Lufta që nisi Izraeli duke bombarduar Iranin ishte e paprovokuar, e papritur, e keqmenduar dhe me pasoja të mëdha. Goditja paraprake (pre-emptive strike, masë preventive luftarake para se të ndërmerret një sulm i afërt ndaj tij) ishte dhe është vetëm pretekst. Pretekst është edhe programi bërthamor i Iranit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA) dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit të SHBA-së kanë pohuar se Irani nuk ka dhe nuk po ndjek program për armë bërthamore. Prandaj, nuk bëhet fjalë për program bërthamor ushtarak të Iranit, ai është preteksti. Por kemi të bëjmë me një operacion luftarak për të ndryshuar regjimin në Iran.
Netanjahu ka afro 30 vjet që përsërit se Irani është dy ditë, dy javë, dy muaj larg bërjes së bombës, një gënjeshtër e përsëritur edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe pa u skuqur. Synimi ka qenë që të ndërmerret sulm kundër Iranit dhe të tërhiqet e të përfshihet SHBA-ja direkt në këtë luftë. Kjo u evitua nga të gjithë presidentët para Trumpit.
Ndonjërit është mirë t’i tregohet se ku e ka vendin. Një tjetrit i duhet thënë, dhe duhet që të kuptohet, se nuk mund të sundohet më bota. Ajo kohë e hegjemonisë unipolare, me mbarimin e Luftës së Ftohtë në fundin e viteve 1980, ka përfunduar. Korpusi legjislativ ndërkombëtar përmblidhet me të drejtën ndërkombëtare, një rend i bazuar në ligje, në drejtësi, një rend i diskutuar dhe i miratuar bashkërisht, zyrtarisht. Rendi i bazuar në rregulla nuk ka të bëjë me të drejtën ndërkombëtare! Ai rend do të thotë “me rregullat e tua”, që i ke vendosur ti, që janë vendosur si të duash, kur të duash, rregulla që janë bërë për të tjerët dhe duhet të zbatohen nga të tjerët, pra në një botë që ndodhet në sistem anarkie, ku shihet se po ecet me logjikën e ligjit të më të fortit. Sot nuk është lehtë të pranohet të ecet me logjikën “unë jam më i forti”. Sot është bërë realitet se ecet me logjikën e “një ndër disa më të fortët”.
Kështu, mbi këtë logjikë, është konceptuar dhe ngritur OKB-ja 80 vjet më parë. Vendet duhet të sillen në atë situatë që ato të njohin dhe të zbatojnë ligjin, të drejtën ndërkombëtare, jo të ndjekin politika dhe të bëjnë veprime të jashtëligjshme, jashtë çdo ombrelle ligjore.
Vendet duhet të sillen në atë situatë që t‘a kuptojnë se ku e kanë vendin dhe ku është vendi i të tjerëve, ku dhe cilat janë interesat e sigurisë të tyre dhe të të tjerëve, si dhe rreziqet që bart ky ose ai veprim, të kuptojnë se nuk mund të shkelet e drejta ndërkombëtare. Ajo e drejtë duhet të respektohet nga të gjithë dhe cilido. Asnjë shtet nuk mund të dalë mbi të.
Nuk mund të bombardohet kudo, kurdo, cilido, pa arsye, ose për arsye të supozuara, të sajuara, të rreme. Kujtoj, të tilla ishin edhe “arsyet krejt të pavërteta, të sajuara” për të justifikuar bombardimin e Irakut. Sulmet e Izraelit më 13 qershor dhe nga Amerika më 22 qershor ishin të pajustifikuara, krejtësisht të panevojshme, të dëmshme, të paprovokuara. Një numër i madh ekspertësh gjeopolitikë, ushtarakë dhe politikë kanë pohuar në mënyrë të përsëritur se Irani nuk përbën rrezik të menjëhershëm apo afatgjatë për SHBA-në. Drejtues kryesorë janë individë të përbuzur dhe jopopullorë. Një ndjenjë e tillë nuk është parë prej shumë dekadash.
Kur bëhet fjalë për armë bërthamore, për rrezik bërthamor, duhet të ketë dhe të njihet një lloj proporcionaliteti kur dhe përse mund të përdoren ato armë shkatërruese në përputhje me doktrinat strategjike ushtarake të vendeve që i posedojnë. Nuk shihet të ketë arsye se do të arrihet në atë pikë, dhe kurrsesi nuk duhet shkuar deri atje. Ajo do t’i jepte fund jetës në Planetin Tokë.
Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (Non-Proliferation Treaty, NPT), në të cilën Irani është palë, e ka nënshkruar dhe ratifikuar atë, është kthyer me kokë poshtë! Ai Traktat nuk duket se respektohet më. Me ç’po ndodh, vendet anëtare kanë të drejtë të mos e shohin atë si mbrojtje. Në këtë kontekst, nuk përjashtohet edhe mundësia e një tërheqjeje të Iranit nga NPT. Ndoshta kjo nuk do të ndodhë, por edhe mund të ndodhë një veprim i ngjashëm me atë që bëri Koreja e Veriut, sepse Irani u provokua skajshëm dhe mund të mendohet edhe të tërhiqet. Ndoshta jo. Traktati NPT ka kërkesa për t’u anëtarësuar, për t’u bërë palë në të, por nuk ka klauzolë që të pengojë daljen e një shteti anëtar prej tij.
Koreja e Veriut as mund të sulmohet dhe as do të sulmohet ndonjëherë, sepse ajo ka armë bërthamore dhe mjete të dërgimit të tyre në distanca të largëta. Po të kishte Irani armë të tilla, a do guxonte njeri ta sulmonte? Izraeli nuk ka firmosur, nuk është palë në NPT, dhe as pohon, as mohon se ka armë bërthamore. Izraeli është jashtë çdo kontrolli të IAEA-s. Kjo është krejt normale, ai nuk është palë në NPT. Përse të mos jetë?! Përse të mos i kërkohet me insistim që të jetë palë dhe të vendosë gjithçka ka në fushën bërthamore nën kontrollin e garancive të Agjencisë Bërthamore, si reth 170 shtete të tjerë? Përse t’i lejohet të ketë armë bërthamore? A nuk përbën kjo rrezik për të tjerët? Përse të punohet që ai tjetri të mos lejohet të ketë, bile edhe të bombardohet, gjoja që të pengohet të mos ketë!
SHBA-ja nën presidencën e parë të Trumpit anuloi JCPOA-n. Ajo është marrëveshja më shtrënguese, më strikte dhe kontrolluese, që IAEA i ka vendosur ndonjëherë ndonjë vendi tjetër që nga krijimi i saj në 1957. Irani, si palë nënshkruese e JCPOA-s, po e zbatonte pikë për pikë marrëveshjen e garancive, përfshirë edhe Protokollin Shtesë, po e zbatonte sikur ta kishte firmosur. Irani monitorohej nga mbi 10 inspektorë të IAEA-s çdo ditë, duke qenë kështu vendi më i monitoruar në botë që nga krijimi i IAEA-s.
Nëse Irani tërhiqet nga NPT, ose ndërpret marrëdhëniet me IAEA-n, mund të kuptohet se do të ketë më shumë liri të ecë në drejtimin që ka vendosur. Sot Irani e ka të ndaluar nga FATWA që ka lëshuar Ajatollahu Khamenei! Irani, Persia e Lashtë me histori 7000-vjeçare, vepron me kalkulim, pa emocione, dhe unë nuk shoh se do ta ndërmarrë atë hap. A nuk janë sot këto rrethana që vënë në pikëpyetje anëtarësinë në NPT? Por kjo situatë, kur ky shtet 7000-vjeçar bombardohet, ai detyrohet të ndërmarrë ato hapa që i gjykon me vend.
Sulmi i SHBA-së ndaj instalimeve bërthamore të Iranit shihet edhe si sulm ndaj vetë NPT-së. Ai sulm është në kundërshtim flagrant me Kartën e OKB-së, me Statutin e Agjencisë Bërthamore, me Konventën e Sigurisë Bërthamore (NSC) që ndalojnë rreptësisht sulmet ndaj këtyre instalimeve!
Si mundet përsëri t’i besohet diplomacisë dhe negociatave? Ne ishim në negociata, ti më bombardon dhe, pas bombardimit, më thua “eja ulu të bisedojmë”! Absurditet dhe hipokrizi e skajshme.
