiane nga institucioni ACES EUROPE, pranë Komisionit Europian në Bruksel. Disa nga qytetet që e kanë marrë këtë titull janë: Getafe, Bilbao, Firence, Leuven, Setubal e Braga në Portugali si dhe Nice e Pau në Francë.