Stiven Shpendi

'Luaj ku të dojë trajneri', Stiven Shpendi prezantohet te Empoli: Kristjan Asllani më dërgoi 'sms' urimi, u gëzova

8 Gusht 2023, 17:00| Përditesimi: 8 Gusht 2023, 17:04

  • Share

Sulmuesi i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Stiven Shpendi është lojtari më i ri i Empolit në Serie A. 20-vjeçari bëri hapin e madh duke lënë Cesenën në Serie C, teksa megjithë interesin e lartë nga shumë skuadra, zgjodhi Empolin deri në 2025. Përpara medieve në konferencën e prezantimit, shqiptari tha se ishte aty për t'u përmirësuar dhe se luan ku të dojë trajneri. Ish-mesfushori i Empolit dhe lojtari i Kombëtares, Kristjan Asllani e ka uruar Shpendin për kalimin në ekipin e ri.

"Mendimi im i vetëm ishte të vija këtu, pashë se si punojnë me të rinjtë dhe mendova se ishte alternativa më e mirë. Nuk e përkufizoj veten me një rol të saktë në fushë, më pëlqen të ndryshoj. Aktualisht luaj në sulm, por jam në dispozicion të trajnerit. Mund të luaj pothuajse kudo", tha fillimisht Shpendi.

I pyetur nëse dikush i kishte folur për Empolin, Shpendi tha se jo, por që ish-mesfushori i Empolit, Kristjan Asllani i kishte dërguar mesazh urimi.

"Në fakt jo. Por u kënaqa shumë që Asllani, ditën që firmosa, më dërgoi një mesazh për të më uruar fat të mbarë. Shumë ekipe më donin, por unë nuk kisha dyshime për pranimin e këtij ekipi. Nuk kam krijuar asnjë pritshmëri, e di që është një hap i madh. Qëllimi im personal është të përmirësohem", tha djaloshi kuqezi.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?