Është problem strategjia e hegjemonisë, që këtej e tutje nuk do të ketë më, por do të jetë politikë e hegjemonisë. Amerika duhet të sundojë botën, një problem dhe qëndrim ideologjik hegjemonist. Kjo nuk pranohet më nga vende të tjera. Ato vende duhet të ndërhyjnë dhe, me siguri, do të ndërhyjnë, në kohën, formën dhe mënyrën që do e gjykojnë të përshtatshme. Nëse vazhdon kjo që po shohim, është të ecësh me ligjin e xhunglës. Kjo që ndodhi dhe vazhdon, që mediat kryesore shtetërore “mainstream” nuk e japin, por kanë vënë embargo pothuajse totale, flet qartë se Izraeli është lejuar “të përdredhë” Amerikën si të ishte një lojë në duart e saj. Më saktë, po e heq “si të ishte”.
Irani është 79 herë më i madh se Izraeli si territor dhe 14 herë më i madh si popullsi. Ai është më i madh se krejt Evropa Perëndimore. Izraeli i jep formë politikës në Uashington sipas interesave të veta. Përdoren shuma marramendëse parash, kryesisht nga AIPAC dhe nga hebrenj të tjerë amerikanë shumë të pasur, për të zgjedhur kongresin dhe senatin, për të zgjedhur president dhe drejtuesit e lartë të institucioneve kryesore të shtetit. Prandaj, shohim një senat dhe kongres të bindur ndaj tij, “në xhep”. Është rreziku i një lufte të gjatë; askush lart në Uashington duket se nuk është i përgatitur për luftë të shkurtër. Katastrofë.
Bombardimi amerikan mësohet se ka pasur efekt mjaft të limituar. Ai ka dëmtuar vetëm disa godina që ishin bosh. Edhe sikur të kishte përdorur bombat “buster” 13-tonëshe, që depërtojnë deri rreth 65 metra, nuk do kishin efekt sepse, kryesisht Fordo, është në thellësi disa qindra metra nën tokë dhe e fortifikuar. Irani ishte lajmëruar një natë më parë për sulmin, kishte hequr materialin bërthamor, edhe disa centrifuga më të fundit dhe i ka strehuar nuk dihet se ku. Ndërsa Izraelit po i mbarohen municionet, edhe pse vijojnë fluturimet me armatime dhe municione nga Amerika dhe Gjermania, edhe nga disa të tjerë që rreshtohen pas linjës. Pathyeshmëria ushtarake duket paskësh qenë fasadë kur mësohet se pa mbështetjen ditore direkte amerikane me armatime, municione dhe të tjera nuk mund të përballojë më gjatë se një javë.
Nuk ka strategji. Nëse ka, cila është ajo? Cili është objektivi për t’u arritur? A janë menduar pasojat strategjike afatgjata? A kuptohet se në ç’rrugë është hyrë? Nëse nuk ka strategji, atëherë për çfarë bëhet, cili është fundi i kësaj ndërmarrje marrëzie? Ajo që po ndodh nuk bën kurrfarë sensi. Duhet kujtuar çfarë ndodhi në Luftën e Parë Botërore me Britaninë, me emocionet e saj, me thirrjen që i bëri SHBA-së për t’u futur në atë luftë. E njëjta situatë duket se po përsëritet sot. Logjika “nëse nuk e bëjmë ne, do e bëjnë pasuesit tanë” është lajthitje për të justifikuar ç’po bëhet. Janë shpëlarë trutë nga propaganda marramendëse ditore, dhe njerëzit mendojnë se nuk ka rrezik, ndërkohë që rreziku është jashtëzakonisht i madh.
Çdo gjë që po bëhet është keq, me ndikim enorm gjeopolitik, me ndikim negativ në situatën energjetike, në furnizimet botërore me energji, me ndikim të madh negativ në ekonominë botërore, etj. Nga Ngushtica e Hormuzit kalon mbi 20 për qind e furnizimit botëror me naftë, nënprodukte të saj, me gaz dhe gaz të lëngshëm, etj. Vetëm Kina merr mbi 30 për qind të nevojave të saj nga Irani dhe ndonjë vend tjetër i Gjirit Persik. Por, përsëri, pavarësisht, ne do të bombardojmë dhe pas tij, Irani do të shkatërrohet, regjimi do të bjerë. Është iluzion i madh vetëshkatërrues!
