Politikë

Zgjedhjet/ Rama mesazh kandidatëve të PS: Mos bëni fushatë jashtë zonës suaj, deputetët në listë të mbyllur të mos orientojnë votën

1 Prill, 16:59| Përditesimi: 1 Prill, 19:35

  • Share

TIRANË- Me një votë më shumë se kolegu i partisë mund të jesh deputet i parlamentit të ardhshëm nga listat e hapura, duke bërë që betejën në këto zgjedhje kandidatët mos ta kenë vetëm me kundërshtarët politikë, por të nxisë edhe një garë të ashpër mes të njëjtit lloj.

Është pikërisht ky parashikim i kodit zgjedhor që ka detyruar kryeministrin Rama të vendosë vijat e kuqe për të shmangur konfliktet mes ekipit të tij. Report tv siguroi mesazhin që kryesocialisti I ka dërguar kandidatëve për deputetë, duke I kujtuar se strukturat janë të partisë e jo të tyret.

"Asnjë deputet s’duhet të hapë zyra të vetat jashtë zonës së caktuar nga drejtuesi politik. Çdo deputet është i lirë të bëjë takime ku të dojë, por ama në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorë për takimet e tij strukturën dhe as të bëjë takime me strukturën jashtë zonës së përcaktuar nga drejtuesi politik, sepse struktura është në funksion të organizimit tërësor dhe funksionon në zonën e vet për qëllimin e përbashkët, jo për t’u bërë tabelë qitjeje e çdo deputeti të qarkut", thuhet në mesazh. 

Vëmendjen ua tërhoqi edhe atyre që i shpërbleu me një vend të sigurt në parlament të cilëve u kërkoi të mos orientojnë votën preferenciale për kolegët e tyre në listë të hapur, por të bëjnë fushatë vetëm për numrin 5, që PS mban në fletën e votimit. 

"Deputetët në listë të mbyllur nuk duhet kategorikisht të kërkojnë vota për asnjë deputet në listën e hapur, por vetëm për numrin 5, dhe të gjithëve duhet t’u thonë: "Tek vota preferenciale jeni të lirë!" Po ashtu, deputetët në listën e hapur nuk është mirë t’u kërkojnë kolegëve në listën e mbyllur vota në zonën përkatëse, pasi e para i vënë në pozitë të vështirë; e dyta i shtyjnë drejt prishjes së barazisë së garës; dhe e treta i bëjnë të çorodisin strukturën! Natyrisht, kjo vlen për të gjithë, deputetë aktualë apo kandidatë", thuhet në mesazhin e Ramës. 

Nëse Partia Socialiste ruan në qarkun e Tiranës të njëjtat pozita si në 2021-shin, pra 18 mandate prej të cilave 12 janë në listë të mbyllur, do të thotë që 37 kandidatët në listën e hapur të kryeqytetit luftojnë vetëm për 6 vende duke e bërë garën mes tyre edhe më të ashpër.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lavdosh: 01/04/2025 20:40

    Sipas modelieve te mia , PS ne Tirane merr te pakten 20 deputete me probabilitet 90%. Me probabilitet 50% merr 22 deputete dhe me probabilitet 10% mund te marri gjer me 25 deputete

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?