Bota

Parada në Uashington dhe protesta në çdo qytet: Trump nxjerr tanket në rrugë dhe përçan Amerikën (FOTO+VIDEO)

15 Qershor, 10:10| Përditesimi: 15 Qershor, 12:52

  • Share

UASHINGTON – Një paradë ushtarake në Uashington për të festuar ditëlindjen e ushtrisë amerikane, por mbi të gjitha atë të presidentit Trump; dhe protesta në gjithë vendin, për të kundërshtuar kreun e Shtëpisë së Bardhë dhe përdorimin personal që ai po i bën forcave të armatosura, duke filluar nga Los Anxhelosi, si edhe të gjitha iniciativat politike që po e shtyjnë Amerikën drejt greminës së autokracisë.

Ishte një ditë distopike ajo që Amerika përjetoi dje, sepse distopik është momenti që po kalon, duke konfirmuar ndarjen dhe paqëndrueshmërinë e paprecedentë të demokracisë më të vjetër të botës moderne. Siç e tregoi edhe sulmi në Minesota, që njollosi me gjak protestën dhe theksoi në mënyrë tragjike rreziqet që i kanosen SHBA-ve.

Protestat e djeshme ishin thirrur nga grupi “No Kings” (“Pa Mbretër”), që siç e thotë edhe emri, synonte të kujtonte rrënjët e kombit amerikan, të lindur nga revolucioni kundër monarkisë kolonizuese britanike. Ato u zhvilluan në mbi 2.000 vende, pa një koordinim të vërtetë politik, por duke u mbështetur në pakënaqësinë spontane të qytetarëve që e shohin te Trump rrezikun e një devijimi autoritar. Shkaqet e pakënaqësisë përfshinin të gjitha vendimet e tij: nga shkurtimet e buxhetit që prekin shërbimet për më të varfrit, te pushimet nga puna të punonjësve federalë, e deri te qëndrimet për imigracionin, dëbimet, sfidat ndaj sistemit gjyqësor dhe atij universitar, dhe kësisoj ndaj vetë Kushtetutës. Më pas, gjithçkaje iu shtua edhe dislokimi i Gardës Kombëtare dhe i marinsave në Los Anxhelos, që u pa si një konfirmim praktik dhe vizual i vullnetit për të pushtuar dhe transformuar vendin me forcë.

Sipas organizatës MoveOn, rreth pesë milionë amerikanë dolën në rrugë me thirrjet “mbrojmë lirinë” dhe “shpëtojmë demokracinë”. Udhëzimi ishte të shmanget dhuna, pikërisht për të mos i dhënë justifikime Trump-it, dhe kjo funksionoi pothuajse kudo, përveç disa incidenteve, si në Atlanta, ku policia përdori gaz lotsjellës për të ndalur një përpjekje për të bllokuar një autostradë. Edhe në Los Anxhelos situata u tensionua sërish, dhe forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën që po i afrohej ndërtesave federale. Ndërkohë në Houston, protestuesit i dhuruan lule policëve, njësoj si në vitet ’60 gjatë protestave kundër luftës në Vietnam. Ndërsa në New York, afër Bryant Park, kishte njerëz që vishnin paruke mbretërore të ngjashme me ato të shfaqjes muzikore “Hamilton”.

Ekstremi i djathtë, ndërkaq, tentoi të përfshihej në protestë, për shembull përmes mesazheve të Proud Boys në Telegram, ku nxitej dhuna dhe jepeshin udhëzime për përdorimin e armëve, me sugjerime si: “Qëlloni dy prej tyre, të tjerët do të ikin në shtëpi.” Këto thirrje vinin nga të njëjtët njerëz që më 6 janar 2021 sulmuan realisht Kongresin, gjë që tregon klimën e urrejtjes që mbizotëron.

Në orët e pasdites, Trump u përgjigj duke treguar muskujt, me një paradë për të festuar 250-vjetorin e ushtrisë dhe 79-vjetorin e tij të lindjes, ku morën pjesë 28 tanke Abrams, 6.700 ushtarë, 50 helikopterë dhe bombardues B-25 nga Lufta e Dytë Botërore, me një kosto të vlerësuar nga Pentagoni mes 25 dhe 45 milionë dollarëve.

“Çdo vend tjetër feston fitoret e veta. Kishte ardhur koha që ta bëjë edhe Amerika. Ne jemi kombi më në modë në botë për momentin”, tha presidenti.

Kritikët e panë paradën si një ngjarje politike, që rastësisht përkonte me ditëlindjen e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Por në fjalimin e tij, Trump tentoi të mbajë një ton patriotik:

“Nëse kërcënoni popullin amerikan, ushtarët tanë do t’ju gjejnë. Forcat e armatosura të SHBA-ve janë më të mirat në botë dhe armiqtë që i kanë sfiduar janë penduar.”

Ai shtoi:

“Ushtria amerikane ka ngulur bajonetat në zemrat e perandorive të liga. Ushtarët tanë luftojnë, luftojnë, luftojnë dhe fitojnë, fitojnë” – duke përsëritur frazën që është kthyer në slogan që prej atentatit që ai pësoi në Butler gjatë fushatës elektorale.

Disa protestues iu afruan paradës duke mbajtur pankarta ku shkruhej: “Faleminderit Ushtri, turp për ty Trump” dhe “Ndalo fashistin tani”. Nuk pati trazira, dhe ngjarja përfundoi me një shfaqje fishekzjarresh.

Edhe në Itali bëjmë një paradë ushtarake, por për të kujtuar lindjen e Republikës, mundësisht të përbashkët. Ligjet amerikane ndalojnë përdorimin e ushtrisë në rrugë, përveç rasteve të vërteta të kryengritjes, pikërisht sepse forcat e armatosura duhet të shihen si një institucion neutral në shërbim të sigurisë së gjithë vendit. Sipas protestuesve të “No Kings”, Trump e ka minuar këtë besim, duke e dobësuar kështu vendin që premton ta bëjë sërish të madh./ La Repubblica

 

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?