Orli Shuka interpreton Luanin tek 'Gangs Of London'

Alba Malltezi: Luani i “Gangs of London" dhe ne

12 Nëntor 2022, 13:45| Përditesimi: 12 Nëntor 2022, 15:55

  • Share

Këtu britanikët as në dëgjojnë, as na lexojnë. Po i japim më shumë se ç’duhet rëndësi asaj që dikush thotë për shqiptarët: “Ata janë kriminelë!”, sikur jeta e shumë të tjerëve në Angli nuk rrjedh natyrshëm: normalitet dhe integrim. Sikur mjekët tanë në spitalet angleze do të reshtin së mjekuari, sikur studentët tanë nëpër kolegjet angleze do të reshtin së studiuari, sikur muratorët, inxhinierët, kuzhinierët, stilistja jonë e talentuar, sopranoja jonë e talentuar, e të gjithë bashkë do të reshtin së punuari e krijuari në Britaninë e Madhe. Europa, Anglia ka nevojë për rininë tonë, për ambicjen tonë, për urinë tonë.

Thënë kjo, edhe ne nuk duhet të vazhdojmë të bëjmë sikur kriminelët dhe kriminaliteti mes nesh nuk ekziston. Nuk duhet të vazhdojmë të bëjmë sikur “ambicja” shqiptare për të qenë të parët në këtë biznes të turpshëm e të pisët nuk është një ambicje e pafre që na ka bërë të shkojmë nga Amerika Latine, në SHBA, Britaninë e Madhe pasi kapërcyem Ballkanin, Italinë, Europën. Kur ne quajmë një italian mafioz, një afrikan zezak, një gjerman nazist, një hollandez pervers, një aziatik kinez etj. Nuk ka pse të na vijë keq, kur të tjerë shohin gjithashtu grimca të errëta mes nesh dhe i hiperbolizojnë. A nuk është një ligj i pashkruar tashmë ajo që ti mendon dhe thua për të tjerët, të tjerët e mendojnë dhe e thonë për ty?

Kur shohim Luanin te seriali i njohur i Sky, “Gangs of London”, të interpretuar nga i talentuari Orli Shuka, duhet të kuptojmë se artistët kanë antenat që përceptojnë të parët realitetin. Nëse skenaristët, regjisorët e gjithë producentët e kanë vënë Luanin “tonë” mes grupeve që kanë një rol në kriminalitetin londinez, diçka ata kuptojnë. Dhe kjo nuk ka aspak lidhje me mjekët, studentët, artistët, artizanët tanë të mirë.

Kur ne shohim Luanin dhe gruan e tij aq të apasionuar e gjakatarë në trafik, të gjithëve na shkon në mendje ndonjë që njohim: Bashkëshortë, familje me vilat e stërmëdha, me superpasuri që janë hedhur kokë e këmbë në trafiqe heroine, apo njerëzish. Por ne vazhdojnë t’i admirojmë e t’i quajmë “biznesmenë”, anglezët, që diçka më shumë shohin dhe dinë, i quajnë gangsterë. Dhe gangsterët dihet, vetëm një “nofkë” e kanë emrin e vendit nga vijnë, pasi kombësia e tyre është universale: paraja dhe egërsia kapërcen çdo kombësi. Ndaj, mos u njëhsoni dhe identifikoni kot me kriminelët, edhe nëse si vendlindje kanë Shqipërinë.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Haka Tekizoti: 12/11/2022 15:56

    E keqja e cilësimit të ministres angleze qëndron te fakti që thotë në mënyrë gjithpërfshirëse dhe relative: "shqiptarët" dhe jo "ca shqiptarë", siç është e vërteta e padiskutueshme. Kjo, domosdo që është revoltuese dhe kundër saj duhet reagim mospranues. Ministrja angleze, po të mos gjykonte e udhëhequr nga emocionet negative e ksenofobe do ta kishte më të lehtë t'i jepte gjuhës së saj funksionin e përcjellësit të mençurisë e urtësisë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?