Bota rrezikon ndezjen e plotë të një konflikti të ri, mes Izraelit dhe Iranit, të cilët brenda afro 48 orëve kanë sulmuar intesivisht njëri-tjetrin, duke shkaktuar dhe humbje jetësh edhe mes civilëve.
I ftuar në Report Tv, eksperti për çështjet ndërkombëtare, Geron Kamberi, tha se në të vërtetë shteti hebre është shumë më i përparuar se Teherani në fushën e mbrojtjes, duke zotëruar teknologji të lartë.
“Teknologjia ushtarake që ka Izraeli, veçanërisht për sa i përket forcave ajrore, avionëve me teknologji shumë të lartë, bëjnë distanca shumë të gjata në një kohë shumë të shkurtër, me kapacitete goditëse, veçanërisht edhe për shkak të faktit që janë avionë që u shmangën radarëve. Ato ndoshta mund të jenë tema diskutimi me ekspertë të mbrojtjes, por këto janë të paktën informacion i përgjithshëm. Kapacitetet e Inteligjencës, edhe për faktin që Izraeli është një shtet që që nga 15 maji i 1948, ku u përball me konfliktin e parë dhe deri tani, ka ndërtuar edhe një stil të vetëmbrojtjes, duke forcuar në mënyrë të përvitshme dhe me mbështetjen e shumë vendeve të zhvilluara, kapacitete qoftë në fushën e mbrojtjes, qoftë në fushën e Inteligjencës dhe teknologjisë së lartë”,- tha Kamberi.
Eksperti i çështjeve ndërkombëtare theksoi se dobësimi i Iranit si fuqi rajonale në Lindjen e Mesme, ka ardhur edhe si pasojë e dobësimit të aleatëve historikë të tij.
“Rënia e disa aleatëve të Iranit, ose dalja e tyre jashtë perimetrit të aleancave siç është Siria. Ne kemi një ndryshim, Libani po ashtu, Jordania, të cilat me kalimin e kohës e kanë ulur peshën e tyre, veçanërisht Siria dhe Libani, e kanë dobësuar peshën e Iranit si një fuqi rajonale. Të kemi parasysh dhe një element tjetër që i gjithë sfondi i konfliktit që zhvillohet sot është edhe për faktin që Irani nuk ka mbështetjen e vendeve arabe”,- tha Kamberi.
Ai sqaroi se pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës synon shkatërrimin e programit bërthamor të Iranit.
“Administrata e re e Trump pasi erdhi në pushtet, veçanërisht ndaj 2 konflikteve, përfshirë dhe këtë të Iranit, ndoqi një qasje ku presidenti Trump mori iniciativën për të qenë paqebërës me forcën dhe karizmën e tij. Ai pati një qasje tjetër kundrejt Iranit, sepse ne e dimë që pas marrëveshjes që u arrit në korrik 2015 me 5 vendet e Këshillit të Sigurimit, që janë dhe anëtarë të klubit bërthamor, plus Gjermani dhe BE, për të lehtësuar sanksionet ndaj Iranit me qëllim që ai të hiqte dorë nga programi bërthamor, Trump në vitin 2018 u tërhoq nga kjo marrëveshje, madje ka shumë që thonë që kjo tërheqje e SHBA inkurajoi Iranin të vazhdonte me programin bërthamor. Në momentin që zoti Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë erdhi me një qasje tjetër dhe nisën dhe bisedimet ashtu siç nisën raundet e bisedimeve për Arabisë Sauditë për të zgjidhur konfliktin Rusi-Ukrainë, nisi edhe një raund tjetër bisedimesh për të zgjidhur konfliktin mes Iranit, ose asaj që quhet programi bërthamor i Iranit. Ditën e djelë do kishte një raund bisedimesh në Oman. Është interesante për ata që na dëgjojnë: Pse është ky presion ndaj Iranit për programin bërthamor? Përtej faktit që Izraeli e shikon çdo vend në Lindjen e Mesme që zotëron armë bërthamore, si rrezik për sigurinë e tij kombëtare, Izraeli ka marrëveshje paqrje vetëm me Egjiptin dhe Jordaninë dhe këto janë marrëveshje paqeje që kanë ardhur pas shumë luftërave”,-tha Kamberi.
Komente
