Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya ka deklaruar se një armëpushim në Ukrainë është aktualisht i pamundur, duke akuzuar Kievin për shkelje të marrëveshjeve për mosgoditjen e infrastrukturës energjetike. Ai theksoi se përpjekjet për një armëpushim të kufizuar nuk janë respektuar nga pala ukrainase, duke e bërë situatën jorealiste për bisedime në këtë fazë, sipas La Repubblica.
"Ne tentuam një armëpushim të kufizuar në infrastrukturën energjetike, e cila nuk u respektua nga pala ukrainase. Në rrethanat aktuale, të flasim për një armëpushim është thjesht joreale në këtë fazë," tha ai në një konferencë.
Ndërkohë, sulmet ruse gjatë natës kanë vazhduar në lindje dhe verilindje të Ukrainës. Të paktën 20 persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën nga një sulm me raketa në një zonë të populluar të Kharkivit, sipas kryebashkiakut Igor Terekhov. Më vonë, autoritetet konfirmuan se një person humbi jetën dhe 26 të tjerë u plagosën në qytet. Në Sumy, pranë kufirit me Rusinë, një sulm me dronë iranianë Shahed vrau një person dhe plagosi një tjetër, sipas administratës ushtarake lokale.
Ndërkohë, raportohet gjithashtu se Kievi dhe Uashingtoni kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi si hapi i parë drejt përfundimit të një marrëveshjeje për mineralet e rralla në Ukrainë, një marrëveshje e mbështetur nga Donald Trump.
Presidenti amerikan tha se marrëveshja mund të nënshkruhet javën e ardhshme. Marrëveshja për tokat e rralla supozohej të nënshkruhej gjatë vizitës së Zelensky në Uashington në fund të shkurtit, por situata doli jashtë kontrollit për shkak të përplasjes mes liderëve në Zyrën Ovale.
Komente
