Përpara se Donald Trump të marrë betimin më 20 janar, aleatët dhe kundërshtarët po pyesin se çfarë ka ndërmend dhe çfarë mund të bëjë presidenti që po largohet, Joe Biden, gjatë pak më shumë se dy muajve të administratës së tij që i mbeten. A do të presë thuajse i dorëzuar fundin e mandatit të tij, apo do të luajë kartat e fundit që ka mbetur? Një shenjë e parë, e rëndësishme e vendosmërisë së tij për të përshpejtuar ndihmën për Kievin ka ardhur dje: Shtetet e Bashkuara po përshpejtojnë dërgimin e 500 raketave ‘Patriot’ dhe ‘Nasams’ – që përdoren për mbrojtjen tokë-ajër – në Ukrainë, si përgjigje ndaj intensifikimit të sulmeve ruse me drone dhe raketa, ka njoftuar një zyrtar i lartë i Pentagonit i cituar nga Wall Street Journal.
Dërgesat pritet të mjaftojnë për të plotësuar nevojat e mbrojtjes ajrore të Kievit deri në fund të vitit.
Për nevojën për të ndihmuar Kievin për të arritur një "paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", ka folur sërish dje dhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, me mision në Kiev: “Duhet të intensifikojmë dhe përshpejtojmë përpjekjet tona për të mbështetur Ukrainën. Urgjenca është thelbësore. Koha matet në jetë njerëzore”, ka shkruar ai në X
Washigtoni synonte fillimisht të dërgonte ndihmat deri në prill, por ky afat është rishikuar pas zgjedhjeve: dërgesa pritet të ndodhë në javët e ardhshme, raporton Gazeta njujorkeze. E cila thekson: Pentagoni mund të përdorë më shumë se 7 miliardë dollarë për të transferuar armë dhe municione në Ukrainë dhe dy miliardë të tjera për të financuar kontrata të paisjeve afatgjata për Kievin.
Përpara se të kalojë stafetën, administrata Biden ka ndërmend të dërgojë gjithashtu "një numër të kufizuar kontraktorësh" në Kiev për të ndihmuar forcat vendase të riparojnë F-16 dhe sisteme të tjera arme të dhëna nga SHBA, zbulon Reuters. Kjo përbën një ndryshim kursi për Uashingtonin, i cili është i vendosur të kanalezojë sa më shumë ndihma ushtarake për aleatin deri në janar, për të forcuar pozitat e negociatave të Zelenskyt.
Presidenti ukrainas ishte një nga të parët që e përgëzoi Trump për fitore, duke lavdëruar “lidershipin e tij të vendosur” dhe angazhimin e tij për “paqe përmes forcës”: fjalë të ëmbla të nxitura nga shpresa për të fituar miqësinë e miliarderit dhe për të shmangur një “paqe të padrejtë”. Por shumë shpresa u shuan dje nga Bryan Lanza, një strateg që ka punuar për fushatën e Trump (por që “nuk flet për të”, theksoi më vonë një zëdhënës i presidentit të zgjedhur). Në thelb, ai përsëriti pozicionin e miliarderit: duhet të përqendrohemi te paqja dhe jo te rikthimi i territoreve të pushtuara të Ukrainës, prioriteti është të përfundojë lufta dhe “kullimit tëi burimeve të SHBA”. “Nëse presidenti Zelensky ulet në tavolinë dhe thotë, mirë, mund të kemi paqen vetëm nëse kemi Krimenë, ai tregon se nuk është serioz. Krimea është humbur,” sqaroi Lanza në një intervistë për BBC, duke kërkuar një “vizion realist për paqen” por pa përmendur fatin e zonave të tjera të pushtuara të Ukrainës Lindore. Fjalë që lexohen si një pranim i kushteve të Kremlinit, i gatshëm të tërhiqet në këmbim të pranimit të status quo-së në terren.
Ndërkohë, Moska ka njoftuar se është “gati të dëgjojë” propozimet e Trump. “Do të bëjmë gjithçka që mundemi nëse pala amerikane ka ide se si mund të vazhdojmë për një zgjidhje,” ka thënë dje zëvendësministri i Jashtëm Sergey Riabkov.