Opinion
Periferi

Lufta kundër dhunës ndaj grave e vajzave mbetet e vakët, mund të merret shembull nga beteja e LGBT

25 Nëntor 2021, 16:03| Përditesimi: 25 Nëntor 2021, 16:07

  • Share

Kemi parë shumë aktivitete kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave në gjithë këto vite, por pak dashuri e sidomos, akoma shumë dhunë. Gjithë eksperienca jonë 30 vjeçare, e një shoqërie të dalë nga dhuna më e tmerrshme ideologjike dhe e lirive themelore, reduktohet në atë që ende nuk e kemi mësuar ta bëjmë: Të luftojmë sinqerisht, me zemër, për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna e një shoqërie ende patriarkale. Menduam se do të bëhej në këtë drejtim një revolucion, por mesa duket, kanë të drejtë ata që thonë se revolucioni nuk bëhet dot aty ku të gjithë njihen, e sidomos, kur ata/ato që duhet të mbrojnë, sa mbyllen reflektorët, kamerat e mikrofonat shndërrohen menjëherë në përfitues banalë fondesh, nxitës bulizmi, ushqyes diskriminimi për këdo.

Prandaj i vetmi shembull, e vetmja luftë origjinale dhe e sinqertë, për mbrojtjen e të drejtave të shkelura të të brishtëve të shoqërisë sonë, mbetet lufta e bërë nga përfaqësues të LGBT-së, sepse është një luftë e gjeneruar nga dashuria dhe dëshira e madhe për të qenë të barabartë.

Nëse vërtetë do të bënim një bilanc të kauzave të fituara, ajo e djemve dhe vajzave të LGBT, mbetet deri tani më e arrira, edhe pse tejet e vështirë në një terren si ky i shoqërisë sonë. Sigurisht, ka ende shumë e shumë për të bërë, por të shohësh që familje, institucione dikur dhunuese e persekutuese, sot shpesh jo vetëm që nuk bëjnë horroret e dikurshme, por me krenari janë në krah të personave LGBT, mund të konsiderohet si horizonti i një fitoreje.

Që në 1999 OKB u kërkoi shteteve, qeverive, Ojf-ve të bëjnë aktivitete ku të dënohet me forcë dhuna ndaj grave dhe vajzave. Shohim çfarë ndodh tek ne: Veç ndonjë deklarate që sa vjen e bëhet akoma më e vakët dhe e zbehtë, duket një luftë para të cilave janë dorëzuar jo vetëm kush ndërgjegjëson, por edhe kush e ka për detyrë të ngrejë zërin, të ndihmojë, të ndikojë.

Në këtë ditë media në Itali është e impenjuar duke u dhënë hapësirë fëmijëve, tashmë të rritur, të nënave të vrara nga baballarët e tyre. Vajza që tregojnë pa u trembur histori të tmerrshme, duket qartë se kanë kaluar përmes një rekuperimi dhe kujdesi institucionesh. Sigurisht, ne nuk jemi Italia. Duam të bëhemi një ditë. Po ku janë sot dhe si janë mbështetur për të kuptuar të vërtetën e nënave të tyre ata fëmijë të nënave të vrara dhe të dhunuara?

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?