Ish-trajneri i kombëtares italiane, Luciano Spalletti, ka rrëfyer një anë tjetër të vetes në një intervistë të sinqertë për 'La Repubblica', ku foli për 'plagët' që i ka lënë pas vetes futbolli dhe sidomos përjetimin e shkarkimit nga pankina e Italisë.
“Futbolli më shkatërroi jetën. E dashurova më shumë se veten. Sakrifikova njerëzit që doja më shumë për shkak të tij”, u shpreh 66-vjeçari me një ton emocional.
Spalletti nuk e fshehu se shkarkimi i fundit e ka lënë thellësisht të trazuar.
“Më shkakton pagjumësi. Mendja ime rri aty. Ndonjëherë ndihem sikur jam i lumtur, por pastaj gjithçka më rikthehet në mendje”, vijoi trajneri.
Pavarësisht epilogut të hidhur, Spalletti nuk pendohet për pranimin e sfidës.
“Nuk pendohem që pranova stolin. Kombëtarja nuk të kërkon, kombëtarja të thërret. Nuk është një zgjedhje që e bën me logjikë. Kur të thërret kombëtarja, duhet të marrësh frymë thellë dhe të jesh i gatshëm”, tha Spalletti.
Trajneri pranoi se një pjesë e përgjegjësisë bie mbi të, sidomos për mënyrën sesi u përpoq të forconte identitetin e lojtarëve.
“Gabimi im ishte në fillim, kur i shtyva shumë në pjesën e përkatësisë. U kërkova të këndonin himnin, të formonin një rreth para çdo stërvitjeje. Doja të zgjoja krenarinë që ndjeja unë, por ndoshta ishte e tepërt për ta”, vijoi trajneri.
Ai shtoi se pas eliminimit në Euro 2024 kishte ndjesinë se skuadra më në fund kishte gjetur rrugën e saj, por ishte tepër vonë.
“Pas eliminimit nga Europiani, besova se kishim gjetur rrugën tonë. Por si në fshat, kur hap një kanal për ujin, ai mund të marrë drejtimin e vet. Nëse vazhdon të gërmosh, krijon një humnerë. Plaga dhemb, edhe pse është në fazën e shërimit”, përfundoi Spalletti.
Komente
