Lufta e Evropës kundër pandemisë, lehtësim dhe shtrëngim të masave në vende të ndryshme (VIDEO)

8 Mars 2021, 12:11| Përditesimi: 8 Mars 2021, 17:52

  • Share

Në përpjekje për të vënë nën kontroll pandeminë , pas rritjes së theksuar të rasteve javën e kaluar disa vende evropiane janë detyruar të shtrëngojnë masat kufizuese. Duke  nisur nga dita e sotme Finlanda nuk ka hezituar në futjen e kufizimeve të reja si mbylljen e bareve dhe restoranteve. Të njëjtat masa po vendosen në Hungari, e cila është përballur me një rritje të rasteve, shkollat, si dhe shumica e dyqaneve dhe bizneseve, do të mbyllen.

Në Francë, një pjesë e veriut të vendit përjetoi fundjavën e saj të parë nën izolim, një masë që do të zgjasë për katër javë për të përmbajtur variantin britanik të koronavirusit i cili ka qenë veçanërisht i përhapur në rajonin Pas-de-Calais.

Italia ka forcuar kufizimet në disa rajone për shkak të rritjes së numrit të koronavirusit. Shumë shkolla do të mbyllen përsëri duke filluar nga sot dhe restorantet në zonat e prekura nuk do të hapen për klientët. Rajoni turistik jugor i Kampanjas, që përfshin Napolin dhe bregdetin amalfitan, tani është rajoni i tretë i vendit me 60 milionë banorë që bëhet një zonë e kuqe.

Ndërkohë që shkollat ​​janë hapur sërish në Britaninë e Madhe ndërsa Gjermania ka lejuar rihapjen e shumë bizneseve që nga e hëna.  Kthimi i rreth dy milion nxënësve në klasa në Angli vjen pas një mbyllje dy-mujore dhe është një hap vendimtar në planin e qeverisë britanike për të dalë me në mënyrë graduale nga bllokimi i tretë.  Qeveria ka thënë se do të jetë e mundur që gjashtë persona të takohen në ambiente të hapura nisur nga data 29 Mars. Baret, restorantet dhe dyqanet jo-thelbësore duhet të jenë në gjendje të rihapen nga 12 Prilli.

Në Gjermani, libraritë, luleshitësit dhe autoshkollat ​​janë rihapur në disa rajone dhe tani janë në gjendje të mirëpresin vizitorët në të gjithë vendin. Sidoqoftë, shumë njerëz e konsiderojnë procesin e vaksinimit shumë të ngadaltë, me vetëm pesë përqind të popullsisë që kanë marrë vaksinat e para.

Lodhja e publikut dhe madje zemërimi ndaj kufizimeve po bën që disa qeveri të jenë jashtëzakonisht të kujdesshme ndërsa marrin parasysh hapat e ardhshëm. Në Greqi, pakënaqësia çoi në përplasje të Dielën midis policisë dhe banorëve. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë rreth 500 njerëz të cilët ishin mbledhur në një shesh lokal për të protestuar.  Videot e një polici që dhunon një të ri me shkop u bënë virale.  

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?