Lufta/ Shkarkohet gjenerali rus Surovikin, dyshohet se ishte aleat me Wagner! Ukraina merr përgjegjësinë për sulmin në urën e Krimesë

16 Gusht 2023, 07:47| Përditesimi: 16 Gusht 2023, 20:47

  • Share

Një gjeneral rus, Sergei Surovikin, që besohet të jetë aleat i shefit Wagner, është shkarkuar nga posti i tij duke i’u caktuar edhe masa arrest shtëpie. Ndërkohë edhe blogu VChK-OGPU, i konsideruar si i afërt me forcat ruse të sigurisë, tha se gjenerali nuk mund të largohet nga banesa, por të tjerët mund ta vizitojnë atë.

Shërbimi i Sigurisë Civile të Ukrainës (SBU) ka konfirmuar për herë të parë përgjegjësinë për sulmet e ndodhura në tetor të vitit 2022 dhe ndërsa tjetri në korrikun e këtij viti në urën e Krimesë. Ndërkohë CNN mori nga SBU videon ekskluzive të sulmeve.

Ukraina nuk do të jetë pjesëmarrëse në samitin e G20 e cila do të zhvillohet në Indi në muajin shtator, por Rusia do të jetë pjesëmarrëse në këtë samit, pavarësisht thirrjeve për ta përjashtuar atë nga grupi. 

Një anije konteinerësh u largua nga porti i Odessa mëngjesin e sotëm, e para që përdori korridorin e përkohshëm të lundrimit në Detin e Zi të krijuar pas skadimit të marrëveshjes së grurit muajin e kaluar.

Nga ana tjetër Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi të mërkurën se ka rrëzuar tre dronë ukrainas në jugperëndim të Moskës, kryeqytetin rus që po përballet me një varg sulmesh ajrore së fundmi.

Lajmi në përditësim...

Ora 22:13
Gjendet i vdekur gjenerali rus që udhëhoqi pushtimin e Ukrainës

1692216748_gennady.jpg

Një gjeneral rus, Gennady Zhidko, 58-vjeç, është gjetur i pajetë këtë të mërkurë.  Lajmi është bërë i ditur nga media ruse Readovka.

Mediat e huaja kanë shkruar se ai është njeriu që udhëhoqi ofensivën ruse për pushtimin e Ukrainës si komandant i Grupit Jugor të Forcave ruse. Ai mbajti një sërë postesh të larta ushtarake.

Në tetor të vitit 2022 ai u shkarkua pas dështimit për të marrë qytetin Kharkiv dhe vendin e tij e mori Sergei ‘Armageddon’ Surovikin, raportojnë mediat e huaja.

Vdekja e tij u konfirmua nga guvernatori besnik i rajonit të Khabarovsk, Mikhail Degtyarev, i cili shprehu ngushëllimet e tij, por nuk kishte asnjë njoftim zyrtar. Raportet nuk deklaruan se ku u gjet i vdekur gjenerali rus.

Ora 22:02
Zelensky: Nisja e anijes nga Odessa është një hap i rëndësishëm për Ukrainën

1690528561_zelensky.jpg

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se nisja e anijes nga Odessa është një hap i rëndësishëm për vendin.

"Ukraina sapo ka bërë një hap të rëndësishëm drejt rivendosjes së lundrimit në Detin e Zi. Anija e parë civile ka hyrë në korridorin e ri humanitar të Ukrainës, duke filluar nga porti i Odessa. Ajo është aktualisht në rrugën e saj për në Bosfor", tha Zelensky.

Anija e parë e mallrave ukrainase që përdor "korridorin e ri humanitar" në Detin e Zi të shpallur nga Kievi javën e kaluar u nis sot nga Odessa.

Ora 21:47
Polonia: Lukashenko do të përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e vendit

1691820083_lukashenko.JPG

Qeveria polake është e bindur se presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko do të përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e vendt. 

"Ne jemi të vetëdijshëm se Aleksandër Lukashenko do të dëshirojë të ndërhyjë në zgjedhjet polake, duke destabilizuar situatën dhe duke bërë provokime të ndryshme", tha zëvendësministri i Brendshëm polak, Maciej Wonsik për Polskie Radio .

Ora 19:07
Ukraina merr përgjegjësinë për sulmin në urën e Krimesë

Ukraina ka marrë përgjegjësi të plotë për dy shpërthimet në urën e Krimesë, njëri në tetor të vitit 2022 e ndërsa tjetri në korrikun e këtij viti.

Lajmin e bëri të ditur Shërbimi i Sigurisë Civile të Ukrainës (SBU) ku konfirmoi përgjegjësinë e Kievit për këto shpërthime të fuqishme me dron, ku në atë periudhë pretendonte se i kishte kryer Rusia.

