Ish futbollisti i Kombëtares Endri Vrapi, i cili ka luajtur kundër Leo Messit dhe Cristiano Ronaldos gjatë karrierës së tij, bëri një krahasim mes tyre. Në një intervistë për gazetarin Andi Kapxhiu në Report Tv, e cilësoi Messin më altruist dhe më të qetë në lojë ndërsa për Ronaldon u shpreh se kërkon golin me ngulm.
“Kam luajtur kundër Messit dhe Ronaldos. Messi është më i qetë në mënyrën se si kërkon ta luajë lojë, Ronaldo kërkon medoemos ta bëjë golin. Messi është më altruist”, tha Vrapi.
Po ashtu përshkroi ndjesitë e ndeshjes së zhvilluar në vitin 2011, kur Shqipëria ka bërë miqësore me Argjentinën por futbollistët e ekipit të Kombëtares u mundën me rezultatin 4-0.
“Për mua ishte diçka që jo shumë futbollistë arrijnë ta prekin. Luajta me lojtarin më të mirë në botë. Është e papërshkrueshme ndjesia. Ne vinim nga Shqipëria, një shtet shumë i vogël, të shkosh në Argjentinë e të bësh një miqësore ndërsa ata pas 3 ditësh kishin ndeshje decizive me Brazilin. Unë them që po fole për Messin, ke folur për të gjithë ekipin. Gjithçka ka qenë perfekte nga ana e ekipit. Atë ditë ka qenë dhe Zanetti, të gjithë ishin në sinkron me njëri-tjetrin, të gjithë dëshironin vetëm të merrnin maksimumin. Ne shkonim të gjithë te Messi, por aty kishte edhe të tjerë lojtarë që kanë luajtur me super ekipe. Kur Messi merrte topin, ne ishim 11 veta ta bllokonim që të mos bënte golin”, tha Vrapi.
Sa i përket finales së madhe mes Francës dhe Argjentinës, shprehet se pas eliminimit të Anglisë, u bë me skuadrën që ‘rrëmbeu’ Kupën e Botës.
“Duke qenë që kur je fëmijë ke një idhull që në momentin kur mendon të jesh dikushi, kërkon t’i ngjash gjithmonë atij. Unë kam pasur gjithmonë idhull David Beckham e që atëherë u bëra anglez. Fakti që Franca eliminoi Anglinë, u bëra me Argjentinën. Do të doja më shumë të shihja finale Argjentinë-Angli. Pamë një finale të papritur”, tha Vrapi.
Ndërsa gazetari Skerdilaid Sulozeqi u shpreh se Argjentina e meritoi fitoren. Sipas tij, surprizë ishte eliminimi i Portugalisë nga Maroku, skuadër që arriti të shkojë deri në gjysmë finale.