Ekonomi

‘Lufta e tarifave doganore’ mund të rrisë çmimet dhe interesat, BSH: Pasiguria ul investimet dhe ekonominë

25 Prill, 17:11| Përditesimi: 25 Prill, 17:42

  • Share

Qetësia në tregje, rënia e çmimeve apo rritja e investimeve të huaja po kërcënohet nga lufta tarifore e Shtëpisë së Bardhë.

Drejtori i Departamentit të Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë, Klodion Shehu thotë se kjo pasiguri e shkaktuar nga administrata e Trump mund të kthehet në një valë inflacioni e rënie ekonomike.

“Kemi zhvillime të rëndësishme në nivel ndërkombëtar, për shkak të situatës gjeopolitike dhe luftës tregtare, dhe për këtë arsye mbetet për t'u parë se cili do të jetë rezultati i këtij zhvillimi që ka ndodhur në tregjet ndërkombëtare, por sidoqoftë në rast se ai shoqërohet me rritje të pasigurisë, ka shumë mundësi që të ketë rritje të normave të interesit, rritje të presioneve inflacioniste dhe kjo të ndikojë në terma të konsumit dhe të investimeve në përgjithësi, dhe sigurisht edhe ekonomia jonë mund të preket nga këto ndikime”, pohon Shehu.

Përtej këtij rreziku që vjen nga tregu ndërkombëtar, Shehu thotë se ekonomia e brendshme e Shqipërisë është në rritje. Po kështu edhe sektori bankar është në ditë të mira me rritje fitimesh dhe likuiditeti.

“Gjendja financiare e individëve dhe bizneseve ka qenë përgjithësish e mirë. Sektori bankar nuk ka probleme nga ana e likuiditetit, cilësia e kredisë është përmirësuar dhe kreditë me probleme ranë në 4.2% që është më i ulëti në 15 vitet e fundit”, pohon Shehu. 

Në raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024, vlerësohet se kredia për ekonominë u rrit me 12.8%, ndërkohë që interesat ranë si pasojë e lehtësimit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë që uli normën bazë të interesit.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni tek strategjia e SPAK për parandalimin e krimeve zgjedhore?