Në një video ekskluzive të CNN e marrë nga SBU, evidentohet shpërthimi që u krye në urën e Krimëse në korrik. Në video duket një dron i vogël i mbushur me qindra kilogramë eksplozivë i vendosur në një prej shtyllave të urës.

Droni tjetër është vendosur në anën tjetër të urës.

Ora 19:00
Ministri i Jashtëm indian: Zelensky nuk u ftua në G20, është samit për çështjet e rritjes ekonomike globale

1692205074_45.jpg

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk është ftuar në samitin e G20, pasi në këtë ngjarje do të diskutohen çështje të rritjes ekonomike globale, tha ministri i Jashtëm indian, Subrahmanyam Jaishankar.

"Ky është një samit për të diskutuar çështjet e energjisë, plehrave dhe furnizimit me ushqime", tha ai.

Jaishankar theksoi se takimi i ardhshëm i liderëve të G20 nuk është Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe G20 nuk merret me çështjet e sigurisë globale. 

Në janar, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme indiane, Arindam Bagchi, kishte parashikuar tashmë se Ukraina nuk ishte në mesin e vendeve të ftuara në samitin e G20.

Ora 18:51
Jenssen: Deklarata ime për anëtarësimin e Ukrainës në NATO duke dhënë territoret e saj është keqkuptuar

1692204620_st.jpg

Shefi i kabinetit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s së Jens Stoltenberg, Stian Jenssen, korrigjoi deklaratat e bëra dje, ku dukej sikur hyrja e Ukrainës në NATO varej nga dhënia e territoreve të saj Rusisë, duke deklaruar se ato ishin "të gabuara". 

"Deklaratat ishin pjesë e një debati më të madh rreth skenarëve të mundshëm të ardhshëm në Ukrainë dhe nuk duhej ta kisha thënë kështu. Ishte një gabim", tha Stian Jenssen.

Duke theksuar se situata në terren "do të jetë qendrore" për çdo zgjidhje të konfliktit dhe se për këtë arsye NATO vazhdon të mbështesë ushtarakisht Kievin për të përmirësuar pozicionin e saj negociues, Jenssen përsëriti se Kievi do të duhet të vendosë për kushtet e këtyre negociatave.

Ora 17:55
Wagner regjistrohet në Bjellorusi si organizatë edukative

1692203469_985.jpg

Grupi mercenar rus Wagner është regjistruar në rajonin bjellorus Mahilju si “organizatë edukative”. Sipas faqes Regjistri Shtetëror për Kompani dhe Sipërmarrësit Individual të Bjellorusisë, Wagner është regjistruar zyrtarisht më 4 gusht si kompani e kufizuar, dhe e përfshirë në “aktivitete edukative”, me seli në Tsel.

Fshati besohet se është i njëjti me atë ku janë stacionuar trupat e Wagnerit në Bjellorusi, pas ndërprerjes së një rebelimi në Rusi më 23-24 qershor. Dy javë më parë, Radio Evropa e Lirë ka siguruar fotografi nga platforma Planet Labs, në të cilat shihen fortifikimet afër tendave të Wagnerit në Tsel.

Pamjet paraprake të Planet Labs kanë shpërfaqur rritjen e numrit të pajisjeve afër kampit. Muajin e kaluar, lideri i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, e ka publikuar një video nga Bjellorusia, duke i mirëpritur luftëtarët e tij dhe duke thënë se ata do të ndihmojnë në shndërrimin e ushtrisë bjelloruse në ushtrinë e dytë më të mirë në botë.

Ende nuk dihet saktë se çfarë do të ndodhë me Prigozhinin dhe trupat e Wagnerit, prej ndërprerjes së rebelimit, kërcënimit më të madh në udhëheqësinë 23-vjeçare të presidentit rus, Vladimir Putin.

Lideri autoritar i Bjellorusisë, aleati i ngushtë i Putinit, Alyaksandr Lukashenka, është përfshirë në bisedime për t’i dhënë fund rebelimit, duke ndërmjetësuar marrëveshje mes Prigozhinit dhe Putinit për t’i pranuar Wagnerin dhe Prigozhinin në Bjellorusi.

Prigozhin dyshohet se ka qenë disa herë në Rusi prej rebelimit dhe besohet se është duke lëvizur në mes të dy shteteve. Trupat e Wagnerit kanë luajtur rol kyç në luftën e Rusisë në Ukrainë, duke ndihmuar në kapjen e një pjese të Bahmutit, pas gati 10 muajve të luftimeve intensive.

