Davide Lacerenza dhe Stefania Nobile

Bota

Prostitucion në lokalin e njohur në Milano, media italiane: Pronari dhe mashtruesja ‘seriale’ i pastruan në Shqipëri 80 milionë eurot e përfituara nga veprimtaria kriminale, i çuan me Lamborghini

5 Mars, 21:17| Përditesimi: 5 Mars, 22:12

  • Share

Një hetim i madh nga autoritetet italiane ka zbuluar një rrjet të gjerë të prostitucionit, trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave, me qendër lokalin e njohur të natës “Gintoneria” në Milano.

Pronari i tij, Davide Lacerenza, së bashku me Stefania Nobile, janë nën akuzë për një sërë veprash të rënda kriminale, përfshirë dërgimin e shifrave të mëdha të parave të pista drejt Shqipërisë.

Sipas Corriere della Sera, një nga pistat më shqetësuese të hetimit lidhet me një skemë të mundshme të pastrimit të parave me destinacion Shqipërinë. Në një video të publikuar në Instagram, Davide Lacerenza, duke iu referuar një udhëtimi të Stefania Nobile dhe Wanna Marchi në Shqipëri me një Lamborghini Urus, flet për “80 milionë euro cash në bankë”.

Një përgjim tjetër i regjistruar më 5 maj 2023 përforcon dyshimet e prokurorisë: Lacerenza përmend drejtpërdrejt paratë që supozohet se janë transferuar nga Wanna Marchi drejt Shqipërisë. Autoritetet italiane po hetojnë nëse këto para janë rezultat i aktivitetit të paligjshëm të organizuar në “Gintoneria”, ku klientëve u shiteshin jo vetëm shampanjë dhe shërbime eskortash, por edhe drogë e klasit të lartë, përfshirë kokainën rozë të njohur si “tusi”.

Hetimet kanë zbuluar se Lacerenza dhe bashkëpunëtorët e tij përdornin një metodë të sofistikuar për të rritur fitimet e lokalit. Klientët, shumë prej të cilëve ishin të gatshëm të shpenzonin mijëra euro në një natë, furnizoheshin me drogë falas për t’i bërë më të “çliruar” dhe të gatshëm për të shpenzuar më shumë në alkool dhe shërbime eskortash.

Në një nga përgjimet, Lacerenza i tregon Stefania Nobile për një klient që kishte paguar 500 euro për një eskortë, ndërsa ai vetë i kishte faturuar edhe shishet e shampanjës. Ajo e aprovon skemën duke i thënë: “Ke bërë mirë.”

Një influencuese e njohur, e pranishme në një nga këto festa, u regjistrua duke marrë kokainë të ofruar nga vetë Lacerenza. Në përgjimet e prokurorisë, ai dëgjohet duke i thënë: “Pipa është gjithmonë falas.”

Përveç festave të shfrenuara në lokalin e tij, Lacerenza kishte ngritur një sistem të tërë dërgesash në shtëpi, ku eskortat dhe droga shpërndaheshin si një shërbim “VIP”. Në një nga bisedat e regjistruara, ai dëgjohet duke i thënë një klienti: “I dërgova pesë putana në shtëpi, zbrit poshtë dhe merrni.”

Në një tjetër episod, ai përshkruan një klient që kishte marrë një vijë kokaine 20 cm të gjatë dhe kishte mbetur i shkatërruar. Këto episode tregojnë qartë mënyrën se si droga dhe prostitucioni ishin të lidhura ngushtë me biznesin e tij dhe burimin e të ardhurave që tani janë nën hetim për pastrim parash.

Prokuroria ka vënë në shënjestër edhe Stefania Nobile, e cila, pavarësisht se ndodhet në arrest shtëpiak, konsiderohet si një nga figurat kyçe në këtë skemë kriminale. Ajo ishte përgjegjëse për administrimin e financave të aktivitetit, duke u kujdesur që të ardhurat nga droga dhe prostitucioni të përdoreshin për të financuar bizneset e tjera ose të pastroheshin përmes transfereve në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë.

Për momentin, Wanna Marchi nuk është zyrtarisht nën hetim, por përmendja e saj në disa përgjime si personi që ka transportuar para drejt Shqipërisë ka nxitur autoritetet italiane të zgjerojnë hetimet.

Ndërsa hetimet vazhdojnë, autoritetet italiane po punojnë për të zbuluar se si dhe ku janë transferuar paratë e pista të fituara nga aktivitetet e paligjshme të Lacerenza-s. Shqetësimi kryesor i prokurorisë është nëse një pjesë e këtyre fondeve janë investuar në biznese në Shqipëri, duke përdorur sistemin bankar ose rrugë të tjera të pastrimit të parave.

Skandali i “Gintoneria-s” po shkund botën e biznesit të natës në Itali, ndërsa lidhja e tij me Shqipërinë mund ta bëjë këtë rast edhe më të ndërlikuar, duke përfshirë edhe autoritetet shqiptare në hetimet ndërkombëtare për pastrim parash.

Kush është Stefania Nobile?

Stefania Nobile ësht vajza e sh-teleshitëses së famshme italiane, Wanna Marchi. Të dyja u dënuan me nga 9 vjet për mashtrim nga drejtësia italiane, disa vite më parë.

Në vitin 2018, Stefania Nobile, hapi një restorant dhe dyqan në zonën e ish-Bllokut në Tiranë

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ilir: 05/03/2025 21:57

    Futja kot,kane fut cash 80 milion euro ne bankat shqiptare?E pamundur.

    Përgjigju
    • Rili: 06/03/2025 08:09

      Ilir pse habitesh se Shqipëria është vend qudirash kur bankat punojnë pa asifar kontrollit.

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket vendimi i qeverisë për të mbyllur me një vit Tik Tok?