Lufta/ Zelensky pritet të vizitojë Romën pas Berlinit! Takimi me Melonin mund të pasohet nga ai me Papën në Vatikan

11 Maj 2023, 07:13| Përditesimi: 11 Maj 2023, 22:56

  • Share

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të vizitojë Berlinin këtë fundjavë ku do të qëndrojë për një vizitë disa ditore. Më pas media italiane ‘La Repubblica’, bën me dije se Zelensky mund të vizitojë edhe Romën ku do të takohet me kryeministren italiane Giorgia Meloni.

Të njëjtat burime për median italiane, theksojnë se mund të ketë edhe një takim mes Zelenskyt dhe Papës në Vatikan ku do të flitet për mundësinë e vendosjes së një paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë.

Bakhmut është kthyer në epiqendrën e luftimeve tokësore më të përgjakshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore për gati 10 muaj. Ukraina ka përparuar 2.6 km. Shefi i mercenarëve të Grupit Wagner të Rusisë konfirmoi se trupat ruse po largoheshin nga pozicionet e tyre në një urë pranë Bakhmutit. 

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka thënë se vendit të tij i duhet më shumë kohë për të nisur një kundërofensivë të shumëpritur kundër Rusisë, pasi ushtria ka ende nevojë për ndihmën e premtuar perëndimore. Kjo për arsye se mund të humbasë shumë njerëz. Ukraina po merr armë të avancuara perëndimore, dhe trajnime perëndimore për trupat e saj, por ende mungojnë mjetet e blinduara të premtuara.

Britania i ka dorëzuar Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi Storm Shadow përpara një kundërofensivë të planifikuar. Në veçanti, Storm Shadow ka aftësinë të godasë thellë në territorin e kontrolluar nga Rusia në Ukrainën lindore. Një zyrtar perëndimor i tha transmetuesit amerikan CNN se Britania e Madhe kishte marrë garanci nga qeveria ukrainase se këto raketa do të përdoreshin vetëm brenda territorit sovran të Ukrainës dhe jo në Rusi.

I menjëhershëm ishte reagimi i Kremlinit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se furnizimi me raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë është një zhvillim "fuqishëm negativ" dhe do të kërkojë "një përgjigje adekuate" nga ushtria ruse.

Alarmi për sulm ajror është shpallur në shumë rajone të Ukrainës. Në Donbas janë vrarë 3 civilë dhe plagosur 5 të tjerë. Kievi i është kundërpërgjigjur sulmeve ruse, ndërsa një dron ukrainas sulmoi një depo nafte në rajonin kufitar rus të Bryansk. Rajoni juglindor i Zaporizhzhia u bombardua më shumë se 70 herë në 24 orët e fundit, ku 8 civilë u plagosën, duke përfshirë 3 punonjës mjekësorë. Luftimet pranë termocentralit kanë nxitur frikën për një incident të mundshëm katastrofik si ai në Çornobil. Zaporizhzhia është një nga 10 centralet bërthamore më të mëdha në botë.  Rusia planifikon të zhvendosë rreth 2,700 staf ukrainas nga centrali, dhe largimi i tyre do të përkeqësonte çështjen tashmë jashtëzakonisht urgjente të mungesës së stafit.

Ora 20:35
Zelensky pritet të vizitojë Romën pas Berlinit! Takim i mundshëm mes tij dhe Papës në Vatikan

1680701638_dag.JPG

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të zhvillojë një vizitë disa ditore në Berlin të Gjermanisë gjatë kësaj fundjave. Në vijim, sipas medias italiane ‘La Repubblica’, pritet që Zelensky më pas të vizitojë edhe Romën ku do të takohet me kryeministren Giorgia Meloni.

Ndërsa burime të tjera për median italiane bëjnë me dije se mund të ketë edhe një takim të mundshëm mes Papës dhe Zelenskyt në Vatikan. 

Ora 18:10
Serbia dhe Bjellorusia të vetmet vende që nuk kanë sanksionuar Rusinë, Kremlini: Urojmë që Vuçiç të dijë të ruajë ekuilibrat

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se shpresonte se Serbia do të ketë forcë dhe sovranitet të mjaftueshëm për të mbajtur veten jashtë asaj që ai e quajti 'Perëndimi kolektiv që ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Ne e dimë se çfarë urtësie politike dhe këmbëngulje duhet të ketë Presidenti Aleksandër Vuçiç, ne e dimë se si ai duhet të arrijë një ekuilibër të mirë . Serbia, së bashku me Bjellorusinë, është i vetmi vend evropian që nuk i është bashkuar sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për ndërhyrjen e saj të armatosur në Ukrainë.