Prigozhin ka thënë se i ka humbur 20.000 ushtarë gjatë operacionit në Bahmut./REL

Ora 17:03
Zvicra miraton paketën e 11 të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë

1692198212_snaks.jpg

Qeveria zvicerane ka miratuar paketën e 11 të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë për luftën në Ukrainë. 

Zvicra, e cila është një partner kryesor tregtar i BE-së, ka ndjekur çdo raund sanksionesh kundër kompanive dhe individëve rusë që kur Presidenti rus Vladimir Putin filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. 

Paketa e 11 e sanksioneve të BE-së synon të mbyllë mungesat që ata kanë në mënyrë që mallrat jetike për përpjekjet e Putinit për luftë të mos vijnë në Rusi nëpërmjet vendeve që tregtojnë me BE-në dhe atyre që kanë mbajtur marrëdhënie tregtare me Moskën. 

Masa zvicerane do të ndalojë eksportin e disa "mallrave me përdorim të dyfishtë" në 87 kompani të tjera.

Ora 16:33
Shkarkohet gjenerali rus Surovikin dhe jepet masa ‘arrest shtëpie’

1692196354_6687.jpg

Gjenerali rus Sergei Surovikin, që besohet të jetë aleat i shefit Wagner, Evgeny Prigozhin, është shkarkuar nga posti i tij, të cilit i është caktuar masa arrest shtëpie. 

Blogu VChK-OGPU, i konsideruar si i afërt me forcat ruse të sigurisë, raportoi të dielën se Surovikin është "në arrest shtëpie", nuk mund të largohet nga banesa, por të tjerët mund ta vizitojnë atë.

Surovikin, i njohur si "Gjenerali Armagedon" për strategjitë e tij agresive ushtarake në Çeçeni dhe Siri, nuk është parë në publik që nga përpjekja e Wagner për të marshuar në Moskë në qershor.

Ora 16:21
Rumania dënon sulmet e Moskës në portet ukrainase në Danub

1692195591_f.jpg

Qeveria rumune ka dënuar sulmet e reja ruse këtë mëngjes kundër porteve të Ukrainës në Danub.

Ministrja e jashtme rumune, Luminita Odobescu, tha se me këto shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar, Rusia vazhdon të rrezikojë sigurinë ushqimore dhe sigurinë e lundrimit në Detin e Zi.

"Unë dënoj fuqishëm sulmet ruse ndaj njerëzve të pafajshëm dhe infrastrukturës civile, duke përfshirë kapanone gruri në portet e Reni dhe Ismail. Me këto shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar, Rusia vazhdon të rrezikojë sigurinë ushqimore dhe sigurinë e lundrimit në Detin e Zi”, tha ministrja e jashtme rumune, Luminita Odobescu.

Ora 16:14
Lituania mbyll përkohësisht dy prej gjashtë pikave kufitare me Bjellorusinë për arsye sigurie

1692195280_4.jpg

Lituania do mbyllë përkohësisht dy prej gjashtë pikave kufitare me Bjellorusinë, në Sumskas dhe Tverecius, për shkak të pasigurisë në rritje të situatës në kufi, ku ekziston frika e kalimit të emigrantëve të parregullt dhe mercenarëve Wagner.

Mbyllja e gjashtë pikave kufitare po bëhet për arsye të kalimit të emigrantëve të parregullt dhe mercenarëve Wagner, për të ndaluar kontrabandën e mallrave. 

Masa e miratuar sot nga qeveria do të hyjë në fuqi ditën e premte. Trafiku do të devijohet në vendkalimin Medininkai, i cili është hapur së fundmi dhe është i pajisur më mirë për kontrollet e sigurisë. 

Presidenti Gitanas Nauseda nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbylljes së plotë të kufirit të vendit me Bjellorusinë. Lituania ndan një kufi prej 680 kilometrave me aleaten e ngushtë të Rusisë, Bjellorusinë.

Pas rebelimit të shkurtër kundër Moskës, trupat e Wagnerit janë larguar prej Ukrainës dhe kanë përfunduar në një kamp në Bjellorusi. Udhëheqësi i agjencisë kufitare të Lituanisë, Rustamas Liubajevas, ka vlerësuar se në Bjellorusi mund të jenë mbi 4.500 luftëtarë të Wagnerit.

Ora 15:52
Medvedev: Perëndimi nuk është i interesuar për paqen, por për të fituar para

1692193997_7.jpg

Perëndimi nuk është i interesuar për negociatat për një zgjidhje paqësore në Ukrainë, por kërkon të fitojë sa më shumë para për kompleksin e tij ushtarako-industrial, tha zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Dmitry Medvedev.

"Fjalimi i tyre ku thuhet se është koha për t'u ulur në tryezë dhe për të filluar bisedimet e paqes është thjeshtë një dredhi. Ata duan të vazhdojnë të fitojnë para për kompleksin e tyre ushtarako-industrial, shpjegoi ai. 

