Vitet e fundit, duket se të gjithë po flasin për pushime në Shqipëri. Dhe sipas shumë udhëtarëve, viti 2025 është koha ideale për ta vizituar.
Alpet Shqiptare ofrojnë terren të përshtatshëm për ecje në natyrë; brigjet e Adriatikut, të njohura në rrjetet sociale si TikTok, tërheqin vizitorë me ujërat e kristalta dhe peizazhet mahnitëse; ndërkohë, arkitektura e lashtë e vendit lë mbresa të thella. Për më tepër, Shqipëria është dukshëm më e përballueshme se Kroacia, Greqia apo Italia.
Po cilat janë disa nga gjërat më të rëndësishme që duhet të dijë çdo vizitor që vjen për herë të parë në Shqipëri? “Lonely Planet” ka përpiluar një guidë të detajuar, që përfshin gjithçka – nga periudha më e përshtatshme për të udhëtuar, te vendet që ia vlen të vizitohen, e deri te kostot e udhëtimit. Sipas autorit të shkrimit, transporti është një nga hallkat më të dobëta të udhëtimit, ku shpesh lëvizja brenda Shqipërisë mbetet sfiduese për vizitorët, për shkak të mungesës së transportit publik të organizuar dhe vështirësive që lidhen me qiranë e makinave.
Kur duhet të udhëtoj në Shqipëri?
Prirja e europianëve me pushimet në plazh dhe biletat e lira e kanë kthyer Ksamilin dhe Sarandën në destinacione tepër të mbipopulluara nga qershori në shtator. Nëse doni më shumë qetësi, planifikoni udhëtimin në maj, edhe pse uji do të jetë i ftohtë. Më mirë akoma, udhëtoni nga shtatori deri në dhjetor, kur moti është ende i mirë dhe vizitorët më të paktë.
Nëse shkoni gjatë dimrit, qëndroni në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, ku mund të ngroheni nëpër baret dhe restorantet me atmosferës të veçantë, si Komiteti, që ofron shumë lloje të ndryshme rakie. Në pjesën tjetër të vendit, shumë aktivitete mbyllen gjatë muajve të ftohtë.
Sa kohë duhet të qëndroj në Shqipëri?
Nëse keni vetëm një fundjavë në dispozicion, fluturoni për në Korfuz Greqi dhe kaloni me traget në Sarandë për të përjetuar Rivierën Shqiptare. Ose zgjidhni Tiranën për të shijuar ushqimin dhe atraksionet historike të kryeqytetit.
Nëse keni kohë për një udhëtim me makinë, mund të vizitoni disa nga pikat kryesore të vendit, si Tirana, një nga plazhet në bregdet dhe qytetet muze si Berati apo Gjirokastra, brenda një jave. Planifikoni më shumë kohë nëse doni të vizitoni Alpet Shqiptare ose nëse do të përdorni transportin publik, i cili është shpesh i ngadaltë dhe jo i besueshëm.
A është e lehtë të udhëtosh brenda Shqipërisë?
Shqipëria ka vetëm një aeroport ndërkombëtar, Aeroportin e Tiranës. Por nëse destinacioni juaj është një nga plazhet e jugut, është më e lehtë të fluturoni për në Korfuz dhe të kaloni me traget për në Sarandë.
Brenda vendit, lëvizja nuk është e thjeshtë. “Furgonët”, mikrobusë të vjetër që lidhin qytete të ndryshme, nuk kanë orare të caktuara dhe shpesh prishen.
Më e përshtatshme është lëvizja me makinë, edhe pse ka disa paralajmërime. Shoferët në Shqipëri njihen për stil të shpejtë dhe agresiv, shpesh në automjete Volkswagen ose Mercedes. Megjithatë, rrugët kryesore janë të mira dhe, për sa kohë shmangni rrugët rurale të dëmtuara, nuk do të keni shumë probleme.
Qiraja e makinave është një tjetër sfidë. Agjencitë ndërkombëtare janë të shtrenjta dhe ndodhen vetëm në aeroportin e Tiranës. Kompanitë vendase janë më të lira dhe operojnë jashtë aeroportit, por zakonisht kërkojnë pagesë në cash ose me transfertë bankare, që do të thotë se nuk mund të përdorni siguracionin që ju ofron karta juaj e kreditit.
