Këshilli Bashkiak i Tiranës duke votuar për shkarkimin e Erion Veliajt

Opinion

Luan Rama: Llubatëtirë

23 Shtator, 20:25| Përditesimi: 23 Shtator, 20:27

  • Share

Asgjë e papritur. Asgjë ndryshe prej nga sa ishte kumtuar më parë. Këshilli i Bashkisë së Tiranës e ka votuar propozimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë.

Në shkelje të ligjit, siç kanë nënvizuar shumë prej juristëve. Madje, duke i çelur udhë një precedenti shumë të rrezikshëm. Por në përputhshmëri me porosinë, kinse me urdhërin e dhënë disa ditë më parë.

Erion Veliaj tani është edhe viktimë e një qëndrimi politik.

Për më tepër, viktimë e qëndrimit politik të atyre që me emrin e tij dhe nën këmbët e tij u bënë socialistë; u bënë tregëtarë, u bënë veprimtarë, patronazhistë, servilë, hipokritë, hileqarë e çfarë nuk u bënë.

Në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë së Tiranës, të thirrur enkas për të dëshmuar edhe publikisht Frontin e Bashkuar kundër Erion Veliajt, këshilltarët e Edi Ramës u bënë bashkë me këshilltarët e Sali Berishës. Me vonesë, por gjithësesi bashkë.

Këshilltarët e Sali Berishës e patën kërkuar shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës katër muaj më parë, m’u atë ditë kur siç e parashikon ligji, ai bëri plot tre muaj pa qenë në detyrë, prej se mbahet i burgosur.

Ndërsa këshilltarët e Edi Ramës, bënë sot pa asnjë ndjenjë turpi, pikërisht atë që e kishin refuzuar atëkohë, duke u bërë kopja karagjoze e këshilltarëve të Sali Berishës.

Erion Veliaj ishte i vetëm përballë tyre. Dhe i vetëm do të jetë edhe tash e mëtej.

Nuk i mundësuan as të drejtën formale që të dëgjohej për të mbrojtur veten dhe për të paraqitur argumentat e tij.

Tufa e këshilltarëve (njëri madje edhe pranoi se ishin dele!), u shpërfaq në plotërinë e vet si trupa më mediokre, krejtësisht e padenjë dhe e pavlerë për të qenë përfaqësuese e Tiranës në kuvendin e këshilltarëve të saj.

Këshilltarët kokëboshë, ata që vetë Erion Veliaj i përzgjodhi pikërisht për këtë cilësi dhe që i përdori sa qe në detyrën e Kryetarit të Bashkisë për çfarë ia deshi qefi atij, sot u shfaqën si një pellg llubatëtire, përmjerrë siç e meritojnë njerëzit që nuk kanë as minimumin e dinjitetit. Mbase, edhe ngaqë të mësuar të përdoren përdhunshëm, nuk dinë të jetojnë ndryshe. E meqë nuk e kanë më “Lali Erin” e tyre, po rendin të dëshmojnë për “Lali Edin” se çfarë janë në gjendje të bëjnë.

Shpresoj se gjithë sa ndodhi në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë së Tiranës, të paktën të mund të shërbejë që Erion Veliaj të kuptojë edhe aty ku është se kë ka përballë ose se kë ka kundër.

I duhet të luftojë me të gjithë.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Këshilli Bashkiak voton pro shkarkimit të Erion Veliajt, si e vlerësoni?