Politikë

LSI do të çojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin "Për Bashkëqeverisjen'! Caka: Agjencia e krijuar nuk dallon nga komitetet e dikurshme të partisë

5 Nëntor 2021, 11:56| Përditesimi: 5 Nëntor 2021, 12:33

  • Share

Ligjin që u miratua dje në Kuvendin e Shqipërisë "Për Bashkëqeverisjen", Lëvizja Socialiste për Integrim do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese. Këtë e bëri me dije sot, ish-deputetja e LSI, Silva Caka, përmes një deklarate për mediat.

"Dje, maxhoranca e kapur dhe e inkriminuar, miratoi në seancë plenare antiligjin “Për bashkëqeverisjen”. Ky ligj antikushtetues  dhe antiligjor, tashmë i miratuar në rresht nga deputetët rilindas, ngre një Agjenci e cila është në grushtin e Kryeministrit dhe nuk ka asgjë më pak se komitetet e dikurshme të partisë.

Ngritja e kësaj strukture spiunimi, tregon se shteti ka rënë dhe korrupsioni ka dalë jashtë kontrollit, madje ajo që është akoma edhe më e frikshme është fakti që me këtë ligj antikushtetues, duan të legjitimojnë moskryerjen e detyrave, të vonojnë qytetarët në rivendosjen e të drejtës së cenuar, të kontrollojnë veprimtarinë e pavarur të institucioneve të vetëqeverisjes vendore, si dhe të ushtrojnë presion mbi punonjësit e administratës deri në pikën e shantazhit apo kërcënimit.

Shkelja e rëndë e të dhënave personale, shqetësim madhor edhe I OSBE/ODIHR-it dhe Bashkimit Europian,  në mënyrë të dëshpëruar, kërkon të legjitimohet, pra patronazhistët po synohen të bëhen spiunë të ligjshëm. Por çfarë tregon analiza ligjore e këtij ligji të sapomiratuar: Ky ligj i shpikur nga halli është në konflikt dhe kundërshtim të hapur me disa ligje njëherësh dhe këtu do të përmendja ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, ligjin “Për statusin e nëpunësit civil”, ligjin “Për ndërmjetësimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve” e shumë të tjerë.

Kjo monstër ligjore merr në mënyrë arbitrare rolin e oficerit të policisë gjyqësore, të prokurorit dhe të gjyqtarëve të gjykatave administrative. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje nuk është asgjë tjetër përveçse një organizëm gjobëvënësish shtetërorë, apo më saktë sekserë të gjobave, për të mbajtur gjallë klientelën e Kryeministrit. Lëvizja Socialiste për Integrim ju njofton se me të përfunduar cikli i plotë i hyrjes në fuqi të këtij ligji antikushtetues dhe antiligjor, do t’a padisë atë në Gjykatën Kushtetuese", tha Caka.

Agjencia për dialog dhe bashkëqeverisje" është një platformë e re që është miratuar ditën e djeshme në Kuvend.  Projektligji i miratua që në mbledhjen e parë të Qeverisë në këtë mandat të tretë qeverisës të Partisë Socialiste. Ky ligj përcakton rregullat për bashkëqeverisjen me qytetarët nëpërmjet gjithëpërfshirjes së tyre në politikëbërje, garantimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore. Ligji synon përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje, si dhe ndëshkimin e atyre që shkelin detyrën dhe nuk japin shërbimin e duhur.  Gjithashtu, ligji përcakton mekanizma detyrues për shërbimet publike ndaj qytetarëve e sipërmarrjeve, si edhe sanksione financiare e administrative për zyrtarët që rezultojnë pengues të zgjidhjeve për qytetarët.

( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë Projektligji i Bashkëqeverisjes

Ora 12:29
“Agjencia Për Dialog dhe Bashkëqeverisje”, çfarë parashikon ligji që LSI do të çojë në Kushtetuese

 

Një drejtori e përgjithshme në nivel qendror, e quajtur “Agjencia Për Dialog dhe Bashkëqeverisje” do të kontrollojë gjithë administratën shtetërore dhe bashkëpunimin me qytetarët për t’i ofruar jo vetëm shërbimin e merituar por edhe për t’i përfshirë në politikbërje, në atë që qeveria kërkon ta quajë bashkëqeverisje me qytetarët.

Kështu, veprimtaria e punonjësve të administratës, përveç kontrollit administrativ dhe kontrollit gjyqësor, i nënshtrohet edhe kontrollit të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, në varësi të Kryeministrit.

Qytetarët kanë dritare për të bërë ankesa, për të denoncuar korrupsionin, për të paraqitur nisma individuale të tyret në interes publik, për të paraqitur ide dhe opinione që mund të përmirësonin klimën e biznesit, apo edhe ide për të përmirësuar institucionet arsimore. “Nota ime” është një seksion ku çdo qytetar jep vlerësimin për institucionin shtetëror në varësi të shërbimit që ka marrë, e mesatarja e pëlqimeve do përcaktojë edhe cilësinë e një institucioni. 

Ky ligj i ofron mundësinë edhe qytetarit të zhvillojë “interpelancë” me anëtarë të Këshillit të Ministrave nëpërmjet platformës “Me ty për Shqipërinë që duam”.

Platforma “Me ty për Shqipërinë që duam”  është një bazë të dhënash shtetërore, e organizuar në bazë seksionesh dhe ka si qëllim të jetë një platformë e hapur komunikimi dhe ndërveprimi, për të adresuar në kohë reale çështje të aktualitetit politik e qeverisës. Aty gjenerohet automatikisht baza e të dhënave që administrohet nga Agjencia, nga rastet e ardhura deri në zgjidhjen e tyre,.

Në çdo rast që kjo agjenci ka dyshime, mund të ngrihen grupe pune për hetime të thelluara ndaj punonjësve të administratës, dhe mund të vendosen edhe masa disiplinore për ata funksionarë që Agjencia fakton se kanë shkelur vendimet, nga gjoba e deri në largim nga puna.

3. Çdo person që shkel dispozitat e këtij ligji dënohet me gjobë, si më poshtë:

a) Institucioni i administratës shtetërore nga 10 000 deri në 60 000 lekë;

b) Nëpunësi publik ose titullari i institucionit publik, brenda personit juridik, i cili është përgjegjës për shkeljen nga 30 000 deri në 80 000 lekë.

Agjencia, do të ketë drejtor, koordinator, që do të vendosen pranë institucioneve të administratës shtetërore, me qëllim përmbushjen e detyrave të caktuara nga Agjencia.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?