Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave rrëzoi dje dekretin e Presidentit Ilir Meta i cili më herët riktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për "Lojërat e Fatit". Por sot Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe ka sqaruar edhe njëherë arsyet e rrëzimit të dekretit. I qartë në qëndrimin e tij, Braçe është shprehur se dekreti i Presidentit materialisht ishte i vërtetë por në përmbajtje i rremë.
“Dekreti i Presidentit materialisht ishte i vërtetë por në përrmbajtje ishte i rremë. Kemi marrë leje të flasim për thelbin e ligjit. Meqë kam lexuar edhe deklaratat politike, dua të sqaroj se ligji për tatmin mbi të ardhurat ka në thelb uljen e tatim fitimit për biznesin e vogël, për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor e blegtoral dhe uljen e tatim fitimit për të gjithë sektorin e agroturizmit”
Erjon Braçe
Braçe i kujton Kreut të Shtetit votimin e vitit 2015, ku sipas tij, Meta dhe LSI asokohe në koalicion në qeverinë ‘Rama 1’ votuan pro këtij ligji, ndërsa tashmë kreu i shtetit e kthen.
“Pjesa tjetër e ligjit është e vjetër kur presidenti i Republikës përfshi dhe grupin parlamentar të LSI me Petrit Vasilin në krye kanë votuar pro këtij ligji”
Erjon Braçe
Në një reagim për Report Tv lidhur me mungesën e përfaqësuesve të Presidencës gjatë shqyrtimit të dekretit te Ekonomia, Tedi Blushi, zëdhënësi i presidentit Ilir Meta u shpreh se Presidenca nuk ishte njoftuar nga Kuvendi për shqyrtimin e ligjit, ndonëse Kreu i Shtetit nuk lëvizte nga qëndrimet e tij.
Po dje, edhe ministri i Finacave Arben Ahmetaj gjatë dëgjesës në Komisionin e Ekonomisë u shpreh se Presidenti Meta ishte informuar gabim në lidhje me ndryshimet në ligjin për "Lojërat e Fatit".