Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha dje (19 qershor ) se një luftë që përfshin Libanin do të kishte implikime rajonale.
Grupi i armatosur shiit libanez do të sulmonte çdo vend tjetër në rajon që ndihmoi Izraelin në përpjekjet e luftës, duke përmendur Qipron, e cila priti forcat izraelite për stërvitje.
Ndërkohë presidenti qipriot Nikos Christodoulides iu përgjigj kërcënimeve të liderit të Hezbollahut duke thënë se "Qiproja nuk është e përfshirë në asnjë operacion ushtarak në rajon”.
Qiproja është "pjesë e zgjidhjes, jo problemit", tha Christodoulides, duke kujtuar korridorin detar Qipro-Gaza që përdoret për të ofruar ndihma në enklavën palestineze.
Në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi qipriot Konstantinos Letymbiotis, Christodoulides nënvizoi se "ekziston një kanal komunikimi si me qeverinë libaneze ashtu edhe me atë iraniane, nëpërmjet rrugës diplomatike".
Presidenti u pyet nëse është i shqetësuar për deklaratat e Nasrallah.
"Ato nuk janë të këndshme - u përgjigj ai -, por nuk korrespondojnë në asnjë mënyrë me atë që ne po përpiqemi të bëjmë, që është të japim imazhin e përfshirjes së Qipros në aktivitete luftarake: absolutisht nuk është kështu".
Foto: Amos Hochstein dhe kryetari i parlamentit libanez Nabih Berri
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Amos Hochstein, ka paralajmëruar zyrtarët libanezë se nëse Hezbollahu nuk i jep fund sulmeve të tij të përditshme në veri të Izraelit, ai mund të bëhet objektiv i një operacioni të kufizuar izraelit të mbështetur nga SHBA. Lajmin e ka bërë të ditur transmetuesi publik Kan.
Sipas stacionit televiziv, Hochstein u tha zyrtarëve se nevojitet një zgjidhje diplomatike për të larguar grupin terrorist të mbështetur nga Irani larg kufirit, përndryshe Izraeli do të nisë një sulm të kufizuar me mbështetjen e SHBA. Hochstein ndodhet në rajon në një përpjekje për të shmangur një përshkallëzim.