Medvedev shtoi se ushtria ruse është "shumë e suksesshme" në shkatërrimin e pajisjeve të furnizuara nga Perëndimi dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

Ora 15:46
Britania: Rusia ka filluar të përdorë dronët kamikazë iraniane

1692193575_6.jpg

Inteligjenca britanike deklaroi se Rusia ka filluar të vendosë në përdorim dronët kamikazë.

"Rusia pothuajse me siguri ka filluar vendosjen e dronëve kamikazë  bazuar në modelet Shahed iraniane", deklaroi Inteligjenca britanike. 

Ata thanë se forcat ruse kanë importuar sisteme të prodhuara nga iranianët që nga shtatori i vitit të kaluar. 

Inteligjenca britanike thanë se dronët kamikazë që do të përdoren në konflikt ndoshta do të lejojë Rusinë të ketë një furnizim më të besueshëm të dronëve.

“Rusia ndoshta synon të jetë e vetë-mjaftueshme në muajt e ardhshëm për sa i përket prodhimit të dronëve, por ndërkohë ajo duhet të vazhdojë të mbështetet në komponentët dhe armët që vijnë nga Irani”, thanë ata.

Ora 15:33
Niset anija e parë nga Odessa përmes korridorit të lundrimit në Detin e Zi

1692192823_jhbd.jpg

Një anije konteinerësh u nis nga porti i Odessa mëngjesin e sotëm, e para që përdori korridorin e përkohshëm të lundrimit në Detin e Zi të krijuar pas skadimit të marrëveshjes së grurit muajin e kaluar.

Në një postim në Facebook, ministri i infrastrukturës së Ukrainës, Oleksandr Kubrakov, shkroi se anija është nisur përgjatë korridorit të përkohshëm të krijuar për anijet civile për portet detare ukrainase të Deti i Zi në drejtim të Bosforit. Ai tha se anija mban një ngarkesë prej 30 mijë tonësh duke përfshirë edhe produkte ushqimore.

“Anija me flamur Hong Kong, Joseph Schulte, ka lënë portin e Odessa dhe po lëviz përgjatë korridorit të përkohshëm të krijuar për anijet civile për portet detare ukrainase të Deti i Zi në drejtim të Bosforit, me një ngarkesë mbi 30 mijë tonë, përfshirë produkte ushqimore”, shkroi Kubrakov.

Ora 15:24
SHBA i kërkon Iranit të ndalojë shitjen e dronëve në Rusi

1690910823_droni.jpg

Shtetet e Bashkuara po i bëjnë presion Iranit që të ndalojë shitjen e dronëve në Rusi, të përdorura në luftën në Ukrainë, si pjesë e diskutimeve të vazhdueshme për një "mirëkuptim" më të gjerë midis Uashingtonit dhe Teheranit. Kjo gjë kërkohet për të lehtësuar tensionet dhe për të shmangur krizën bërthamore. 

Administrata Biden e ngriti çështjen me Iranin në bisedimet indirekte në Katar dhe Oman muajt e fundit. Sipas një zyrtari iranian, Teherani i ka kërkuar vazhdimisht Moskës që të ndalojë përdorimin e tyre në konflikt, por Uashingtoni dëshiron "hapa më konkretë". 

Një zyrtar iranian tha se në këmbim, Uashingtoni do të përmbahet nga vendosja e sanksioneve të reja në disa fusha, përveç atyre që lidhen me të drejtat e njeriut, dhe nuk do të monitorojë rreptësisht sanksionet ekzistuese mbi shitjet e naftës.

Ora 08:43
Rusia rrëzon tre dronë ukrainas afër Moskës

 

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë (MMR) ka thënë të mërkurën se i ka rrëzuar tre dronë ukrainas në jugperëndim të Moskës, kryeqytetin rus që po përballet me një varg sulmesh ajrore së fundmi.

Ukraina sulmoi në orën 05:00, duke përdorur “tri mjete ajrore pa pilot ndaj objekteve në rajonin Kaluga”, tha Ministria ruse në Telegram.

“Të gjithë dronët u pikasën dhe u shkatërruan me kohë nga sistemet mbrojtëse ajrore të Rusisë”, tha MMR.

Guvernatori i Kalugas, Vladislav Shpasha, tha se dronët u rrëzuan në jug të rajonit, qindra kilometra larg jugperëndimit të Moskës.

“Nuk ka pasoja në njerëz dhe infrastrukturë”, tha Shapsha.

Ky sulm ajror është të paktën i pesti këtë muaj mbi rajonin Kaluga, të cilat Rusia thotë t’i ketë parandaluar.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?