Pavarësisht si etiketohet dhe çfarë argumentesh “fake” përdoren, ky është qartë një operacion për ndryshim regjimi, për të siguruar paralelisht edhe dominimin hegjemon të Izraelit në Lindjen e Mesme. Operacioni është gjithashtu i lidhur dhe kundër BRICS, ku Irani është anëtar, është kundër aleancës integruese të Euro-Azisë, kundër korridoreve të Iniciativës kineze të “Një brez, një rrugë” (Belt and Road Initiative) si dhe asaj veri-jug, nga Murmansku në Iran dhe që aty në Indi.
Kundërpërgjigja e Iranit
Reagimi i fundit i Iranit, me sulmin ndaj bazave amerikane në rajon, shënon një eskalim të rrezikshëm dhe thellon krizën e besimit në diplomacinë ndërkombëtare parandaluese. Kjo retorikë e shkëmbimit të zjarrit, ku çdo veprim ushtarak shkakton një kundërpërgjigje, e bën më të vështirë uljen në tryezën e bisedimeve. Për të rikthyer besimin te diplomacia, hapi i parë dhe thelbësor është de-eskalimi i menjëhershëm i situatës, i ndjekur nga një ndalje e ndërsjellë e veprimeve armiqësore. Më pas, është jetike që palët, me ndërmjetësimin e aktorëve neutralë dhe me ndikim (si OKB-ja apo shtete të tjera të rëndësishme), të angazhohen në një dialog gjithëpërfshirës që adreson jo vetëm shqetësimet bërthamore, por edhe çështjet më të gjera të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, duke kërkuar garanci dhe kompromise reale nga të gjitha anët.
Ndryshim regjimi! Vërtet? Objektivi i “ndryshimit të regjimit” (regime change) në Iran, i cili shfaqet si një motiv pas veprimeve ushtarake dhe politikave të caktuara, ngre pyetje serioze mbi realizueshmërinë dhe etikën e tij. Historikisht, përpjekjet për ndryshim regjimi me forcë shpesh kanë dështuar, duke shkaktuar kaos, destabilizim rajonal dhe rritje të fundamentalizmit, në vend të promovimit të demokracisë apo stabilitetit. Duke marrë parasysh madhësinë, historinë dhe fuqinë e Iranit, si dhe rrjetin kompleks të aleancave të tij, një ndërhyrje e tillë do të ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe ka shumë pak gjasa të ishte realiste pa pasoja katastrofike për rajonin dhe botën.
Përveç kësaj, pyetja nëse duhet ndërmarrë një ndryshim regjimi mbetet thellësisht etike dhe ligjore. E drejta ndërkombëtare thekson parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve sovrane, dhe shkelja e këtij parimi pa një bazë të fortë ligjore dhe pa mbështetje të gjerë ndërkombëtare mund të minojë edhe më tej rendin global dhe besimin te diplomacia. Flet shembjulli i disa shteteve si Lidi, Siri, Afganistan, etj.
Është bërë diçka normale që të bombardosh pa diskriminim, krejtësisht, kudo, pa llogaritur, pa menduar sesa e vështirë dhe negative është bërë e gjithë situata. Kështu nuk mund të vijohet më gjatë. Rreziku se po nuk eliminove kundërshtarin mund të përdoret edhe bombë bërthamore është i lartë. Flitet edhe për opsionin Samson sipas të cilit, nëse humbas, do të marr me vete të gjithë të tjerët. Sot nuk ka siguri për asgjë.
Jemi në një situatë kur gjërat kanë dalë krejtësisht jashtë kontrollit, bëhen veprime të jashtëligjshme, antikushtetuese, në kundërshtim të hapur me Kartën e OKB-së dhe me të drejtën ndërkombëtare, me Statutin e Agjencisë Bërthamore, me Konventat e Sigurisë Bërthamore, janë shkelur të gjitha ligjet e luftëbërjes. Operacioni Barbarosa filloi më 22 qershor 1941./JavaNews
*Zef Mazi, Ish-Asistent i posaçëm për Strategjinë i Drejtorit të Agjencisë Bërthamore (IAEA), Vjenë
Komente

Izraeli dhe lobi Zionist shkaktarët ma të mëdhenjë në histori të kohzgjstjes të luftrave 70 vite lufëra në njëpasnëshme në rajonet e botës dhe sidomos lindja e mesme Amerika Jugore dhe Afrika e pa presedencë në histori
PërgjigjuKa mbi 10 vjet sistemi vlerave te shoqerise ka marre teposhte dhe tanime eshte ne ground zero!
Përgjigju