Keir Starmer

Bota

Garë armatimesh në Londër, Starmer përgatitet për konflikt me Rusinë

3 Qershor, 07:02| Përditesimi: 3 Qershor, 07:15

  • Share

Motoja e ditës: Gatishmëria për luftë. Keir Starmer e quan kështu. Domethënë, të jesh gati për gjithçka, edhe për luftën. Atë që Putin e ka nisur në Ukrainë dhe që, pas disa vitesh, mund të përsëritet në një vend të NATO-s, ashtu siç paralajmërojnë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes gjermane Carsten Breuer dhe gjenerali amerikan David Petraeus. Një luftë që mund të na shpërthejë së shpejti në shtëpi. Ndërkohë që ajo hibride e Rusisë tashmë po godet në Perëndim. Nga sulmet kibernetike deri te aktet e sabotimit në Europë, si p.sh. pakot-bombë verën e kaluar dhe shumë episode të tjera të dyshimta.

Pra, nuk ka kohë për të humbur. “Duhet të përgatitemi për të luftuar”, paralajmëroi dje kryeministri britanik në Glasgow, gjatë një vizite në kompaninë Bae Systems, shtylla e mbrojtjes britanike dhe pjesë e projektit të madh për avionin luftarak të gjeneratës së gjashtë së bashku me Italinë dhe Japoninë. “Por duhet gjithashtu të përshpejtojmë inovacionin teknologjik, si në kohë lufte – vazhdoi Starmer – përveç pajisjeve të reja të parandalimit ushtarak dhe mbështetjes më të madhe për NATO-n”. Lideri jep alarmin në ditën e publikimit të Defence Spending Review: një raport për gjendjen aktuale dhe reformat e nevojshme në Mbrojtjen britanike, i besuar ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, George Robertson, ish-këshilltares së Trump-it, Fiona Hill, dhe gjeneralit britanik Sir Richard Barrons.

Raporti është i pavarur, por qeveria laburiste ka premtuar se do ta zbatojë tërësisht. Në të lexohet se aktualisht Mbretëria e Bashkuar dhe forcat e saj të armatosura nuk janë të përgatitura për një luftë të mundshme. Duhet vepruar menjëherë. Nga 62 rekomandimet e raportit, Starmer ka premtuar: 12 nëndetëse të reja me motorë bërthamorë që do të zëvendësojnë flotën aktuale në dekadën e ardhshme; 15 miliardë paund për modernizimin e parandaluesit bërthamor “Trident”; edhe 1.5 miliardë për “prodhimin e vazhdueshëm” të municioneve; ndërtimin brenda vendit të mbi 7000 armëve me rreze të gjatë dhe dronëve; një komandë të veçantë për sfidat “kibernetike dhe elektromagnetike”; investime të fuqishme në inteligjencën artificiale; rritjen e ushtrisë me kohë të plotë nga 73 mijë në 76 mijë ushtarë; +20% rezervistë dhe dhjetëra mijëra veteranë lufte në gatishmëri, për të ndihmuar nëse është e nevojshme.

Një riarmatim kaq i fuqishëm nuk ishte parë në Britani prej dekadash. Sepse raporti dhe Starmer bien dakord në një përfundim të thjeshtë por dramatik: paqja (relativisht) e pas Luftës së Ftohtë ka përfunduar. Tani, të gjithë jemi në një epokë të re luftrash dhe tensioni, dhe një konflikt i drejtpërdrejtë mes Perëndimit dhe një fuqie bërthamore si Rusia – apo edhe Kina – nuk është më i paimagjinueshëm. Sipas Robertson dhe të tjerëve, një nga këto vende armiqësore mund ta nxisë luftën duke sulmuar një bazë ushtarake apo infrastrukturë kyçe në Perëndim.

Prandaj, në këtë botë të re, do të jetë jetike edhe mobilizimi i qytetarëve britanikë. Për të mbrojtur atdheun dhe objektet e ndjeshme, si aeroportet dhe infrastrukturat kritike të vendit, nga sulmet dhe sabotimet e huaja. “Shteti ka për detyrë të mbrojë qytetarët e vet – shpjegon Starmer – por të gjithë duhet të japin kontributin e tyre”. Së shpejti, në këtë kontekst, do të “rekrutohen” edhe rezervistë, vullnetarë dhe qytetarë të zakonshëm. Si në luftë.

Por nuk mungojnë polemikat. Sepse qeveria e Starmer nuk ka sqaruar se ku do t’i gjejë fondet. Ai dhe ministri britanik i Mbrojtjes John Healey e shmangën pyetjen për rritjen e buxhetit të mbrojtjes në 3% të PBB-së përpara vitit 2034, duke mos shkuar më larg se premtimi i vjetër për 2.5% deri në 2027. Vende si Lituania dhe Danimarka reaguan ashpër: “3.5% duhet të jetë minimum”, ashtu siç do të kërkojë së shpejti NATO nga shtetet anëtare. Por Starmer-it i mungojnë 15 miliardë, dhe këto muaj ai ka shkurajtur tashmë sistemin e mirëqenies. Si do ta shpjegojë këtë Sir Keir para britanikëve? Keep calm and carry on. Ose, siç thekson edhe vetë raporti: “Nëse doni paqe, përgatituni për luftë”./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?