Nuk duhej pritur fushata që të kuptohej se ajo do të ishte egërsisht e personalizuar. Shqiptarët edhe njëherë do të noterizojnë vullnetin e dy kryetarëve të partive më të mëdha duke pranuar rreth 90 emrat e parazgjedhur prej tyre në listat e mbyllura dhe do të votojnë për pjesën që do të mbetet. Edhe kësaj here nga veriu në jug do të ketë vetëm dy palë kuti votimi, nga një me foton e Ramës dhe Berishës dhe një kuti të tretë për kusurin e emrave të ekipeve të tyre. Edhe kryeministri, edhe mtonjësi i tij ja kanë dalë t’u imponohen në fillim totalisht militantëve të tyre dhe me ta në krahë, edhe gjithë publikut shqiptar, si zgjidhjet e vetme që i afrohen të nesërmes së vendit.
Rama e ka çuar në skaj personalizimin e ngastrës së tij. Madje siç nuk ka ndodhur kurrë më parë, ka vendosur edhe emrin në sloganin e partisë së tij. “…vetëm me Edi Ramën!’. Në turin e tij nëpër Shqipëri ai ka folur kryesisht në vetë të parë kur përshkruan të nesërmen idilike të vendit me të kryeministër për herë të katërt dhe shënjestron kundërshtarin si skenar apokaliptik që vjen nga e shkuara. Pjesa tjetër është stil personal. “Buf, kënetë, çyryk” e të tjera emërtime të ngjashme veshin fushatën e tij duke mbushur kohën dhe për të mos lënë kohë për atë çfarë do të duhej të ishte një bilanc i ftohtë i qeverisjes. Arsyet janë të shumta, por kryesorja është se për secilën temë që ai do ta përmendte si materie suksesi, kundërshtarët e tij do ta kishin të gatshme antimaterien e disfatës. Nëse do të përmendte 50 e kusur spitalet e rikonstruktuar dhe ndërtuar nga e para, do t’i përmendnin koncesionet e diskutueshme në shëndetësi, nëse do të përmendte mbylljen e kioskave të arsimit universitar, do t’i kujtonin renditjen dramatike në rezultatet e vlerësimit ndërkombëtar të nnënësve, Pisa, nëse do të përmendte qindra kilometrat rrugë të ndërtuara, do t’i bënin hesap çmimet e fryra e korrupsionin, nëse do të krenohej për reformën në drejtësi, do t’i nxirrnin polifoton e shokëve frutangrënës. Apo nëse do të fliste për turizmin e fshatrat e pastër turistikë, do t’i kujtonin shpopullimin e inceneratorët. Kur përmend non-gratën, ia kthejnë me Mc Gonigal.
Edhe në të djathtë është e njëjta simetri ngjethëse. Berisha u prit si mjeti i vetëm për të larguar humbësin serial Basha mbas 2021-shit dhe mbeti në parti si shpresa e vetme për të larguar Ramën. Fillimisht baza e frustruar e partisë dhe më pas edhe elita e saj, nxorrën nga sënduku të njëjtën gunë të vjetër për t’u mbrojtur nga erërat e reja që po fryjnë në botë. Berisha u bë siç ishte, zëri i vetëm dhe portreti unik i opozitës. Ai bëri primaret dhe po ai ndërtoi listën e tij sipas kritereve vetjake që kishte në mendje. Të gjitha premtimet për nesër bëhen po nga Berisha dhe vetëm ai përcakton se çfarë duhet bërë për të mbërritur fitoren. Me një bilanc që vjen nga e shkuara e afërt, ai është po aq vulnerabël sa dhe Rama kur bëhet fjalë për bilance të së shkuarës si garanci për të ardhmen. Sepse sa herë që Berisha flet për krevatin e përbashkët të politikës me krimin, aq herë i kujtojnë se është autor i krimit shtetëror të ekzekutimit të qytetarëve pa gjyq në bulevard, kur flet për korrupsionin, i shfaqen fantazmat e Gërdecit që nuk gjejnë prehje në varr, kur mburret me NATO-n dhe liberalizmin e vizave, e çojnë direkt në kohën kur ushtritë e NATO-s mbërritën në Shqipëri për të na shpëtuar nga marrëzia jonë dhe kur flet për shpopullimin, secili nxjerr librin e shtëpisë për të numëruar ata dhjetra mijëra shqiptarë që ja mbathën nga sytë kombët nga lufta pothuaj civile e 97-ës.
Janë dy çaste në jetën njerëzore në të cilën mund të gabohet vetëm njëherë dhe në mënyrë të pakthyeshme: nëse je i/e virgjër dhe nëse nuk të hapet parashuta kur hidhesh nga avioni. Në politikën shqiptare mund të ngrihesh në këmbë edhe nëse je rrëzuar në humnerë nga majat e pushtetit dhe mund të pranohesh si i/e virgjër edhe mbas orgjive në pushtet e opozitë. Rama e Berisha i kanë provuar të dyja. Secili nga ta, bashkë dhe veç e veç, megjithatë janë imponuar si këmbët e vetme që mbajnë në këmbë partitë e tyre. Madje janë dhe garantët e vetëm të demokracinë.
Pakkush mund të verë bast nëse ky peisazh politik në vend me dy këmbë majtas e djathtas është fat, fatkeqësi apo fatalitet. Por secila nga zgjidhjet e kësaj trileme të trishtuar, e shfaqin demokracinë shqiptare si diçka të varur mes këtyre dy këmbëve në të majtë e të djathtë. Demokracia shqiptare shfaqet kështu si një send që dihet çfarë është, por nuk arrin dot të forcohet; si një send që të gjithë e dinë se ekziston, por që nuk është funksional dhe nuk bën as punën e “Nocit” dhe as hajrin e “Rokut”, siç thonë.
Komente
