Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi prezantoi arritjet të Shqipërisë në luftën kundër trafikut të armëve në vend, si dhe angazhimin e Shqipërisë në përballjen e këtij fenomeni, gjatë një konference online të nivelit të lartë të organizuar nga Komisioni Europian.
Në qendër të këtij eventi ishte rritja e bashkëpunimit mbi kontrollin e trafikimit dhe përdorimit ilegal të armëve të zjarrit në Europën Juglindore, rajon dhe më gjerë, duke u bazuar në zbatimin e plotë të planit të veprimit të BE-së për trafikimin e armëve të zjarrit për 2020 - 2025.
Gjatë fjalës së tij ministri Çuçi nënvizoi punën e bërë në këtë fushë, qoftë në aspektin ligjor, me hartimin e disa ligjeve të posaçme që adresojnë fenomenin, qoftë me punën konkrete të Policisë dhe agjencive ligjzbatuese në zbulimin, kapjen dhe ndëshkimin e vënien para ligjit të shtetasve që trafikojnë apo posedojnë armë në mënyrë të paligjshme.
Në lidhje me kuadrin rregullator, Çuçi theksoi se qeveria ka aprovuar tre ligje të rëndësishme, për armët e zjarrit, për eksplozivët dhe për mjetet piroteknike.
Po kështu, ai tha se po rishikohen disa dispozita të Kodit Penal mbi trafikun e armëve, me qëllim përfshirjen e çdo lloj veprimtarie kriminale që kanë të bëjnë me armët, për të shmangur çdo mundësi abuzimi apo pandëshkueshmërie.
Në lidhje me punën e Policisë dhe agjencive ligjzbatuese, ministri deklaroi se çarmatimi i popullsisë dhe heqja e armëve nga duart e atyre që nuk kanë të drejtë ligjore t’i mbajnë, është ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Brendshme, pasi ky fenomen (pra, posedimi i armëve të mënyrë të paligjshme), ndikon drejtpërdrejt në të gjitha format e kriminalitetit.
Ministri bëri me dije se të gjitha armët e zjarrit që posedohen ligjërisht nga shtetas shqiptarë, tashmë po regjistrohen sipas sistemit SIMA, një sistem i kompjuterizuar. Sipas këtij programi, tashmë janë regjistruar rreth 70 % e të gjithë armëve të zjarrit. Ai u shpreh gjithashtu edhe rreth angazhimit të strukturave të posaçme zyrtare dhe OJF-ve në zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese për edukimin e të rinjve mbi rreziqet dhe pasojat e përdorimit të armëve të zjarrit dhe nxitjen e shtetasve që të vetëdorëzojnë armët që mund të mbajnë të fshehura në banesa.
Kreu i Ministrisë së Brendshme foli në mënyrë të përmbledhur edhe rreth “Strategjisë Kombëtare për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe Armëve të Lehta 2019 - 2024” dhe plani 3-vjeçar të veprimit çka e konsideroi si një hap tjetër përpara në procesin e harmonizimit me legjislacionin e BE-së në fushën e kontrollit të armëve të zjarrit.
Në të morën pjesë ministrat e Brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe drejtuesit më të lartë të KE, si Josep Borrell Fontelles, Zv/president i KE, Ylva Johansson, Komisionere për Çështjet e Brendshme, Olivér Várhelyi, Komisioner për Çështjet e Zgjerimit, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës si bashkëkryesues të procesit të Berlinit, si dhe mjaft zyrtarë të lartë të vendeve të BE dhe të Ballkanit perëndimor.