Sali Berisha, kreu i PD

Opinion

Lorenc Vangjeli: Pse duhet të qëndrojë Berisha në krye të PD-së?

31 Maj, 15:48| Përditesimi: 31 Maj, 16:03

  • Share

Zgjedhjet politike janë instrumenti më i mrekullueshëm i demokracisë për të zgjidhur krizat. Për paradoks, Shqipëria hyn në krizë sa herë që mban zgjedhje politike. Kjo simbiozë qesharake është verifikuar në çdo ndeshje elektorale të Shqipërisë postpluraliste.

Pas zgjedhjeve fituesi përpiqet që ta transferojë krizën tek humbësi, kurse humbësi tenton të bëjë pis zgjedhjet për të relativizuar trofeun e fitimtarit. Edhe maji i 2025-ës nuk ndryshoi asgjë. Jo sepse fantazia e palëve nuk mund të shpikë arsye të tjera për krizën që është bërë gjendja natyrale e shoqërisë shqiptare, por sepse çdonjëra nga arsyet e vjetra, edhe veç e veç, mjafton për t’i hedhur benzinë zjarrit të krizës.

Socialistët, më shumë se sondazhet që ju parathoshin fitoren, më shumë se organizimit të tyre si repart elektoral dhe madje edhe më shumë sesa përdorimi i faktorëve joelektoralë dhe pabarazisë së garës që në start e mjeteve të pabarabarta në ndeshje, kishin gjetur qetësi në bindjen se nuk ishte e nevojshme që të fitonin ata.

Mjaftonte të prisnin të humbiste Berisha. Fiks siç edhe ndodhi. Fiks edhe siç e kishte menduar më herët dhe siç e thotë tani publikisht edhe vetë Berisha. Fiks siç e dinin edhe gjithë njerëzit e vijës së tij të parë të frontit, votuesit militantë, indiferentët dhe kundërshtarët e tij.

Vetëm tre javë mbas zgjedhjeve u verifikua në terren se zgjedhjet e majit ishin një formalitet bezdisës, që do të mbylleshin edhe formalisht pa dhënë asnjë zgjidhje të ndryshme. Do të ripërsëriteshin të njëjtët personazhe, të njëjtat probleme, të njëjtat premtime, në të njëjtin ritual të pandryshueshëm për gati dy dekada. Pjesa tjetër mbushet me figurantë nga të dy palët.

Tek socialistët me një grup parlamentar të ndryshuar në një masë tronditëse, emrat rishtarëve nuk thonë asgjë të re. Të zgjedhur vetëm nga humori i Ramës, të varur vetëm nga humori i tij, ata do të vazhdojnë të jenë një numër i ndryshëm serial i të njëjtës pasaportë.

Tek demokratët janë dy kategori. Pjesa dërmuese e deputetëve të rikualifikuar janë sërish shëmbëlltyrë perfekte e Berishës, me të njëjtën pasaportë besnikërie të verifikuar ndaj tij, kurse pjesa tjetër, është e përbërë nga disa personazhe të zhgënjyer në shpresën naive të ikjes së Berishës.

Të paktën një grusht deputetësh të PD-së që gjithashtu e paradinin rezultatin, prisnin që humbja dhe statuti do ta largonte Berishën nga drejtimi i PD-së dhe do të rihapej loja për drejtimin e opozitës. Si një ripërsëritje copy paste tashmë dramatike e komedisë së Bashës në humbjen e 2021-shit.

Sërish siç mund ta parashikohej lehtësisht, ky ishte një hesap i bërë pa të zotin e hanit. Hanxhiu Berisha nuk do të lejojë të hapen dy porta në hanin e tij. Dhe këtu zë fill paradoksi tjetër. Logjika politike tashmë i sheh llogaritë e përmbysura.

Nëse do të kishte qenë një hap i duhur, madje edhe i vonuar largimi i Berishhës nga ambicja e shpallur për t’u bërë kryeministër, qoftë dhe disa muaj përpara zgjedhjeve, largimi i tij tani mbas humbjes, do të ishte një shkak më shumë për transferimin total të krizës brenda PD-së.

Pavarësisht se statuti thotë ndryshe, Berisha është i ndëshkuar të qëndrojnë në krye të partisë së tij, së paku për një periudhë jo të shkurtër tranzitore për të penguar dizintegrimin e partisë së tij.

Llogaria cinike në dobi të opozitës është përputhur kësaj here plotësisht me ambicjet egoiste të Berishës. Për paradoks sërish, është më mirë që humbja e zgjedhjeve të administrohet nga ish-tropojani i ashpër, makiavelisti arrogant Berisha, sesa, fjala vjen, nga Bardhi, kavajasi luftarak, por i paqëndrueshëm apo brishtësia e ndonjë mtonjësi/seje si Tabaku e Këlliçi nga Tirana.

Secili nga ta do të ishte më i dobishëm se Berisha për të drejtuar PD-në përpara garës, por edhe të tre bashkë janë të pamjaftueshëm për të udhëhequr tranzicionin e krizës.

Tani kur të vetët nuk guxojnë as ta mendojnë largimin e tij sipas urdhërimit të statutit, Berisha është i vetmi njeri në PD që mund të garantojë stabilitet. Ai është filli i vetëm që mund të mbajë bashkë goglat e çorroditura. Eshtë më i aftë ta bëjë këtë gjë mjeshtri i ndarjes sesa ata që nuk mund ta bashkojnë dot PD-në.

Edhe pse efekti anësor i këtij operacioni do të jetë sërish dramatik dhe Berisha do të vazhdojë të shërbejë si siguracion full casco për Ramën, fatkeqësisht, kjo është zgjidhja më pak e keqe në këtë ditë të keqe për opozitën. Kështu do të jetë deri në momentin kur krizës së opozitës të fillojë t’i mbivendoset një krizë e re. Kësaj here nga ana e maxhorancës.

Politika është si natyra. Ajo kërkon gjithmonë të vendosë ekuilibër. Ekuilibri i deformuar i 11 majit, do të zëvendësohet, më mirë shpejt sesa vonë, nga një ekuilibër i ri. I ushqyer nga faktorë të papërfaqësuar në Kuvend. Dhe atëhere do të jetë rradha e maxhorancës për të mbajtur frymën në lutjen: Zot, mbaje dorën me kaq…!!!/Javanews

H.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?