Ora 14:59
Lufta/ Londra i dorëzon Kievit raketa me rreze të gjatë! Kremlini: Ne do të përgjigjemi

Britania i ka dorëzuar Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi Storm Shadow përpara një kundërofensivë të planifikuar, citon CNN të kenë thënë zyrtarë të lartë perëndimorë. Në veçanti, Storm Shadow ka aftësinë të godasë thellë në territorin e kontrolluar nga Rusia në Ukrainën lindore. Një zyrtar perëndimor i tha transmetuesit amerikan se Britania e Madhe kishte marrë garanci nga qeveria ukrainase se këto raketa do të përdoreshin vetëm brenda territorit sovran të Ukrainës dhe jo në Rusi.

I menjëhershëm ishte reagimi i Kremlinit. Furnizimi me raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë është një zhvillim "fuqishëm negativ" dhe do të kërkojë "një përgjigje adekuate" nga ushtria ruse. Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ora 09:17
Ish kancelari gjerman, Gerhard Schroeder në ambasadën ruse  për festë! Fortunë kritikash ndaj tij, njihet si mik i Putinit

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder, i cili është qortuar për lidhjet e tij me presidentin Vladimir Putin, u kritikua të mërkurën pasi mori pjesë në një festë të Ditës së Fitores të organizuar nga ambasada ruse në Berlin. Schroeder u pa të martën në pritjen që shënonte humbjen e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, së bashku me figura të larta nga partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë dhe partia e së majtës ekstreme Linke.

Të dy palët kanë qenë kritike ndaj sanksioneve të vendosura ndaj Moskës në përgjigje të pushtimit të saj në Ukrainë. Ish-kancelari socialdemokrat shihet në këtë ngjarje në një foto të publikuar nga e përditshmja gjermane Bild. Schroeder ende nuk ka komentuar praninë e tij në pritje. Schroeder, i cili mbante një sërë postesh në kompanitë ruse të energjisë, ka parë që shumë nga privilegjet që zakonisht u jepeshin ish-kancelarëve u hiqen për lidhjet e tij me Kremlinin.

Schroeder nuk ka më një zyrë private të financuar nga publiku, por anëtarët e socialdemokratëve të kancelarit aktual Olaf Scholz deri më tani nuk kanë arritur të përjashtojnë paraardhësin e tij nga partia.

"Më duket e pakuptueshme," tha deputetja e lartë socialdemokrate Katja Mast në përgjigje të pjesëmarrjes së Shroederit.

 “Sjellja e tij vështirë se mund të tejkalohet në pashijen e saj”, tha politikani i lartë konservator (CDU) Thorsten Frei.

“Në ditën kur ish-kancelari u argëtua nga diplomatë rusë, njerëz të pafajshëm në Ukrainë vdiqën si rezultat i luftës së agresionit rus”, tha Frei.

Zëdhënësi i Scholz nuk pranoi të komentojë lajmin në një konferencë të rregullt për shtyp të mërkurën. Në festën e ambasadës u panë edhe ish-udhëheqësi i Gjermanisë Lindore Egon Krenz.

Ora 09:14
Zelensky: Ukrainës i duhet më shumë kohë që të nisë një kundërofensivë! Kemi nevojë për më shumë municion nga Perëndimi

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka thënë se vendit të tij i duhet më shumë kohë për të nisur një kundërofensivë të shumëpritur kundër Rusisë, pasi ushtria ka ende nevojë për ndihmën e premtuar perëndimore. Sulmi i pritshëm mund të jetë vendimtar në luftë, duke rivizatuar vijat e frontit që për muaj të tërë kanë mbetur të pandryshuara. Do të jetë një provë vendimtare për Ukrainën, e etur për të provuar se ndihma e marrë mund të rezultojë në fitime të mëdha në fushën e betejës.

"Me [atë që kemi] ne mund të shkojmë përpara dhe të jemi të suksesshëm," tha presidenti.

