Krahas drejtuesit të ri të teatrit, koreografit Gjergj Prevazi, mes të pranishmëve në sallën e ‘Arturbinës’ janë njerëz të letrave si Helena Kadare, ambasadorë, por edhe politikanë, si Lulzim Basha.
“Eksperimentali” mbrëmjen e së premtes foli në gjuhën e teatrit ‘playback’. Atij alternativ, jo origjinalit që lindi në ’75-ën, kur prej audiencës, një histori e rrëfyer improvizohet nga aktorët në skenë.
Kësaj here, ndonëse publiku ftohet të bashkëveprojë, historinë e ‘Lubas’, sovjetikes së dashuruar me një inxhinier shqiptar gjatë diktaturës, e sjell aktorja Xhoana Karaj, që zbret nga radhët e publikut.
Është një histori e trazuar që shtrihet në vitet ’61-70, kur prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, do të vinte ‘në shënjestër’ ata që kishin studiuar jashtë, a qenë martuar me të huaj.
Autori Ylljet Aliçka rrëfen se gjatë mësuesisë në zonat veriore të Shqipërisë, ia pat rrëfyer një gardian burgu, se si një burrë i dënuar në diktaturë, linte mënjanë ushqimin e binte në dëshpërim teksa lexonte letrat e të shoqes.
"Kur bëja zborin ushtarak në atë kohë, si ekspert kimie, dhe kisha si ushtarë disa nga gardianët e burgut, njëri prej këtyre më tregoi këtë historinë, sesi një inxhinier që kishte studiuar jashtë, pati këtë fat. U burgos në Spaç dhe aty, ra në dëshpërim. Nuk ushqehej, por e kalonte kohën mbi letrat e bashkëshortes, dhe qante. Fakti që burri qante për gruan, për të ishte për t'u zgërdhirë", thotë autori i pjesës Ylljet Aliçka.
Skenografia është minimaliste, disa kokore mbi një arkë, që krijojnë idenë e një uzine e 5 karrige, prej nga ‘Lubaja’ do të zgjedhë Kristian Koroveshin, aktorin që ngjan me të shoqin Dragush Gjergon, për të vijuar dramën.
"Kënaqësia për vënien e kësaj shfaqje, është e dyfishtë, qoftë për sprovën e vënies së një forme të re teatrore, edhe për sa i përket faktit që iu rikthehemi këtyre temave sepse ne si shoqëri kemi detyrim akoma ndaj këtyre personave, që vuajtën dhe e paguan shtrenjtë atë sistem, dhe për më tepër kur janë edhe të huaj, sicc është rasti i Lubës. Këto gra, erdhën në Shqipëri duke ëndërruar parajsën dhe gjetën ferrin. Në këtë rast shoqëria ka detyrim që minimalisht t'i kujtojë me një shfaqje, apo bashkëbisedim të tillë", thotë regjisori Armand Bora.
Të ndihmuar nga muzika në 90 për qind të shfaqjes, imazhet në ledëall, gjuha e trupit , i japin ritëm zhvillimit të ngjarjeve, nga klubi i qytetit, në torturat e hetuesisë, vuajtjet në burgun e Spaçit, e më tej momente tronditëse, të bashkëshortes sovjetike, që në dëshpërimin për të takuar të dashurin e zemrës, pëson të gjitha format e dhunës.