‘Loja e vjetër’/ Gjyqtari Markelian Kuqo i shpëton 5 herë KLGJ-së për lirimin Gerd Gjeneralit nga burgu përjetë

20 Nëntor 2020, 16:38| Përditesimi: 20 Nëntor 2020, 19:44

  • Share

Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk po arrin të marrë një vendim për fatin e gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo, i cili liroi Gerd Gjeneralit (Gjinarari), i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Në 30 korrik të këtij viti, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, i ka kërkuar KLGJ shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Kuqo, i cili akuzohet se ka liruar nga burgu një person me rrezikshmëri shoqërore, duke shkelur ligjet. Në 17 shtator 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të caktonte datën 2 tetor për të zhvilluar seancën dëgjimore me gjyqtarin Kuqi, për të marrë më pas një vendim.

Në vijim, gjyqtari Markelian Kuqo kishte paraqitur një kërkesë në KLGJ për shtyrjen e seancës dëgjimore me datë 14 tetor 2020. Kërkesa u pranuar nga KLGJ në mbledhjen e datës 2 tetor 2020. Në mbledhjen e datës 14 tetor 2020, u paraqitën gjyqtari Kuqo dhe Metani në KLGJ, ku parashtruan pretendimet e tyre. Kuqo, lexoi për më shumë se dy orë pretendimet e tij, duke e konsideruar kërkesën për shkarkim si të pabazë dhe me prapavi politike. Megjithëse seanca zgjati mbi 3 orë, KLGJ nuk e mbylli dot këtë fazë procedurale.

Këshilli vendosi të shtyjë seancën dëgjimore për datën 21 tetor 2020, me qëllim shqyrtimin me objektivitet dhe paanësi të provave dhe fakteve të paraqitura nga gjyqtari dhe për të vendosur për vijueshmërinë e procesit. Në mbledhjen e datës 21 tetor, Këshilli vendosi të shtynte seancën dëgjimor në datën 5 nëntor 2020 për seancën e radhës, “me qëllim dhënien e mundësisë palëve të njihen me dokumentacionin e dosjes personale të magjistratit”.

Në seancën e datës 5 nëntor 2020, gjyqtari Markelian Kuqo nuk u paraqit në KLGJ, me pretendimin se bashkëshortja e tij dhe përfaqësuesja e tij ligjore, dyshoheshin me simptome të covid-19. Në një e-mail që i ka dërguar KLGJ, gjyqtari ka shkruar se bashkëshortja dhe avokatja kanë bërë analizat mjekësore dhe se po prisnin rezultatin. Në këto kushte, KLGJ caktoi datën 12 nëntor 2020, për zhvillimin e seancës dëgjimore me gjyqtarin. Në seancën e 12 nëntorit, gjyqtari Kuqo nuk u paraqit sërish në KLGJ.

Në orën 10:00 të 12 nëntorit 2020, gjyqtari i ka dërguar një e-mail se që nga data 10 nëntor ndodhej i karantinuar familjarisht pasi është vërtetuar prezenca e virusit covid-19 në familje. Për këtë arsye, gjyqtari ka kërkuar shtyrjen e seancës pa afat. Nga shqyrtimi i dokumentacionit, KLGJ ka konstatuar se nga covid-janë prekur vetëm bashkëshortja dhe avokatja, por jo gjyqtari. Megjithatë, Kuqo ka pohuar se është karantinuar si familje. Në këtë kushte, KLGJ vendosi shtyrjen e seancës dëgjimore për datën 26 nëntor 2020.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, pretendon se gjyqtari ka vepruar me dashje dhe në mënyrë të vullnetshme për vendimet e tij duke liruar padrejtësisht nga burgu Gerd Gjinararin. Gjyqtari Kuqo liroi nga burgu në 14 shkurt 2019, Gert Gjinararin, miku i Arben Grorit, i njohur ndryshe si "Gjenerali". Gert Gjinarari ishte dënuar me burgim të përjetshëm si bashkëpunëtor me Arben Grorin në vrasjen e bujshme të Naim Zyberit në Itali.

Markelian Kuqo dhe Gerd Gjinari

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?