Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev

Kosova & Rajoni

LSDM pranon dorëheqjen e Zoran Zaev, më 12 dhjetor mbahen zgjedhjet për kreun e ri të partisë

27 Nëntor 2021, 09:47| Përditesimi: 27 Nëntor 2021, 15:17

  • Share

MAQEDONI E VERIUT- Anëtarët e partisë Lidhja Social Demokrate (LSDM) kanë miratuar dorëheqjen e Zoran Zaevit nga drejtimi i partisë. Shumica e anëtarëve nuk ishin dakord me këtë vendim, madje ata i kishin kërkuar Zaevit tërheqjen e dorëheqjes, por për këtë të fundit dorëheqja ishte parevokueshme pas disfatës që pësoi në zgjedhjet lokale të 31 tetorit.

Nga dita e sotme fillon procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të LSDM-së, ku mund të kandidojnë të gjithë anëtarët që plotësojnë kushtet sipas statutit të partisë. Zgjedhjet do të mbahen më 12 dhjetor, teksa përveç kryetarit do të zgjidhen edhe organet drejtuese të partisë.

“Nga dita e shtunë fillon procedura për organizimin e zgjedhjeve brendapartiake, në të cilat do të mund të kandidojë kushdo që i plotëson kushtet e parapara me statutin e partisë”, ka deklaruar zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Kryetari i ri i partisë do jetë personazhi që ka më shumë mundësi të jetë kryeministri ri i Maqedonisë së Veriut, meqë Zoran Zaev ka paraqitur dorëheqje edhe nga posti i kryeministrit, por ajo ende nuk është miratuar në Kuvend, meqë Zaev së pari synon të sigurojë shumicën parlamentare, të cilën e ka humbur pas largimit nga Qeveria të lëvizjes Besa.

LSDM pësoi një disfatë në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, ç’ka bëri që Zoran Zaev të paralajmëronte dorëheqjen nga posti i kryeministrit, si edhe nga drejtimi i LSDM-së. Kjo parti humbi Shkupin dhe mbi gjysmën e 80 komunave të vendit.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?