Ende pa u stabilizuar tregjet e huaja nga lufta në Ukrainë, bombardimet mes Izraelit dhe Palestinës, kanë prekur direkt tregjet ndërkombëtare, duke rritur pasiguritë. Nëse lufta në vendet e lindjes së Mesme nuk ndalet, çmimi i naftës mund të rritet ndjeshëm.
Eksperti i ekonomisë Arben Malaj tha në Report TV, se deri tani situata është e menaxhueshme, por në skenarin negativ, nëse lufta zgjerohet çmimi i një fuçie naftë mund të arrijë në 110 dollarë.
Të gjithë mendojnë se situata është e menaxhueshme, edhe luhatjet në çmimin e naftës janë të menaxhueshme. Konflikti ka rritur pasiguritë për zhvillimet e ardhshme dhe nëse do të kemi zhvillim të konfliktit atëherë do të kemi menjëherë një ndryshim të çmimit të naftës. Nëse do të ketë zgjerim të konfliktit ekspertët parashikojnë një rritje të çmimit të naftës në 110 dollarë, që patjetër do të sjellë presione inflacioniste në Shqipëri”, tha Malaj në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu.
Aktualisht çmimi i naftës bruto në bursë arrin deri në 89 dollarë, por që u rrit lehtë pas nisjes së luftës në Izrael, pasi nafta në 6 tetor ishte 84 dollarë. Por, nëse lufta atje vijon nuk do të shtrenjtohet vetëm energjia e nafta, por efekti do të jetë zinxhir, dhe nga kjo valë inflacioni do të preket edhe Shqipëria.
“Ndikimi do të jetë zinxhirë sepse ne jemi një importues i madh edhe jemi të ekspozuar nga goditjet në ekonomi që mund të sjellë lufta. Nëse konflikti zgjat, ne jemi të predispozuar të prekemi ashtu sikurse edhe nga lufta në Ukrainë, e cila ka ndryshuar dhe ka krijuar shumë kosto, sepse e gjithë Evropa dhe bota u gjend në një krizë. Këto goditje të jashtme kërkojnë një ekonomi shumë konkurruese që të amortizojnë goditjet”, pohon Malaj.