Politikë

Shkëlqimi dhe rënia e partisë së Ilir Metës! E fortë vetëm pranë pushtetit

7 Qershor, 11:10| Përditesimi: 7 Qershor, 16:10

  • Share

Ishte shtatori i vitit 2004 kur Lëvizja socialiste për Integrim doli në skenë si një zë ndryshe, që premtonte të thyente monopolin e forcave politike tradicionale. Përpara saj, askush tjetër, i shkëputur nga partia mëmë, nuk ia kishte dalë të mbijetonte.

Në sprovën e parë, në zgjedhjet e vitit 2005, LSI, arriti të grumbullojë rreth 115 mijë vota, të cilat i siguruan 5 mandate në parlament.

Ndërsa i rezistoi viteve në opozitë (73,678 vota), sirenat e pushtetit rezultuan të ishin joshëse në 2009-ën. LSI tregoi se ishte e gatshme të thyente çdo tabu e të linte mënjanë ndarjet ideologjike klasike.

Duke shfrytëzuar brishtësinë e shumicës prej 70 mandatesh të Berishës, 4 deputetët e Metës, u bënë përcaktues për qeverinë e ardhshme. Ndërsa për vetë LSI-në, një mundësi e artë për të shtrirë influencën. Pesha e saj pranë pushtetit rritet në mënyrë të shpejtë.

Efekti do të duket qartazi në zgjedhjet e 2013. Meta bën një tjetër lëvizje të fortë. Duke e shitur shtrenjtë pozitën e partisë së tij, largohet nga Berisha pak muaj para zgjedhjeve, për t’i marrë Ramës edhe më shumë hapësira.

Rezultati është befasues: mbi180 mijë vota të përkthyera në 16 mandate. Meta merr postin e kryetarit të Kuvendit, disa ministri dhe dhjetëra drejtori. Një pushtet që i dha asaj famën se tani e tutje do të ishte aktori i padiskutueshëm politik, nga i cili do të varej se nga do të anonte peshorja e fitores, edhe në të ardhmen.

Me këtë famë, të ushqyer dhe me punësime në administratë, kudo ku kishte njerëzit e saj, në 2017, ndonëse garoi e vetme, LSI-ja do të rritet më tej me 45 mijë vota, duke zgjeruar dhe grupin e saj parlamentar, i cili arrin në 19 deputetë.

Zgjedhja e kësaj force politike të konkurronte e vetme, e la atë jashtë tortës së pushtetit. Me Metën tanimë në krye të shtetit, dhe me drejtimin e Partisë që i kaloi Monika Kryemadhit, LSI, do të vuajë efektet e të qenit në opozitë. Miti i saj si Kingmaker, ra e bashkë me të dhe influenca. Dalja nga parlamenti dhe braktisja e zgjedhjeve vendore, bashkë me Partinë Demokratike, do të ishin fatale.

Zgjedhjet e vitit 2021 ishin një goditje e rëndë për LSI-në. Nga 19 mandate në 2017, ajo ra në vetëm 4 deputetë, duke humbur pozitat kyçe në Kuvend dhe në terrenin lokal.  (107538 vota, 6.81 % 4 mandate)

Largësia nga pushteti dhe grindjet e brendshme, në atë që më pas mori emrin Partia e Lirisë, e dërrmuan këtë forcë politike në garën e 11 majit, në të cilat ajo hyri nën ombrellën e PD, dhe me Ilir Metën në burg.

Katër deputetët u siguruan falë përfshirjes në listat e sigurta të koalicionit, ndërsa në realitet, PL preku fundin, me më pak se 27 mijë vota. Një rekord negativ personal edhe për Ilir Metën. Kutia e vetme ku ai mori më shumë vota se të tjerët ishte ajo e burgut, ndërsa në të gjithë Tiranën nuk arriti dot as 8000 vota për emrin e tij.

HISTORIKU ELEKTORAL I ISH LSI (SOT PL)
2005- 5 MANDATE – 114.798 VOTA
2009- 4 MANDATE –   73.678 VOTA
2013-16 MANDATE – 180.470 VOTA
2017-19 MANDATE –  225.975 VOTA
2021-  4 MANDATE –  107.538 VOTA
2025-  4 MANDATE -     26.699 VOTA

G.M./S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjergji: 07/06/2025 14:17

    Ed Ramsin kjo parti e solli ne pushtet, që vazhdon ta mbajë

    Përgjigju
  • dori: 07/06/2025 11:36

    Shkëlqimi dhe rënia e hajdutit kriminel Like Floriri....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?