Në një kohë që Gjermania, njëjtë si shumë shtete të unionit evropian po përballen me një fushatë të ngadaltë të vaksinimit, Bavaria ka njoftuar se do të nënshkruajë një "kontratë paraprake" për të marrë 2.5 milion doza të vaksinës ruse kundër COVID-19 Sputnik V.
Sputnik V ende nuk ka marrë miratimin e Agjencisë Evropiane të Barnave.
Kjo "kontratë paraprake nënshkruhet sot" tha Ministri-Presidenti Markus Söder, një politikan konservator.
Nëse vaksina Sputnik miratohet nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), Bavaria do të marrë rreth 2.5 milion doza gjatë verës përmes një kompanie në qytetin bavarez të Illertissen.
Qeveria gjermane tha muajin e kaluar se do të ishte e hapur për përdorimin e Sputnik V nëse ajo merr miratimin e EMA.
Rregullatori evropian i barnave javën e ardhshme do të fillojë hetimin në lidhje me provat klinike që ka kryer Rusia për vaksinën kundër koronavirusit Sputnik V.
Financial Times raporton se hulumtimet do të fokusohen nëse Rusia ka ndjekur praktikat më të mira të sigurisë gjatë provave klinike.