"Por ne do të humbnim shumë njerëz. Unë mendoj se kjo është e papranueshme," tha ai në selinë e tij në Kiev, në një intervistë për transmetuesit e shërbimit publik që janë anëtarë të Eurovision News, si BBC.

"Pra, ne duhet të presim. Na duhet ende pak më shumë kohë."

Presidenti i përshkroi brigadat luftarake, disa prej të cilave u trajnuan nga vendet e NATO-s, si "të gatshme", por tha se ushtrisë ende i duheshin "disa gjëra", duke përfshirë automjete të blinduara. Kur dhe ku do të ndodhë shtytja e Ukrainës është një sekret. Forcat ruse kanë fortifikuar mbrojtjen e tyre përgjatë vijës së frontit 1,450 km (900 milje) të gjatë, e cila shkon nga rajonet lindore të Luhansk dhe Donetsk në Zaporizhzhia dhe Kherson në jug.

Në javët e fundit, autoritetet ukrainase u përpoqën të ulin pritshmëritë për një përparim, si publikisht ashtu edhe privatisht. Një zyrtar i lartë qeveritar, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se liderët e vendit "e kuptuan se [ata] duhej të ishin të suksesshëm", por se sulmi nuk duhet parë si një "plumb argjendi" në një luftë që tashmë është pothuajse në muajin e saj të 15-të.

Presidenti, megjithatë, shprehu besimin se ushtria ukrainase mund të përparojë, duke paralajmëruar për rreziqet e një "konflikti të ngrirë", i cili, tha ai, ishte ajo në të cilën Rusia "po llogariste". Për Kievin, çdo rezultat që shihet si zhgënjyes në Perëndim mund të nënkuptojë një reduktim të mbështetjes ushtarake dhe presionit për të negociuar me Rusinë.

Ora 09:10
Kremlini për vendimin e Polonisë për të ndryshuar emrin e Kaliningradit: Një akt armiqësor


Kremlini e ka cilësuar vendimin e Polonisë për të ndryshuar emrin e qytetit rus të Kaliningradit në dokumentet e tij zyrtare si një "akt armiqësor". Kaliningrad, një enklavë ruse midis Lituanisë dhe Polonisë në bregun e Balltikut, quhej Königsberg para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, por më vonë u aneksua nga Bashkimi Sovjetik dhe u riemërua për nder të politikanit Mikhail Kalinin.

Ministri polak i Zhvillimit Waldemar Buda tha dje se Kaliningrad do të quhet tashmë zyrtarisht Królewiec, emri që kishte kur sundohej nga Mbretëria e Polonisë në shekujt 15 dhe 16.

"Ne nuk duam rusifikimin në Poloni dhe kjo është arsyeja pse vendosëm të ndryshojmë emrin në gjuhën tonë amtare të Kaliningradit dhe rajonit të Kaliningradit," tha Buda.

Ora 09:08
Ukraina: Zaporizhzhia u bombardua me bomba thërrmuese

"Rajoni juglindor i Zaporizhzhia u bombardua më shumë se 70 herë në 24 orët e fundit, 8 civilë u plagosën nga municionet thërrmuese (të ndaluara nga konventat ndërkombëtare), duke përfshirë 3 punonjës mjekësorë të ambulancës," tha kreu i administratës. rajonal, Yuriy Malashko.

Sipas Malashkos ka shkatërrime në 20 vende të ndryshme në rajon, ku ndodhet termocentrali më i madh bërthamor në Evropë.

"Në Malokaterinovka janë goditur 8 persona nga plumbat thërrmues. Tre prej tyre janë ambulantë. Të plagosur janë banorë vendas, 3 burra dhe 2 gra", tha Malashko.

Ora 08:58
Paratë e oligarkëve rusë për rindërtimin e Ukrainës, SHBA miraton transferimin e parë! Disa milionë euro

1683788337_Screenshot10.jpg

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes vendimit të Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland, ka autorizuar transferimin e parë të fondeve të konfiskuara nga oligarkët rusë për të ndihmuar Ukrainën. Garland tha në një deklaratë të mërkurën se paratë e sekuestruara nga oligarku rus Konstantin Malofeev do të shkojnë në vendin e shkatërruar nga lufta, të cilin Rusia e pushtoi më 24 shkurt 2022.

"Ndërsa ky shënon transferimin e parë të fondeve ruse të konfiskuara nga SHBA për të rindërtuar Ukrainën, nuk do të jetë i fundit," tha Garland.

