Përplasja Berisha-Basha në PD për analistët do të sjellë pasoja të rënda për partinë. Arbën Skënderi, ish anëtari i kryesisë së PD, ka thënë në emisionin Repoltix në Report TV se PD ka 8 vite që ka rënë në letargji dhe kjo për shkak se Basha nuk ka respektuar asnjë institucion dhe se sot kërkon të sillet si institucional për depozitimin e firmave, kur në fakt në PD nuk ka asnjë zyrë protokolli.
"Basha nuk ka respektuar asnjë institucion, jo më nene e statutit dhe sot na kthehet në procedural që nuk janë depozituar firmat në zyrën e protokollit. Në PD nuk ka zyrë protokolli, e vërteta është se në 8 vite demokratët u vënë në letargji totale dhe nuk mendoj që e ardhmja e PD është Berisha. nëse në fund të karrierës së vet ka vendosur t'i bëjë një të mirë për partinë e vetë shumë mirë, por sot Basha po t'i dhimbsej PD nuk do i e bënte kuvendin e 18 dhjetorit", tha Skenderi.
Ndërsa për ish anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD, Gent Malko tha se Berishës ia kanë hequr me kohë vizën dhe se në PD duhet të kishin lindur forca të reja.
"Basha për shpirt të vet është i majtë, nuk është i djathtë, Sali Berisha nuk ka qenë kurrë i djathtë, ai ka mbajtur të gjithë fluksin e prurjeve pas 1990 dhe e ka mbyll ciklin historik kjo frymë. Në spektrin politik të të djathtës shqiptare duhet të kishin lindur forca të reja që i marrin vendimet vetë. Pjesa më e madhe nuk e shoh dot me sy Lulzim Bashës, por ia ka hequr vizën me kohë Berishës", tha Malko.
Nga ana tjetër juristja Brizida Gjikondi tha se këtë përplasje e shikon "si një sherr mes pronarit dhe drejtorit qe ka marre që nuk i bindet me dhe i ka dalë nga duart, kjo do i sjellë shumë pasoja PD , por mund t'i sjellë edhe të mira pasi ka nevojë të pastrohet nga të dyja personazhet".
Kryedemokrati Lulzim Basha paralajmëroi një ditë më parë se Sali Berisha mund të përjashtohet edhe nga partia nëse vijon me tentativat për të krijuar struktura paralele në PD. "Boll është boll, asnjë anëtar nuk është mbi statutin dhe as mbi ne", është shprehur Basha gjatë takimit me krerët e degëve, pasi Berisha ka thirrur një Kuvend paralel më 11 dhjetor, duke shkelur kështu vendimin e kryesisë që e vendosi më 18 dhjetor. Lulzim Basha tha se veprimet ilegjitime të Sali Berishës, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjën në Statut.