Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se kishte goditur me raketë termobarike vendin e dislokimit të mercenarëve të huaj në periferi jugore të Sudzha, të rajonit Kursk, raporton Interfax. Armët termobarike përbëhen pothuajse 100% nga lëndë djegëse shpërthyese që thith oksigjen dhe janë dukshëm më të fuqishme - dhe shpërthimi i tyre zgjat më shumë - sesa eksplozivët konvencionalë me të njëjtën peshë.
Më herët Rusia njoftoi se ka nisur të zbatojë masa kundër terrorizmit në Kursk, rajonin ku ka nisur inkursion ushtria ukrainase, si dhe në dy rajone të afërta, Brajansk dhe Belgorod.
Njoftimi është bërë në orët e para të 10 gushtit nga Komitetit Kombëtar kundër Terrorizmit.
Në deklaratë është bërë e ditur që vendimi është marrë prej shefit të shërbimit të inteligjencës të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), si përgjigje ndaj “tentimit të pashembullt” të Ukrainës për të “destabilizuar situatën në disa rajone”.
Më 9 gusht, Rusia e ka shpallur atë që e ka përshkruar si emergjencë të “nivelit federal” në rajonin Kursk, disa orë pas sulmeve të ushtrisë ukrainase.
Irani hedh poshtë aludimet se po furnizon Rusinë me armë në luftën me Ukrainën.
“Teherani nuk i nënshtrohet ligjërisht asnjë kufizimi ose ndalimi për blerjen ose shitjen e armëve por nuk furnizon Rusinë për luftën me Ukrainën”thuhet në një deklaratë të Misionit të Përhershëm të Iranit në Kombet e Bashkuara
Reagimi erdhi pas shkrimeve në media se Irani ishte gati të dorëzojë qindra raketa Fath-360 dhe të tjera balistike në Moskë për t'u përdorur në luftën e Ukrainës
“Irani dhe Rusia kanë hyrë në një marrëveshje afatgjatë të bashkëpunimit strategjik në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe atë ushtarak, megjithatë, nga pikëpamja etike, Irani përmbahet nga transferimi i çdo arme, përfshirë raketat, të cilat mund të përdoren potencialisht në konfliktin rus me Ukrainë, derisa kjo të përfundojë”, thuhet në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve iraniane Mehr.
Irani është kritikuar gjithmonë për furnizimin e Rusisë me dronë dhe raketa gjatë luftës në Ukrainë, e cila filloi në shkurt 2022.
Një bombardues Su-34 goditi forcat ukrainase mbrëmë në seksionin kufitar të rajonit të Kurskut me një bombë 500 kg bëri të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes, siç raporton Tass.
“Ekuipazhi i një gjuajtës-bombardues supersonik shumëfunksional Su-34 të Forcave Ajrore kreu një sulm natën ndaj një grupi ushtarakësh dhe pajisjesh ukrainase në një zonë kufitare të rajonit Kursk”, thuhet në një deklaratë.
"Në sulm u përdor një bombë shpërthyese me karburant ajror Odab-500 (Shënim: 500 kg) thuhet në shënim