Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me udhëheqësit e Turqisë dhe Greqisë sot (6 janar 2024) në hapje të një raundi të ri diplomacie për Lindjen e Mesme, ndërsa shtohet frika se lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gazë mund të kthehet në një konflikt më të gjerë.
Frika mbi zgjerimin e konfliktit Izrael-Hamas në një luftë rajonale u rrit pas vrasjes të martën, 2 janar 2024 në Liban,të numrit 2 të Hamasit, Saleh al-Arouri. Izraeli nuk i ka konfirmuar, por as hedhur poshtë dyshimet, se qëndron pas këtij sulmi.
Ndërkohë 21 palestinezë u vrarë dhe të tjerë u plagosën pas bombardimeve nga avionët luftarakë izraelitë gjatë natës.
Situata humanitare për palestinezët mbetet dramatike. Franca dhe Jordania kanë dorëzuar 7.7 ton ndihma mjekësore.
“Rripi i Gazas është i pabanueshëm”, thotë koordinatori i OKB-së për çështjet humanitare.
Ndërkohë, sulmet e intensifikuara ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq nga rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani po pengojnë tregtinë ndërkombëtare dhe kanë sjellë si rezultat rritjen e përpjekjeve nga ana e SHBA-së dhe aleatëve të saj për të patrulluar zonën dhe për t'iu përgjigjur kërcënimeve.
Pas Turqisë, Blinken shkoi në Greqi për të takuar kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis më pas do të vizitojë vende arabe, Izraelin dhe Bregun Perëndimor, për të përcjellë mesazhin se Uashingtoni nuk dëshiron një përshkallëzim rajonal të konfliktit të Gazës.