Mediat raportojnë se bëhet fjalë për një fond të parë  5.4 milionë euro.

Administrata Biden ka kërkuar të rrisë kompetencat për të dërguar asetet e sekuestruara tek shmangësit e sanksioneve ruse për të ndihmuar Kievin. Vitin e kaluar, Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzoi rusin Malofeyev për shkelje të sanksioneve kundër Rusisë. Prokurorët thanë se u ofroi fonde separatistëve rusë në Krime, të cilën Moska ia aneksoi Ukrainës në vitin 2014.

Në atë kohë, Garland njoftoi gjithashtu "konfiskimin e miliona dollarëve nga një llogari në një institucion financiar amerikan që i atribuohet shkeljeve të sanksioneve të Malofeev". Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, u krijuar një grup i ri pune, i quajtur KleptoCapture, që synonte në mënyrë specifike oligarkët rusë që kërkonin të shmangnin sanksionet e SHBA kundër subjekteve ruse.

Ndër pasuritë që Uashingtoni ka konfiskuar është një flotë superjahtesh, duke përfshirë një anije 106 metra (348 këmbë) në pronësi të Suleiman Karimov dhe me vlerë më shumë se 300 milionë dollarë, e cila është ankoruar në Fixhi.

Ndërkohë, presidenti i SHBA Joe Biden i bëri thirrje Kongresit vitin e kaluar për të lehtësuar transferimin e aseteve të sekuestruara të oligarkut në Ukrainë. Në dhjetor, Kongresi miratoi legjislacionin që lejonte që disa asete të konfiskuara nga Departamenti i Drejtësisë të transferoheshin në Ukrainë nëpërmjet Departamentit të Shtetit të SHBA.

Në prill, Departamenti i Drejtësisë i kërkoi Kongresit të zgjerojë mallrat që mund të dërgohen në Ukrainë, veçanërisht paratë e sekuestruara për shkelje të kontrolleve të eksportit. Në atë kohë, Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme Lisa Monaco tha se Uashingtoni "po linte shumë para në tryezë".

Ora 07:53
VIDEO/ Ushtari rus i vetmi i mbijetuar, i dorëzohet dronit! Ukrainasit i hedhin një shënim: Për të shpëtuar veten, ndiq atë

 

Në këtë video që shihni më lart, të shpërndarë nga Forcat e Armatosura të Ukrainës, vihet re një ushtar rus i vetëm, e ndërsa në llogoren e luftës kanë humbur jetën ushtarët e tjerë rusë.

Ushtari rus dallon dronin ukrainas, dhe me gjeste bën të qartë që dëshiron të dorëzohet. Ai nuk ka armë. Ukrainasit i shkruajnë atij një shënim me mbishkrimin: "Ndiq dronin". Rusi e merr mesazhin, por nuk duket i kënaqur: duket se ka frikë se mos vritet nga ukrainasit teksa kalon ‘vijën e kuqe’, tokën që ndan dy ushtritë. Por ai ende ndjek dronin përgjatë llogoreve. Sipas trupave të Kievit, ai arriti të dorëzohej në mënyrë të sigurt. Videoja do të ishte xhiruar dje në Bakhmutit, rajon ku Kievi ka përparuar.

Ora 07:44
Kievi përparon në Bakhmut, VIDEO nga momenti kur godasin me raketa forcat ruse

Në këto pamje të publikuara nga Forcat e Armatosura të Ukrainës shihen disa raketa në aksion kundër ushtrisë ruse. Regjimenti Azov i ushtrisë ukrainase po përparon në Bakhmut, qyteti lindor i Ukrainës i rrethuar prej muajsh. Komandanti i Azov, tha se "në Bakhmut luftëtarët e Brigadës së 3-të të Forcave të Armatosura të Ukrainës përparuan 2.6 kilometra gjatë sulmit ndaj pozicioneve ruse gjatë dy ditëve të fundit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Maksut Kaleshi: 12/05/2023 10:51

    O Zhelecka lëri mor burec llafet po ulu dhe zgjidhe konfliktin me dipllomaci. Se ske ti byth tja dalësh kriminelit Putin. Sepse ai të shuan mos i bëj bit e nënave mish për top për interesat e perëndimit që lozin me ty si një kalama. Puno për kombin tënd o Zhelecka.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?