Ekonomi

“Lufta e ftohtë” e tarifave doganore të Trump, Evropa e Shqipëria në pasiguri ekonomike. BSH: Po frenohen investimet e huaja

20 Maj, 16:00| Përditesimi: 20 Maj, 16:42

  • Share

Mjedisi ekonomik po bëhet gjithnjë e më i pasigurt, në kushtet kur ekonomia më e madhe globale përtej oqeanit, po mban nën presionin e tarifave doganore Evropën, përfshirë Shqipërinë.

Perspektiva pozitive për ekonominë botërore po zbehet thotë Banka e Shqipërisë, pasi tensionet gjeopolitike dhe lufta tarifore po intensifikohet.

“Në këtë mjedis, ndryshimet në politikat tregtare dhe mungesa e qartësisë po rrisin pasigurinë ekonomike dhe po ushqejnë pritje për një ngadalësim të rritjes globale”, thotë Banka e Shqipërisë.

Këto zhvillime në dukje të largëta, janë rrezik edhe për qëndrueshmërinë ekonomike të vendit thuhet në raportin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

“Edhe pse ekonomia shqiptare ka një ekspozim të drejtpërdrejtë relativisht të ulët ndaj këtyre zhvillimeve, ndikime indirekte përmes ekonomisë evropiane mbeten të mundshme. Banka e Shqipërisë po ndjek me vëmendje të shtuar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, duke vlerësuar me kujdes çdo rrezik potencial që mund të reflektohet në ekonominë vendase”, thuhet në raport.

Ekspertët e bankës qendrore kanë vlerësuar se këto pasiguri, do të reflektohen në 3 drejtime kryesore në ekonominë shqiptare nëse prezenca e tyre vijon të shtohet. Ngadalësim të investimeve, ulje të fluksit turistik si dhe një valë tjetër inflacioni me çmime të larta.

Sipas raportit aktualisht bizneset evropiane kanë nisur të shfaqin hezitim për kryerjen e investimeve, si pasojë e pasigurive të lidhura me tensionet gjeopolitike dhe mbi të gjitha me politikat e paqarta tarifore nga SHBA-të.

Së fundmi edhe Komisioni Evropian doli në konkluzionin se ekonomia e Shqipërisë do të përballet me ngadalësim për shkak të pasigurive dhe emigrimit.

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?