Për një koinçidencë të gjërave, u gjenda mbrëmjen e së premtes në një bibliotekë në mes të orizoreve të luginës së lumit “Po”, në jug të Milanos, në Italinë veriore. Me miqtë që më ftuan, vendosëm të bënim në këmbë rreth dy kilometra rrugë, nën yjet që shkëlqënin njësoj si në rrugën time të fëmijërisë, atëherë kur zgjohesha pa gdhirë për të marrë trenin që më çonte përditë drejt Tiranës. E njëjtë ishte edhe aroma e brisktë e ajrit.
“Kush del nga shtëpia në 9 të mbrëmjes, - mendova, - për të dëgjuar në mes të asgjëje, një profesor historie të Universitetit Cattolica, që flet për dy kullat Binjake, për 11 shtatorin?”. Por salla e ngrohtë ishte mbushur plot dhe prof. Paolo Colombo nis rrëfimin.
Bazuar në faktet e mbledhura nga një student i tij, nga dëshmi, video, rastësi, detaje, kryqëzime, për dy orë, mbajti të mbërthyer gjithë ato burra e gra, që jo vetëm nuk pipëtinë, por herë pas here fshinin lotët duke dëgjuar dhe mësuar fakte të reja që askush nuk mund t’i mësojë atëherë kur ngjarjet ndodhin. Dhe mendoni, një Perëndim i tërë, atëherë kur ne ishim ende të izoluar në cepin tonë të Ballkanit, besonin se me rrëzimin e Murit të Berlinit gjithçka do të ishte harmonizuar, paqëtuar e tejkaluar. Por jo! 11 shtatori i 2001 siç historianët më të mirë dinë të na e kujtojnë, është dëshmia se ciklet e monstruoziteteve përsëriten, ndodhin e rindodhin.
Ndaj këta intelektualë të vlefshëm, me punën dhe faktet e tyre, duke çmontuar një për një dhe gjithë fantazitë e konspiracionit, ushqejnë dhe mbajnë zgjuar ndërgjegjet njerëzore. Ja pse kishte aq shumë kuptim ai takim në Bibliotekën e “Cascina Vione”, mbrëmjen e së premtës, mes orizoreve, në Milanon jugore. Dhe profesor Paolo Colombo do ta vazhdojë dëshminë e tij dhe punën skrupuloze të studentit Davide Antonelli në teatrin “Carcano” në Milano e sërish në dhjetëra e dhjetëra biblioteka. Ku të mundet. Siç prezanton në të njëjtën formë me video, fakte, dëshmi, studime e kërkime dhe ngjarje të tjera të historisë njerëzore; si ajo e bombës atomike mbi Hiroshimë, që do ta prezantojë në muajin e ardhshëm në të njëjtën bibliotekë, në mes të orizoreve, në luginën e lumit Po, në jug të Milanos.
Kjo atmosferë qe një impakt pak ndryshe nga ai që kemi ne për historinë tonë, me ngjarjet tona të dhimbshme dhe të rëndësishme, për të cilat nuk kemi dëshirën, durimin, t’i shohim, t’i eksplorojmë, të mësojmë, të kuptojmë, të reflektojmë që të përpiqemi të mos i përsërisim, të mos biem në të njëjtin batak. Ne sot mbyllim sytë, kthejmë kokën, ndryshojmë rrugë, kujtojmë se i njohim mirë ngaqë kemi jetuar shumica në diktaturë, duke harruar se jetuam në errësirë, njësoj si në shpellën e Platonit, ku dinim aq sa zjarri projektonte në shpellë.
Por me siguri, do të vijë natyrshmëm edhe për ne koha që do t’i kushtojmë vëmendjen historisë sonë, atëherë kur të gjithë bashkë të kemi përfunduar së ndërtuari indet e forta të një Shteti që mund të qëndrojë vetë në këmbë, me të gjithë organet e domosdoshme që do ta mbajnë Shqipërinë të shëndetshme dhe shpërfillëse ndaj atyre që sistematikisht e dëmtojnë. Do të ndodhin edhe tek ne "kirurgjitë" historike të ngjarjeve, njësoj si ato dy orë në bibliotekën nën yje, mes orizoreve të luginës së lumit Po.
Te lumte, Alba! Uroj te dalin parashikimet tuaja per te ardhmen e Shqiperise tone, qe nuk pati fat me klasen politike me te cilen nisi rrugetimin drejt shtetit te se drejtes dhe shoqerise demokratike ... Arditi
Përgjigju