Danimarka po përgatitet të miratojë një ligj të ri për të drejtën e autorit, me qëllim të luftimit të teknologjive si deepfake dhe inteligjenca artificiale gjenerative. Ky ligj – i pari i këtij lloji në Evropë – ka marrë mbështetje të gjerë nga të gjitha partitë politike. Nëse, siç pritet, ai miratohet, trupi, pamja fizike dhe zëri i një personi do të mbrohen me të drejtë autori, duke ndaluar përdorimin e tyre pa miratim të qartë.
Ministri danez i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt, ka shpjeguar se teknologjia që mundëson krijimin e deepfake-ve mund të përdoret për të dëmtuar demokracinë, diskursin publik dhe identitetin individual, duke sjellë si shembull pasojat që mund të shkaktonte përhapja e një videoje të rreme ku shpallet dalja e Danimarkës nga NATO:
“Qëllimi i ligjit është para së gjithash të mbrojë demokracinë dhe të sigurojë që të mos jetë e mundur të shpërndahen video ku dikush thotë gjëra që nuk do t’i thoshte kurrë në realitet. Vjedhja e identitetit ka qenë gjithmonë e paligjshme”, – theksoi ministri, duke hedhur poshtë shqetësimet se ligji do të kufizojë lirinë e shprehjes.
Çfarë është deepfake?
Deepfake është një teknikë që përdor inteligjencën artificiale për të krijuar video apo imazhe që riprodhojnë në mënyrë shumë të saktë pamjen e një personi real. Kjo teknologji ekziston të paktën që nga viti 2017, por me zhvillimin e shpejtë të IA-së gjenerative, ajo është përmirësuar ndjeshëm dhe është bërë më e lehtë për t’u përdorur nga kushdo.
Përdorimet më të zakonshme përfshijnë:
– imitimin e fytyrave të personazheve të famshëm,
– përhapjen e lajmeve të rreme,
– mashtrime, pornografi të rreme apo satirë.
Në shumë raste, këto përmbajtje janë kaq bindëse, sa që është krijuar teknologji e veçantë për të verifikuar nëse një imazh apo video është i vërtetë apo jo.
Ligji i ri
Danimarka do të ishte shteti i parë që miraton një ligj që mbron personin si “krijim” autorial, por ministri Engel-Schmidt shpreson që ky hap të nxisë edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian të trajtojnë këtë çështje.
Ligji do të detyronte të gjitha platformat të heqin përmbajtjet e deepfake-ve që konsiderohen të paligjshme. Do të ndalohej gjithashtu përdorimi pa leje i zërit apo imazhit të një artisti – për shembull, krijimi me IA i imazheve në stilin e Studio Ghibli (si ato që janë përhapur së fundmi në rrjetet sociale), pa miratim nga autori.
Do të përjashtoheshin nga ndalimi përmbajtjet me qëllim parodik apo satirik, nëse ky qëllim shprehet qartë.
Raste virale
Ndër rastet që kanë shkaktuar më shumë polemika në nivel global për shkak të deepfake-ve përmenden:
Në vitin 2024, telefonatat me zërin e klonuar të Joe Biden, ku thuhej të mos votohej në primaret e Partisë Demokratike.
Një tjetër rast ishte ai i Presidentit Zelensky, ku në një video të rreme ai u bënte thirrje ukrainasve të dorëzoheshin.
Një shembull më i padëmshëm, por shumë i përhapur, ishte imazhi viral i Papa Françeskut me një xhup të bardhë luksoz, në stilin e muzikantëve trap.
Në vitin 2018, regjisori fitues i Oscar-it, Jordan Peele, përdori teknologjinë deepfake për të imituar Barack Obamën – me qëllimin e vetëdijesimit mbi rreziqet e kësaj teknologjie, sidomos në sferën politike.
Komente
