Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich

Bota

Londra, sanksione kundër ministrave izraelitë Ben-Gvir dhe Smotrich! SHBA kundër: Të hiqen, nuk i çojnë përpara përpjekjet për armëpushim

11 Qershor, 08:24| Përditesimi: 11 Qershor, 09:11

  • Share

Qëndrim i ashpër i Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera kundër Izraelit, i cili vijon ofensivën në Gaza. Siç njofton ministria e Jashtme, Londra ka vendosur sanksione ndaj ministrave të qeverisë izraelite Itamar Ben-Gvir (Siguria Kombëtare) dhe Bezalel Smotrich (Financat), “në përgjigje të nxitjeve të përsëritura të tyre për dhunë kundër komuniteteve palestineze”. Masat janë marrë bashkë me Australinë, Kanadanë, Zelandën e Re dhe Norvegjinë (dhe janë dënuar nga SHBA), për të “kundërshtuar ata që nxisin urrejtjen” dhe për të kërkuar “veprim të menjëhershëm kundër kolonëve ekstremistë”.

Sanksionet përfshijnë ndalimin e hyrjes në Mbretërinë e Bashkuar dhe ngrirjen e pasurive dhe investimeve në territorin britanik që lidhen me Ben-Gvir dhe Smotrich, dy figura të ekstremit të djathtë në qeverinë e Benjamin Netanyahut. Të dy janë kolonë në territoret e pushtuara në Bregun Perëndimor, dhe prania e tyre është thelbësore për mbijetesën e ekzekutivit. Ashtu si kryeministri, edhe ata janë në shënjestër të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Reagimi i Izraelit ishte i menjëhershëm. Jo ai i Netanyahut, i cili thuhet se ishte informuar paraprakisht nga aleatët perëndimorë dhe që dje qëndroi në heshtje. Ka folur menjëherë vetë Smotrich, i cili gjatë inaugurimit të një kolonie të re izraelite në Bregun Perëndimor shprehu “neveri” për sanksionet: “Do të vazhdojmë të ndërtojmë”. Ndërsa ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, i quajti “skandaloze” sanksionet ndaj dy kolegëve të tij: “Në fillim të javës së ardhshme, qeveria do të mblidhet për të vendosur si të përgjigjet ndaj këtij veprimi të papranueshëm”.

Sipas Londrës, Ben-Gvir dhe Smotrich janë përgjegjës “për kryerjen, nxitjen, promovimin dhe/ose mbështetjen e aktiviteteve që përbëjnë një shkelje të rëndë të të drejtës së njerëzve për të mos iu nënshtruar trajtimeve ose ndëshkimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, veçanërisht akteve të agresionit dhe dhunës kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor”.

Bëhet fjalë për një lëvizje simbolike, por me peshë të konsiderueshme nga ana e Londrës dhe aleatëve të saj. Në javët e fundit, Smotrich ka bërë fushatë kundër ndihmave për Gazën (“nuk duhet të kalojë as një kokërr gruri”), dhe në të kaluarën ka mohuar ekzistencën e palestinezëve si popull dhe ka kërkuar “shkatërrimin total” të Rripit. Ndërkohë, Ben-Gvir ka një histori të gjatë me veprime anti-arabe, ka bërë thirrje për dëbimin e të gjithë palestinezëve nga Gaza dhe është dënuar disa herë për nxitje të racizmit dhe për mbështetjen e organizatave terroriste hebraike si partia Kach, tani e jashtëligjshme.

Por Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër sanksionet e Londrës dhe aleatëve. Këtë e ka shkruar mbrëmë në rrjetin social X sekretari i Shtetit Marco Rubio, duke theksuar se “një masë e tillë nuk i avancon përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të arritur një armëpushim në Gaza, për të kthyer të gjithë pengjet në shtëpi dhe për t’i dhënë fund luftës. Shtetet e Bashkuara – shtoi shefi i diplomacisë amerikane – kërkojnë heqjen e menjëhershme të sanksioneve.”/La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?