Çfarë nuk duhet të humbisni në Shqipëri
Shijoni bregdetin shqiptar
Ksamil është plazhi më i famshëm, por edhe më i shtrenjtë dhe i mbipopulluar, sidomos gjatë verës, ndonjëherë nuk gjen as vend për të shtruar peshqirin. Udhëtoni më në veri për plazhe më të qeta në zonën e Himarës dhe Dhërmiut, dhe rezervoni një varkë drejt plazheve “sekrete” që nuk janë të arritshme me makinë. Nëse shkoni në Ksamil, mos humbisni Butrintin, një qytet mahnitës greko-romak, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Shëtitje nëpër baret e Bllokut në Tiranë
Gjatë diktaturës komuniste (1946–1991), Blloku në Tiranë ishte zonë e ndaluar për publikun, vetëm për zyrtarët e partisë. Pas rënies së regjimit, portat u hapën dhe Blloku u shndërrua në një nga zonat më të gjalla të qytetit. Kafenetë dhe baret plot gjelbërim rreshtojnë rrugicat dhe ka edhe shumë klube.
Vizitoni qytetet muze Berat dhe Gjirokastër
Për arkitekturë të mrekullueshme, shkoni në qytetet muze të Shqipërisë, të njohura nga UNESCO. Në Berat, eksploroni kalanë madhështore mbi kodër dhe ecni nëpër rrugicat prej guri. Mos humbisni pamjen nga ura që ofron këndin më të mirë për të parë “dritaret e qytetit”.
Në Gjirokastër, arkitektura është po aq mbresëlënëse. Ngjituni në kodër për të parë shtëpitë karakteristike me çati prej guri dhe kalanë e qytetit. Nën tokë, eksploroni bunkerët e periudhës komuniste, njëri prej tyre ndodhet pranë bashkisë.
Sa para më duhen në Shqipëri?
Shumica e vendeve nuk pranojnë pagesa me kartë. Ju mund të tërhiqni lekë nga bankomatet (zakonisht me komision të lartë) ose të shkëmbeni para në pika të këmbimit valutor.
Krevat në hostel: 1500 lekë
Dhomë e thjeshtë për dy persona: 5000 lekë nata
Apartament me vetë-shërbim (edhe në Airbnb): 5000 lekë nata
Biletë autobusi në Tiranë: 40 lekë
Autobus ndërqytetës (Sarandë–Tiranë): 1600 lekë
Kafe: 100–200 lekë
Sanduiç: 600 lekë
Darkë për dy persona: 2000 lekë
Birrë në lokal: 300 lekë
A është e sigurt Shqipëria?
Pavarësisht paragjykimeve, Shqipëria është një vend i sigurt. Vjedhjet janë të rralla dhe krimet e lidhura me rrjete kriminale shqiptare në vendet e tjera nuk ndikojnë aspak në përvojën e një vizitori të zakonshëm.
A është Shqipëria një vend fetar?
Shumica e shqiptarëve identifikohen si myslimanë, por rrallëherë do të shihni shfaqje të hapura të fesë si veshje tradicionale. Në qytete do të gjeni shumë xhami, por edhe shumë kisha.
Megjithëse Shqipëria ka një shoqëri mjaft laike, është e përshtatshme që të visheni me kujdes jashtë Tiranës dhe plazheve. Nëse vizitoni një xhami, mund t’ju ofrojnë veshje mbuluese, por merrni me vete diçka për çdo rast.
A ia vlen të vizitoni Kosovën gjatë qëndrimit në Shqipëri?
Vizita në Kosovë, fqinjin e Shqipërisë, është shumë e lehtë dhe në kufi rrallëherë kontrollojnë pasaportën. Të dy vendet janë shumë të lidhura, shumica dërrmuese e popullsisë në të dyja vendet janë shqiptarë, dhe ndarja midis tyre është rezultat i kufijve të përcaktuar nga fuqitë perëndimore.
Në Kosovë do të gjeni shtigje malore më të egra dhe më të bukura, qytetin historik të Prizrenit me shumë vende të shenjta dhe kalatë, si dhe Prishtinën, që gjithnjë e më shumë ngjan me një qytet europian perëndimor./Monitor
Komente
