Rusia vijon sulmet e saj ndaj Ukrainës duke mos dhënë shenja se do të ndalojë. Gjatë natës trupat rusë lëshuan të paktën 101 drone. Lufta ajrore e cila është metoda kryesore e konfliktit që ka hyrë në vitin e tij të 4, kërkon edhe furnizimin e duhur.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky solli shembuj këtë të hënë, kur në një postim në Telegram tha se përse hapësira ajrore e Ukrainës është në një rrezik të vërtetë. Zelensky bëri një bilanc të javës së kaluar ku sulmet ruse ndaj Ukrainës vijuan me agresivitet. Ai shpjegoi në shifra armët e përdorura nga Moska, sasia e të cilave është e frikshme.
"Në total, rreth 1,270 dronë, 39 raketa dhe pothuajse një mijë KAB bomba ajrore të komanduara, u përdorën javën e kaluar", shprehet Zelensky.
Kjo situatë sipas Zelenskyt kërkon që partnerët tu qëndrojnë angazhimeve të deritanishme.
"Ne shpresojmë sinqerisht që partnerët tanë do të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura. Mbrojtja ajrore është thelbësore për mbrojtjen e jetës. Ne tashmë po zbatojmë në mënyrë shumë dinamike marrëveshjet për investimet në prodhimin tonë të armëve, veçanërisht të gjitha llojet e dronëve", shtoi ai
Javën e kaluar u duk se presidenti amerikan Donald Trump do të afronte më shumë palët për një marrëveshje armëpushimi. Por pas telefonatës me Putin, ai tha se nuk arrit asgjë. Të njëjtën gjë shefi i Uashingtonit bëri edhe me Zelenskyn. Ky i fundit tha se me Trump ranë dakord që qiellin e Ukrainës ta ruajnë së bashku, teksa Trump konfirmoi se ndihmat ushtarake për Kievin do të vazhdojnë.
Komente
