Shqipëria ka kërkuar përdorimin e bazave të të dhënave dhe mjeteve të ofruara nga INTERPOL.
Kjo u bë e ditur, nga takimi i zhvilluar sot mes ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe presidentit të Interpol, Ahmed Naser Al-Raisi, ku u diskutua gjithashtu edhe për nevojën për të shfrytëzuar nismat e shumta të lançuara nga organizata, për të ndërtuar kapacitete dhe për të trajnuar personelin e zbatimit të ligjit.
Të dyja palët biseduan për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore e narkotikëve, kërcënimet kibernetike, përmirësimin e sigurisë në rajon e më gjerë, si dhe vendosjen para drejtësisë të personave në kërkim ndërkombëtar.
Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe koordinimit midis agjencive të specializuara të zbatimit të ligjit, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të ruajtur sigurinë e komuniteteve në mbarë botën.
Në takim u evidentua rolin aktiv të Shqipërisë në mundësimin e INTERPOL-it për të luftuar krimin e organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore dhe narkotikëve, kërcënimet kibernetike, në përmirësimin e sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Presidenti i Interpol po qëndron në Tiranë në kuadër të Konferencës së 51-të Rajonale Europiane të Interpol-it, e cila mbyll punimet ditën e sotme.